Le të shikojmë një anë tjetër të temës sonë. Frika që vjen nga frika e së panjohurës. Një fëmijë, i cili ka humbur të atin nga një vdekje e papritur, ka frikë kur ndodhet në një ambient të panjohur. Humbja e papritur e babait i ka shkaktuar tronditje. Mbërrin koha e shkollës. Mjedisi i panjohur, në të cilin do shkojë pas pak, e tremb. E çojnë me zor. Ai, me përplasje këmbësh dhe duarsh, mundohet të kundërshtojë dhe është kaq i fortë kundërshtimi i tij sa as me forcë nuk mund ta fusin në klasë. I kënaqur qëndron në hyrjen e shkollës ku gjen me se të kalojë kohën.
Eshtë i kotë kërcënimi, lutja, premtimi. Mësuesja e takon sa herë është vetëm. Kjo përbën hapin e parë, se sigurohet kontakti me të. Hapi i dytë është hyrja në klasë, kur fëmijët e tjerë janë larguar. Pak nga pak mësohet me mjedisin e ri dhe fillon ta dojë. Tashmë ky mjedis është më pak i panjohur dhe fillon t’i lindë dëshira të bëjë siç bëjnë fëmijët e tjerë. Kjo dëshirë tashmë është e dukshme, por nuk vendos ta bëjë vetë. Në shpirtin e tij zhvillohet një luftë: lufta me veten e tij që do të hyjë dhe frika nga e panjohura.
Pikërisht në këtë çast ndërhyn mësuesja, me një mënyrë të vendosur si aleate e dobësisë së tij. Një përplasje tjetër këmbësh dhe pason fitorja. Fëmija e lë veten që të udhëhiqet. Dikush mund të thotë se u shërua, jo. Thjesht u bë një përparim. Shërimi fillon tani. Duhen gjetur anët e tij të mira dhe çfarë i pëlqen të bëjë me sukses. Këto gjëra e ndihmojnë të fitojë simpatinë e shokëve të tij dhe i shtojnë ndjenjën e sigurisë. Gëzimi i kënaqësisë zhduk frikën për të panjohurën dhe ndrojtja largohet. Fëmija është pjesëtar i klasës, por inati rishfaqet sa herë është në mjedis të panjohur. Në çdo rast të ri (emër, ditëlindje, ekskursion) krijon tek fëmija një kundërshtim këmbëngulës: vrenjtet, qan dhe nuk do të pasojë fëmijët e tjerë. Të gjitha këto shfaqje të reja të inatit do t’i përballojmë si në fillim: taktikë durimi dhe punë bindëse. Sa më shumë ndjenja e sigurisë forcohet në shpirtin e fëmijës, aq më shpejt largohet inati në rastet e reja.
Eshtë vërtetuar se inati është një gjendje e natyrshme dhe do ishte gabim të donim ta nënshtronim, por do ishte gjithashtu gabim nëse nuk do sillnim ndonjë kundërshtim, të linim këtë gjendje fiziologjike pa ndonjë kufizim. Njeriu duhet të jetë i lirë, por jo pa kufizim. Fëmija do dhe duhet diku të mbështetet se, ashtu si vjen në jetë me hap të pasigurtë, ashtu dhe kërkon njeriun që do t’i shërbejë si mbështetës dhe drejtues në jetë.
Si fillim le të theksojmë vlerën e bashkërendimit të energjive të gjithë atyre që merren me fëmijën. Nëse ky është kushti bazë i edukimit të mirë, atëherë është edhe rregulli i artë për luftën kundër inatit. Eshtë e domosdoshme që të gjithë brenda në shtëpi të kenë të njëjtin mendim: nëna, babai, gjyshërit, tezet, hallat etj. Fëmija duhet ta ketë të qartë se tek cilido që do drejtohet do ketë të njëjtën përgjigje. Kjo harmoni, ky unitet mendimi do ta ndihmojë të kuptojë të drejtën, do kuptojë se ky mohim nuk vjen nga tekat ose inatosjet e të rriturit.
Eshtë e njohur se rolin kryesor në edukim e luan personaliteti i edukatorit, themi edukatorët dhe përmbledhim prindërit dhe mësuesit. Personaliteti i pedagogut është thelbësor në rezultatin e rregullave të edukimit. Duhet shumë shkathtësi dhe durim. Dashuria për punën tonë do na japë fuqi. Shpesh do pyesim veten: Me ëmbëlsi apo me rreptësi? Edhe njëra edhe tjetra jepen për të zhdukur reagimin, por ajo që duhet është kombinimi i vazhdueshëm që fëmija të mos jetë në gjendje të paragjykojë qëndrimin e pedagogut. Nga ana tjetër marrëdhëniet e ngrohta midis fëmijës dhe mësuesit kanë rëndësinë e tyre.
Pikërisht mbi këto marrëdhënie do mbështetet sistemi i edukimit. Eshtë baza mbi të cilën do vendoset ëmbëlsia ose ashpërsia që do përdorim. Qetësia është një mjet që do na lejojë të gjejmë qëndrimin e duhur. Qetësia e pedagogut reflektohet tek fëmija, shpirti i tij mbetet i qartë dhe i jep mundësinë që të jetë i drejtë, në të kundërt nervozizmi do ketë si pasojë pakësimin e ndikimit të tij. Asnjë skenë inati nuk duhet të na nervozojë dhe të na bëjë të humbasim qetësinë. Gjëja tjetër, të cilën duhet ta kemi parasysh, është zbutja e egoizmit. Shpesh inati i fëmijëve shkakton inat tek të rriturit, ndalojmë së shqyrtuari rastin e fëmijës me dashuri dhe mirëkuptim dhe gjithë përpjekja jonë kthehet në mosrealizimin e asaj që do fëmija. Eshtë fjala për gabim thelbësor. Natyrisht, nuk do bëhet edhe e kundërta. Qëndrueshmëria do jetë karakteristika kryesore e pedagogut. Së fundi, duhet të theksojmë se asnjë rast nuk ngjan me tjetrin. Janë të ndryshme rrethanat dhe është detyrë e pedagogut të përshtatet dhe të japë mirëkuptim.
(vijon në numrin e ardhshëm)