Tradita e kampeve verore të organizuara nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, vazhdoi edhe këtë vit me bukurinë dhe të veçantat që e karakterizon një aktivitet kaq të madh dhe shumë të pëlqyer nga të rinjtë orthodhoksë. Qëllimi për të kaluar një kohë çlodhëse, larg jetës dhe problemeve të përditshme, si dhe për të nxitur afrimin e të rinjve me njëri-tjetrin dhe në veçanti me Krishtin u realizua me bekimin e Kryepiskopit Anastas, i cili e mbështet gjithmonë këtë veprimtari, duke u kujdesur jo vetëm nga ana financiare, por edhe me organizimin e brendshëm dhe cilësor të këtyre kampeve. Edhe këtë vit protagonistë ishin grupmoshat nga 12 deri në 30 vjeç. Periudha e kampeve zgjati dhjetë ditë qëndrimi – në ishullin e Zvërnecit për djemtë dhe në Shën Joan Vladimir për vajzat. Kampi ishte i programuar në tre turne: me fëmijët, gjimnazistët dhe studentët.
Duke filluar nga data 25 qërshor e deri në përfundimin e këtij aktiviteti, më 7 gusht, të rinjtë orthodhoksë shqiptarë patën mundësinë të merrnin pjesë në një jetë të pasur shpirtërore me shërbesa në kishë, lutje e agripni. Pjesë e këtij programit të larmishëm ishin edhe veprimtaritë kulturore brenda dhe jashtë kampit si: lojrat sportive, ekskursioni, festivali i këngës etj.
Tema e kampit të sivjetëm ishte: “Të ecim me Krishtin- Udhëtim i pafund”. Në kontekstin e kësaj teme gjatë çdo dite të tij klerikët, teologët dhe katekistët drejtuan bisedat shpirtërore, duke transmetuar tek pjesëmarrësit e kampeve jetën e Krishtit, porositë e Tij, si dhe qëllimin e jetës sonë si të krishterë. Nëpërmjet këtyre bisedave si dhe diskutimeve të tjera në grupe, të rinjtë njohën nga afer jetën adhuruese për Perëndinë brenda Kishës, morën pjesë në lutje të përbashkëta, në minutat e meditimit si edhe në bisedat biblike, duke ushtruar në këtë mënyrë një jetë të vërtetë dhe të denjë shpirtërore. Kampistët mësuan çdo të thotë të ecësh me Krishtin, duke fituar në këtë rrugë frytet e Shpirtit të Shenjtë, siç janë: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, besimi, shpresa, guximi, mirëdashja, besnikëria e përulësia të cilat të afrojnë edhe më shumë me Perëndinë.
Kampi “Rilindja” për djemtë dhe “Bariu i Mirë” për vajzat iu dha mundësinë këtë vit edhe të rinjve të papagëzuar të bashkoheshin me Krishtin nëpërmjet Misterit të shenjtë të Pagëzimit. Në të tre turnet e këtyre kampeve, siç është bërë tashmë traditë, shumë të rinj patën bekimin të bëheshin pjesëtarë të Kishës sonë dhe vlen të përmendet se vetëm në kampin e parë të fëmijëve, në Manastirin “Fjetja e Hyjlindëses” në Zvërnec, u pagëzuan 32 fëmijë të ardhur nga shumë qytete të Shqipërisë.
E veçantë ishte organizimi për herë të parë i një kampi rinor në Manastirin e Shën Gjergjit në Çukë të Sarandës, në datat 7-17 korrik. Aty morën pjesë rreth 30 të rinj orthodhoksë të Mitropolisë së Gjirokastrës, si dhe në Glikomil.
Kampet verore të këtij viti ishin një projekt i madh me të rinjtë orthodhoksë shqiptarë të cilët morën një përvojë të çmuar shpirtërore dhe shoqërore. Krijimi i një tradite të tillë që ka nisur rreth dhjetë vjet më parë është një shpresë edhe për të ardhmen që do të përfaqësohet nga këta të rinj, tek të cilët do të mbështetet Kisha jonë.
Isidor Koti