Në nëntorin e kaluar, në një ceremoni të bekuar, Fortlumturia e Tij Kryepiskopi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë Anastasi, kreu Ajazmonë për fillimin e funksionimit të Klinikës Orthodhokse Shëndetësore në Jergucat të Gjirokastrës. Ishte finalizimi i një përpjekjeje të nisur që në vitin 1999 nën përkujdesjen e përditshme të Kryepiskopit Anastas. Njëherësh ajo shënonte edhe ditën e një eksperimenti të guximshëm si shumë të tjera të ndërrmarra nga Kisha Orthodhokse. Ishte për t’u provuar një nismë e re, për ofrimin e shërbimeve shëndetësore të avancuara në një zonë rurale dhe madje pak të banuar në vitet e fundit, premisa këto që në një logjikë tjetër do të përbënin pengesë për ndërmarrjen e hapit…
Dashuria e pakufi, pa interes dhe pa dallime e Kryepiskopit i kapërcen të gjitha këto pengesa dhe me hirin e Perëndisë tani jemi në gjendje që në bazë të fakteve ta gjykojmë si plotësisht të suksesshëm funksionimin e Klinikës Orthodhokse dhe të justifikuar me mirënjohjen e njerëzve që kanë marrë ndihmën e nevojshme pranë kësaj qendre.
Nga dita në ditë që nga lajmi i çeljes së klinikës hapat që janë hedhur synojnë si në zgjerimin e saj edhe në përmirësimin cilësor të shërbimeve që ofrohen.
Në Klinikën Shëndetësore Orthodhokse në Jergucat sot ofrohen çdo ditë shërbime në specialitetet: pathologji, pediatri, okulistikë, analiza të plota laboratorike, radiografi dhe ECHO.
Në veçanti laboratori i Analizave Biokimike dhe Hormonale është i pajisur me aparatura plotësisht moderne dhe që ofrojnë një gamë të gjerë analizash të parametrave, por edhe një numër veçanërisht të madh analizash që mund të përballojë. Kjo e bën laboratorin të jetë i shumëkërkuar për banorët në nevojë të të gjithë trevës, që klinika përpiqet të mbulojë. Gjithashtu mes parametrave të lartë teknikë është edhe aparati i analizave ECHO.
Ditët e fundit një tjetër shërbim iu shtua klinikës dhe bëhet fjalë për aparaturat e reja dhe bashkëkohore, të cilat u blenë për shërbimin e mjekut okulist.
Të gjitha këto së bashku me godinën e ndërtuar posaçërisht bëhen me përkujdesjen dhe fondet e grumbulluara nga Kryepiskopi Anastas me një merak të veçantë, në mënyrë që banorët e zonës të kenë mundësi për një shërbim mjekësor të avancuar dhe të krahasueshëm me shërbimin që ofrohet në qendrat e mëdha urbane.
Një përvojë tjetër e vlerësueshme që po zhvillohet në këtë klinikë, është bashkëpunimi me mjekë nga Greqia, të cilët nga konsiderata dhe dashuria në personin e Kryepiskopit Anastas duan të kontribuojnë vullnetarisht në sektorin e shëndetit publik. Shkencëtarë të njohur nga Spitali Universitar i Janinës dhe ai i Patrës vijnë në mënyrë periodike dhe kryejnë vizita në specialitetet, si: kardiologji, nevrologji, pneumonologji, ortopedi, analiza mikrobiologjike, gjinekologji etj.
Ndryshimi thelbësor i klinikës së Kishës Orthodhokse nga përpjekje të tjera private apo të sektorit publik në këtë sektor qëndron në faktin se personeli i doktorëve, i infermierëve dhe ai administrativ është i frymëzuar nga ideali kristian i dashurisë pa interes dhe kjo reflekton kujdesin me të cilin përballohet çdo rast që paraqitet në klinikë.
Klinika Shëndetësore Orthodhokse në Jergucat është e pajisur gjithashtu me klinikë të lëvizshme dentare, që në të ardhmen e afërt parashikohet të ofrojë shërbimet e saj për nxënësit dhe të rinjtë nëpër fshatra.
Korresp. i Ngjalljes