Dy ditë më parë është ndarë nga jeta ish-kreu i Komunitetit Mysliman Haxhi Hafiz Sabri Koçi. Si e keni përjetuar këtë lajm?
Ndjeva hidhërim të thellë. Kur të ikën një njeri i dashur, një mik, me të cilin ke lidhje për shumë vite, ndjen shtrëngim në zemër. Gjithsesi, të ngushëllon fakti se ai iku i qetë, mes dashurisë së të afërmve të tij dhe respektit të njerëzve. Njëkohësisht, mendova se ky udhëtim, i fundit, na pret të gjithëve dhe duhet të bëhemi gati.
A ju kujtohet hera e parë që jeni takuar me Haxhi Hafiz Sabri Koçin?
Ishte festa e Bajramit e vitit 1992. Në atë kohë isha Eksark i Patriarkanës Ekumenike. Kthehesha në Shqipëri pas një udhëtimi (2 prill) dhe më 4 prill ishte Bajrami. E quajta për detyrë të vizitoja kreun e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Ishte komunikimi ynë i pare. Atmosfera qe tepër e përzemërt.
Historikisht në Shqipëri komunitetët fetare vlerësohen se jetojnë në harmoni. Sa harmoni ka pasur midis jush si kreu i Kishës Orthodhokse dhe Haxhi Hafiz Sabri Koçit si kreu i Komunitetit Mysliman?
Siç e dini, gjatë 13 viteve të fundit Shqipëria u përball me shumë vështirësi dhe kaloi periudha tepër kritike. Miqësia dhe besimi që u zhvilluan midis nesh, ndihmoi në përballimin sa më të drejtë të problemeve të ndryshme që janë shfaqur (p.sh. kur disa nxënës në Voskopojë prishën disa afreske historike, gjetëm mënyrën për t’iu shmangur tensioneve). Përgjithësisht, jo thjesht kultivuam frymën e tolerancës fetare, por punuam edhe për bashkëjetesë harmonike dhe bashkëpunim ndërmjet komuniteteve fetare. Gjatë festave vizitojmë Komunitetin Mysliman dhe, nga ana e tij, Haxhi Hafiz Sabri Koçi me bashkëpunëtorët e tij të zgjedhur vinte tek ne në festat tona – madje edhe në periudhën e fundit, kur shëndeti i tij ishte keqësuar. Nuk harroj se në aktivitetet zyrtare me rastin e 10-vjetorit të Fronëzimit tim si Kryepiskop, ai ishte i pranishëm në kishë, bashkë me udhëheqësit e tjerë të komuniteteve fetare.
Ju njiheni si njohës shumë i mirë i Islamit, pasi keni qenë lektor në Universitetin e Athinës. Sa ju ka ndihmuar kjo në marrëdhëniet ndërfetare në vendin tonë, që në momentin që keni ardhur e deri më tani?
Për saktësi, nuk isha lektor, por pedagog i rregullt në Universitetin e Athinës për 20 vjet me radhë. Dega ime ishte Historia e Besimeve Fetare. Në vitin 1975, për herë të parë, botova një libër për Islamin (deri tani kanë dalë 12 ribotime) dhe detyrova studentët që ta studionin dhe, madje, ta jepnin provim këtë lëndë. Gjithashtu, kam udhëtuar në shumë vende islamike dhe, në kuadrin e Këshillit Botëror të Kishave, kam qenë anëtar i “Komisionit të Dialogut me njerëz me bindje të tjera fetare”. Sigurisht, të gjitha këto kanë ndihmuar në kuptimin më të shpejtë të kushteve të veçanta që ekzistojnë në Shqipëri. Në vitet e mëparshme, si Pedagog Universiteti, kisha marrë pjesë më tepër në dialogun teorik ndërfetar. Por, këtu në Shqipëri mësova se sa i rëndësishëm është dialogu i jetës, pjesëmarrja e thjeshtë në të përditshmen dhe në problemet me të cilat përballet një shoqëri multifetare.
A keni pasur vizita të ndërsjellta me Hafiz Sabri Koçin për çështje të ndryshme?
Fola më parë për vizitat e shumta që kryenim gjatë festave fetare. Gjithashtu, shumë shpesh, kur Komisione të ndryshme vinin nga Amerika ose nga Evropa për t’u informuar për sa ndodhnin këtu, ishim gjithnjë bashkë dhe binim dakord për imazhin që paraqisnim lidhur me lirinë fetare ose me problemet që përballojnë ende komunitetet tona fetare (si p.sh. çështja e pronave të komuniteteve fetare, që ende mbahen të konfiskuara).
Si e përjetuat largimin e Haxhi Hafiz Sabri Koçit nga kreu i komunitetit mysliman? A mendoni se largimi i tij ka ndikuar në marrëdhëniet tuaja me drejtuesit e këtij komuniteti dhe a është e njëjta linjë komunikimi me krerët e sotëm si më parë?
Eshtë e natyrshme që në çdo komunitet fetar të ketë ndryshime në udhëheqje, për më tepër kur ka arsye shëndetësore dhe moshe. Sidoqoftë, marrëdhëniet që kemi zhvilluar ndërmjet dy komuniteteve tona fetare janë shumë më të gjera. Edhe me udhëheqjen e re, të nderuarin Haxhi Selim Muça, marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera. Besoj se ishte fat që pas vdekjes se Hafiz Sabri Koçit, kryesinë e komunitetit mysliman e mori një njeri i aftë, me kulturë dhe fisnik, që njeh mirë traditën, por dhe me perspektivë të qartë evropiane. Jam absolutisht i bindur se bashkëpunimi ynë do të jetë shumë harmonik e krijues dhe do të kontribuojë në zhvillimin e përparimin e të gjithë shoqërisë shqiptare.
(Intervista u botua në gazetën “Panorama” të datës 22 qershor)