Me ritme intensive vazhdojnë punimet për përfundimin së ndërtuari të kompleksit social “Emaus”, në Gjirokastër. Bëhet fjalë për një ndërtesë madhështore dhe moderne, e cila do jetë një ofertë tjetër e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në sektorin social. Ky kompleks me një sipërfaqe të përgjithshme të truallit mbi 6000 m2 dhe sipërfaqe të ndërtuar që i kalon të 3000 m2, ndodhet në hyrje të Gjirokastrës, pranë parkut natyral të Viroit. Ishte një nga godinat e firmave piramidale, që u shkatërrua plotësisht gjatë trazirave të ’97.
Më vonë u ble nga Kryepiskopi Anastas dhe me fondet që ai siguroi filloi rindërtimi i saj nga themelet sipas të gjitha kritereve të një ndërtimi shumëfunksional bashkëkohor. Kryepiskopi e “pagëzoi” këtë kompleks me emrin domethënës “Emaus”, një vend aq fort të lidhur me Mrekullinë e Ngjalljes së Zotit Krisht. Dhe shpresa e tij është që atje t’i jepet akoma një shtysë ndihmës sociale të Kishës sonë, që të thellojë dhe zgjerojë më tej kontributin e saj për ringjalljen e shoqërisë në mbarë Shqipërinë.
Vizioni i Kryepiskopit Anastas është që në këtë kompleks të zhvillohet një qendër për arsimin profesional dhe në profesione të tjera që të lehtësojnë punësimin e të rinjve që kanë për të ndjekur atje mësimet dhe njëherësh të kenë vlerë për veprimtarinë rindërtuese të ekonomisë së vendit.
Me këto kritere është punuar nga ana e arkitektëve që kanë realizuar projektin e rindërtimit dhe të zgjerimit të godinave. Në përfundimin e tij kompleksi përveç klasave të mësimit dhe zyrave të administratës do të disponojë laboratorët për ushtrimin praktik në profesione si: instalime elektrike, hidraulike, punime në dru, profesione mekanike dhe ndërtimi si dhe sallat e kompjuterave dhe të bibliotekës. Në katin e sipërm sigurohen kushte akomodimi për nxënës konviktorë dhe profesorë që do të japin mësim: dhoma gjumi komode, restorant me kuzhinë, ambiente të jashtme sportive dhe çlodhjeje etj.
Ajo që është e veçanta e kompleksit është përpjekja për t’u dhënë jo vetëm profesione por për të formuar edhe njerëz të denjë për një shoqëri të re në zhvillim. Pikërisht me këtë qëllim është parashikuar dhe themelimi e funksionimi i kishëzës, që do të jetë shpirti për krijimin e komunitetit të nxënësve.
Kompleksi veç të tjerave ka një sallë të bollshme konferencash, gjë që në përgjithësi i mungon Gjirokastrës dhe nga ky këndvështrim Kompleksi “Emaus” ka për të shërbyer edhe si një qendër konferencash, aktivitetesh, seminaresh shkencore etj.
Punimet janë në fazën e tyre më intensive dhe në muajt pasardhës vepra do të jetë gati për funksionim, duke krijuar kështu një qelizë të gjallë për gjallërimin e shoqërisë mbarë, për të kontribuar në arsimimin dhe edukimin më të përgjithshëm të rinisë dhe njëherësh në zhvillimin ekonomik të vendit.
Korresp. i Ngjalljes