EmailFacebookKontakt

Një jetë e kushtuar të afërmit

Së afërmi, Patriarkana e Konstandinopojës do të bëjë shenjtërimin e 4 francezëve me origjinë ruse: Murgeshës Nënë Maria Skobtsova dhe të bashkëpunëtorëve të saj të “Aksionit Orthodhoks”, që ajo kishte themeluar në Paris: At Dimitri Klepinin (1904-1944), Zhorzh Skobtsov (1921-1944) dhe Elia Fondaminsky (1880-1942). Më poshtë po japim disa të dhëna për këtë figurë tepër të veçantë, që e jetoi monakizmin e saj “në zemër të botës”, duke ndihmuar të varfrit në Parisin e viteve 30-40 dhe çifutët e përndjekur pas pushtimit gjerman. Ajo vdiq si martire në kampin e Ravensbrukut, duke dëshmuar deri në çastet e fundit besnikërinë e saj ndaj Krishtit edhe me çmimin e jetës së saj.

Ajo nuk e nisi jetën e saj afër besimit, përkundrazi. Me origjinë nga një familje aristokrate, ajo kishte bindje revolucionare të majta dhe u martua tepër e re me një intelektual me pikëpamje të ngjashme. Por u nda shpejt prej tij dhe pas Revolucionit të Tetorit emigroi jashtë vendit me burrin e dytë, Skobtsovin, që kishte qenë gjykatësi i saj dhe kishte marrë pjesë në Ushtrinë e Bardhë.

Duke kaluar nëpërmjet Konstandinopojës ata u vendosën në Paris, ku patën tre fëmijë, Gaianën, Jurin dhe Anastasinë. Humbja e vajzës së vogël ishte një goditje e tmerrshme për Marinë. Ajo e kishte humbur besimin kur i kishte vdekur i jati, që e kishte ndjerë si një padrejtësi, por kishte marrë njohuri teologjike, si bijë e një familjeje aristokrate. Tanimë një vdekje tjetër, iu duk si një apel për të nisur një jetë të pastër, kushtuar Perëndisë. Mes dhimbjes së saj ajo ndjeu të thirrej për një vepër që mund të quhet bamirësi dhe për ta kryer më mirë vendosi të bëhej murgeshë. Kjo u pranua dhe nga i shoqi. Ajo mori emrin Maria, në kujtim të Maria Egjiptianes, mëkatares së madhe që u bë shenjtore.

Ajo shërbeu brenda Kishës së emigrantëve rusë, që ishte mjaft aktive. Pa të ardhura, por falë shumë miqve, ajo mundi të blente një shtëpi. Ajo nuk mund të quhej manastir, sepse gjenin strehë lloj-lloj njerëzish, të pastrehë, të sëmurë të spitaleve psikiatrike, që askush nuk ua kuptonte gjuhën, gra me moral të dyshimtë, që i hiqte nga rruga etj. Nënë Maria vepronte kështu pasi mendonte se në një epokë të tillë, që ajo e quante apokaliptike, duhej sakrifikuar edhe konforti personal shpirtëror. Themelore ishte t’u qëndronte afër njerëzve, t’i ndihmonte, t’u ofronte dashurinë e krishterë.

Ajo nuk hezitoi të mbronte dhe ndihmonte hebrenjtë, pas fillimit të luftës. Ajo kishte një mik çifut, Elie Fondaminsky, i cili u pagëzua pas arrestimit dhe çuarjes në një kamp përqendrimi, që ndikoi shumë në këtë vendim. Ajo i strehonte hebrenjtë në shtëpinë e saj dhe me ndihmën e një prifti orthodhoks, u siguronte çertifikata pagëzimi fallco, që të mund të kalonin në zona të lira. Ajo mundi ta vazhdojë këtë ndihmë deri në vitin 1943, kur u tradhtua dhe Gestapoja arrestoi të birin, Jurin, sekretarin dhe priftin, At Dimitër Klepinin. Më pas arrestuan edhe atë, kur shkoi që t’i takonte.

Ka shumë dëshmi për qëndresën e saj në kampin e përqendrimit, ku ajo u jepte forcë gjithë të dënuarve të tjerë. E sëmurë, u dërgua në kampin e të sëmurëve terminale dhe nuk dihet se si mbaroi. Edhe gjatë qëndrimit në kamp ajo u dallua për energjinë e saj dhe gjithashtu, thurrte poezi kushtuar Perëndisë e besimit dhe pikturonte ikona etj.

Ajo mbetet e paharruar për ata që e njohën drejtpërdrejt, por edhe për ata që njohin veprën e saj, dhe do bëhet tashmë e afërt për të gjithë orthodhoksët, pas kanonizimit që pritet të bëhet.

Marrë nga SOP