Nesër do të shkoj në Tempull. Aty do të jetoj një mister të madh, misterin që quhet Kishë. Pata ndërtuar një koncept shumë të gabuar. Kur përmendja fjalën kishë, mendja më shkonte në ndërtesën e bukur ose të thjeshtë, brenda së cilës dëgjohen lutjet dhe ofrohet tek besimtarët Hiri i Mistereve. Më vonë bëra një zbulim. Duke lexuar librin e Shenjtë të Veprave të Apostujve, pashë besimtarët e parë të mos kenë tempuj të mëdhenj dhe të zbukuruar mirë, të mos kenë as kisha të vogla dhe të thjeshta – si këto që kurorëzojnë majat e maleve dhe pushojnë në fushat tona, por të kenë një bashkim të shenjtë, që ishte i vërtetë, të cilin e quanin Kishë. Të mbledhur në të njëjtin vend “mbi të” formonin një trup të adhurueshëm, i cili rrethonte fronin e sakrifikimit të të Kryqëzuarit Bir të Perëndisë dhe të gëzonte praninë e Tij, e adhuronte dhe duke marrë pjesë në Potirin e Falënderimit, ushqehej me Trupin e Shenjtë dhe gjakun e çmuar të Tij. Kështu bëhej Trupi i vërtetë i Krishtit, Nusja e tij, për të cilën Ai dha Çmimin më të Çmuar, gjakun e Tij të Shenjtë.
Ky zbulim më tronditi. U hap përpara meje një realitet i ri. Realiteti, që quhet Kishë.
Jam dhe unë një i pagëzuar. Jam një i krishterë. Një i krishterë, si gjithë ata të krishterë të Kishës së parë.
Duke zbuluar Kishën, zbulova pozicionin tim. Nuk jam vetëm një ushtar në një ushtri të pafund. Me ushtrinë e të Kryqëzuarit, Krishtit tim, nuk më lidh vetëm emri i të krishterit dhe pranimi i përmbajtjes së porosive të Tij. Lidhem me Të shumë më ngushtë. Lidhem organikisht. Jam një anëtar i trupit të Tij “Ju jeni trupi i Krishtit dhe gjymtyrët e Tij veç e veç” (1 Kor. 12:27). Me pagëzimin tim u bashkova me atë. “Sa u pagëzuat më Krishtin, me Krishtin u veshët” (Gal. 13:27). Vesha Krishtin. U bëra një me Të.
Nesër do të jetoj formën më të fortë dhe më reale të këtij tensioni të bashkimit tim me Zotin dhe bashkimin tim në një trup me Kishën e Tij. Në tempull ku do të shkoj do të jenë mbledhur të gjithë anëtarët e saj. Do të marrë pjesë gjithë Trupi i Tij. Kisha e Tij “mbi të”. Dhe bashkë me Kishën e Tij do të marrë pjesë dhe vetë Kreu. Ai, që “dashuroi Kishën dhe veten e Tij e dha për të” (Efes 5:25).
Atë që do të jetoj nesër do të jetë “Kisha e Perëndisë më Krishtin”. Do të jetë mbledhja, të cilën Perëndia e fton, Darka, të cilën e përgatiti mbreti dhe i zoti i shtëpisë, i të gjithë krijimit dhe në të cilën do të marrin pjesë “të ftuarit” e Tij, për të marrë Hirin dhe gëzimin dhe të ofrojnë adhurim. I gjithë ky trup i shenjtë do të jetë nesër ndezur nga zjarri i dashurisë dhe i adhurimit.
Ai, duke ofruar Gjakun e Tij, do ofrojë dashurinë e Tij të shenjtë e të pafundme. Dhe ne, duke rrethuar fronin e Tij mbitokësor, Hieroren e Shenjtë, do të psalim me gjithë forcën që disponojmë himnet e përkushtimit dhe dashurisë sonë.
Kjo mbledhje, ky bashkim në një trup është një pjesë e mbretërisë së Tij. Është vetë mbretëria e Tij. Mbretëria e përjetshme që denjësohem t’i përkas dhe ta parashijoj që tani. Është një parashijim i gëzimit të përjetësisë në këtë tokë. “Unë ju caktoj mbretërinë, që ju të hani e të pini në tryezën time, në Mbretërinë time” (Ll. 22:29-30).
Liturgjia Hyjnore është garancia e mbretërisë. Në atë, gjithë Kisha shijon gëzimin e pranisë së Shpëtimtarit të saj.
Nesër në meshë do përjetoj ç’është dhe ç’do të thotë Kishë. Do të jetoj për pak kohë në shoqërinë dhe jetën Qiellore, dhe do të marr forcë që të jetoj si qytetar i Qiellit në jetën time në tokë. Dita ime e nesërme do të jetë një ditë e madhe!
Përktheu J. Terziu