EmailFacebookKontakt

Kampet verore 2004

Organizimi i kampeve verore me të rinjtë orthodhoksë është kthyer në një traditë shumë të bukur të Kishës sonë. Prej dhjetë vjetësh ky aktivitet ka tërhequr vëmendjen e shumë të rinjve, të cilët kanë marrë pjesë në jetën shpirtërore por edhe në veprimtaritë çlodhëse dhe argëtuese. E veçanta e këtij viti është se kampingjet nuk do të organizohen vetëm në Zvërnec (për djemtë) dhe në Shën Joan Vladimir të Elbasanit (për vajzat) por në të gjitha mitropolitë. Për të mësuar diçka më shumë rreth organizimit të kampeve verore të sivjetshme që do të nisin me fëmijët më 25 qershor dhe do të përfundojnë me studentët në fillim të muajit gusht, biseduam me drejtorin e programeve rinore të Kishës Orthodhokse Shqiptare, z. Jorgo Papadhopulli.

Zoti Jorgo, kampingjet verore po afrojnë…

Po është e vërtetë, dhe vazhdimësia e këtyre kampingjeve është në atë që Kryepiskopi Anastas ka theksuar që në fillim se rinia nuk është vetëm e ardhmja e Kishës por edhe e tashmja e saj. Prandaj ai gjithmonë ka thënë se është më mirë të ndërtojmë një kishë më pak, por të bëjmë aktivitete të ndryshme për t’i dhënë mundësi rinisë që të jetë e bashkuar dhe të rritet shpirtërisht, sepse ky është edhe qëllimi i kampeve. Disa e fillojnë në kamp jetën shpirtërore, disa shkojnë një hap më tej.

Çfarë të veçanta do të kenë kampingjet e këtij viti?

Në traditën e Kishës sonë vajzat e zhvillojnë kampingun në Shën Joan Vladimir të Elbasanit, ndërsa djemtë në ishullin e bukur të Zvërnecit. Por që nga ky vit do të fillojë një traditë e re. Çdo mitropoli do të organizojë kampe të veçanta. Ideja e kampingjeve është zgjeruar sepse është parë që ato janë vërtet qendra shpirtërore dhe vende ku Kisha u jep mundësi të rinjve për të qenë pranë njëri-tjetrit dhe Perëndisë edhe gjatë verës. Por sigurisht që tradita do të vazhdojë në Zvërnec dhe në Shën Joan Vladimir. Kampet aty do të jenë për paragjimnazistët, gjimnazistët dhe studentët. E veçanta e këtij viti është se në zonën e Gjirokastrës, disa nga drejtuesit që do të jenë në kampin e Zvërnecit do të japin ndihmesën e tyre në një kamping që do të hapet në Sarandë, në Manastirin e Shën Gjergjit në Çukë. Për herë të parë 25 studentë do të pushojnë atje, por gjithashtu do të kenë një jetë shpirtërore së bashku. Kjo është një iniciativë e re dhe qëllimi është që prezenca e kampingjeve dhe e Kishës të mos jetë vetëm në disa vende të veçanta, por të përhapen në të gjithë Shqipërinë.

Cilat janë kërkesat që duhet të plotësojnë të rinjtë për të marrë pjesë në këtë veprimtari?

Në radhë të parë ne kemi ndarë moshat. Mosha e parë është nga klasa e parë deri në klasën e tetë të shkollës 8-vjeçare. Mosha e dytë janë gjimnazistët dhe pjesa tjetër janë personal e moshës 18-30 vjeç, pra kryesisht studentët. E para është një ftesë që ata duhet të marrin dhe këtë mund ta kërkojnë tek mësuesit e tyre të katekizmit ose tek njerëzit e tjerë, të cilët merren me rininë brenda Kishës. Ata duhet të kenë çertifikatën, e cila tregon moshën reale të fëmijëve, gjimnazistëve dhe studentëve. Por sidomos për paragjimnazistët ne kërkojmë një deklaratë nga prindërit e tyre. Gjithashtu shuma e pagesës do të jetë 3000 lekë të reja dhe kjo është një shumë e arsyeshme për kushtet që kanë të rinjtë atje, por gjithashtu edhe për aktivitetet e ndryshme që zhvillohen brenda kampingut.

Cilat do të jenë disa nga aktivitetet brenda kampit?

Së pari do të sqaroj programin e kampingut, i cili ka natyrë shpirtërore por nuk mungon edhe argëtimi. Të rinjtë do të marrin pjesë në shërbesat e përditshme dhe ato të veçanta të Kishës. Do të ketë minuta meditimi, diskutime biblike si edhe orë të veçanta bisedash shpirtërore me klerikë dhe teologë të Kishës sonë. Vlen të përmend edhe mundësinë që u jepet të rinjve të papagëzuar, të cilëve u ofrohet një mundësi shumë e mirë për t’u përgatitur shpirtërisht dhe më pas për t’u pagëzuar në një nga ditët e kampingut. Sigurisht të rinjtë do të marrin pjesë edhe në aktivitete të ndryshme sportive ku një ditë do të jetë për lojërat olimpike. Një hapësirë e veçantë do të ketë për të rinjtë e talentuar në fushën e krijimtarisë ose të muzikës dhe siç është bërë traditë në fund të çdo kampi do të ketë edhe një festival me këngë dhe krijime nga vetë të rinjtë. Gjithashtu, në një nga ditët e kampit do të organizohet edhe një ekskursion. Një mendim është që këtë vit ai të bëhet në një vend malor, ndoshta në Dajt ose edhe në Llogara. Ideja është që ata të kenë afër detin, por edhe të shohin diçka piktoreske, në mënyrë që të rinjtë, të cilët do të marrin pjesë në këto kampingje, të mbeten të kënaqur.

Prandaj ftojmë fëmijët dhe të rinjtë që janë të interesuar të bëjnë kërkesën e tyre për të marrë pjesë në këto kampingje.

Intervistoi I. Koti