EmailFacebookKontakt

Jemi një qendër rrezatimi kulturor dhe shpirtëror për shumë shekuj

Një falënderim më gjithë shpirt do të desha të shprehja i dashur Kryetar i Akademisë së Shkencave, kolegë, shkencëtarë të dashur, miq dhe të ftuar të tjerë, motra dhe vëllezër.

Do të desha t’u thosha se përpara një jave, kur pashë librat e parë të botuar, thashë që jo vetëm ne në Kryepiskopatë të ndjenim gëzimin e botimit të këtij vëllimi, por të ftonim të gjithë ata që në thelb krijuan këtë vëllim. Koha ishte shumë e kufizuar dhe unë mendova se nuk do t’ia dilnim dot për ta bërë këtë takim. Do të desha t’ju falënderoja të gjithëve që kishit mirësinë të linit çdo punë tjetër, që kishit në dorë dhe të vinit këtu pranë nesh. Falënderime me gjithë shpirt u takojnë edhe të gjithë atyre që morën pjesë në simpozium, ata që e organizuan, që bënë gjithë ato kumtesa me vlerë dhe kishin durimin për gjithë këtë kohë, që punimet e tyre të shikonin dritën e botimit. Disa gjëra bëhen natyrisht vonë, por Lavdi Perëndisë që më në fund bëhen. Duhet t’i shprehim mirënjohjen veçanërisht Perëndisë, që me gjithë vështirësitë e tjera që kemi në rrugën tonë na jep mundësinë që të bëjmë edhe punime të tilla kaq domethënëse dhe vepra shkencore.

Folësit e zgjedhur, që në mënyrë përmbledhëse dhe thelbësore paraqitën mendimet e tyre pak më parë thanë në mënyrë përmbledhëse por shumë cilësore, se sa i rëndësishëm është ky vëllim. Do të desha të theksoja se historia për ne nuk është thjesht diçka që i referohet të kaluarës, por është subkoshienca e së tashmes dhe është pikërisht ajo që përcakton të ardhmen. Në një periudhë të rëndësishme për brumosjen shpirtërore të shoqërisë shqiptare është e rëndësishme të përcaktojmë ADN-në e kësaj shoqërie. Mendoj se ky vëllim e zbulon pikërisht fuqinë dhe bukurinë e kësaj ADN-je dhe kjo është e rëndësishme edhe për vendimet që merren sot. Ne nuk jemi, siç duan të na paraqesin disa, si një vend i vogël, i prapambetur në Ballkanin Perëndimor, por jemi një qendër rrezatimi kulturor dhe shpirtëror për shumë shekuj me radhë. Edhe pse mund të kenë ardhur stuhi dhe kanë mbuluar këta elementë të rëndësishëm, madje edhe të periudhës komuniste që na çoi aq shumë prapa, dinamika e popullit, kultura e popullit, shpirti i popullit, AND-ja e popullit janë nga më të rëndësishmit dhe më dinamikët në Evropë. Dhe mendoj që ky është një mesazh shprese shumë i rëndësishëm në këtë periudhë tani kur edhe klasa politike e të gjitha ngjyrimeve ka rënë dakord se duhet të hyjë në BE si një trup i vetëm. Ne nuk do të hyjmë si të afërm të varfër në BE. Ne ecim duke pasur tërë këtë traditë të pasur prej shekujsh, që ka vulosur shpirtin e popullit. Nga ky aspekt, besoj se ky vëllim nuk është thjesht një vepër shkencore për të kaluarën, por është një arsenal i rëndësishëm për rrugën tonë drejt së ardhmes. Pra mund të ecim me më shumë optimizëm, me më shumë besim dhe me më shumë siguri për rezultatin, sepse e dimë se vimë nga një e kaluar e mrekullueshme dhe me Hirin dhe Fuqinë e Perëndisë mund të ecim drejt një të ardhmeje të mrekullueshme. Në këtë gjë duhet të kontribuojmë që të gjithë, duke ofruar ç’ka më të çmuar shpirti ynë. Edhe një herë falënderimet më të ngrohta dhe përgëzime të gjithëve.

Tiranë, 21 qershor