Ishte një djalë i sjellshëm dhe i mirë. Duke u larguar nga shtëpia e tij në zonën e Atalisë, në jug të Azisë së Vogël, u rrëmbye prej pashait, i cili e islamizoi me mashtrim. Më vonë, madje, e martoi me të bijën, por prindërit e tij, shpresëtarë të pasur, të pangushëlluar, që më pas e kishin pikasur se ku ndodhej, iu lutën një shërbëtoreje të tij, Marias, e cila mori guximin dhe me takt, por edhe me frikë i kujtoi origjinën e tij. Menjëherë erdhi në vete!
Me pretekstin e pelegrinazhit, se gjoja ai do të shkonte në Mekë dhe ajo në Vendet e Shenjta, u takuan në Jerusalem. Atje shenjti u rrëfye dhe u kungua.
Mbas dy vjetësh, që të mos zbuloheshin, u shpërngulën në Krini (Çezmë), në bregdetin perëndimor të Azisë së Vogël. Gjergji u bë kafexhi dhe u martua me Eleni Mavrojanin.
Në kryengritjen greke të vitit 1821, asqerë turq, duke kaluar nëpërmjet Krinisë, shkonin përballë, për në ishullin Hio. Shenjti, që punonte atëherë si kujdestar i kuajve të guvernatorit, kur mësoi se do të kalonte edhe ish-vjehrri i tij, nuk pranoi të largohej si e këshilluan e shoqja dhe Maria, të cilën e kishte si nënë. Madje u kishte folur në një mënyrë enigmatike.
Pashai erdhi dhe Gjergji i shërbeu. Ai e njohu dhe e pyeti përse e braktisi gruan e djalin dhe u inatos porsa u përgjigj që ishte i krishterë. Në burg nuk u josh nga premtimet dhe për këtë e rrahën mizorisht dhe e mbyllën të palëvizur tek “druri” torturues. Një prift u përpoq ta ndihmonte dhe kështu u burgosën dy të krishterë, gjoja për borxhe, që të mbështesnin heroin. I dërgoi edhe Eukaristinë Hyjnore brenda një stafidheje. Më përpara e kishin torturuar duke i vënë në kokë një tenxhere të skuqur nga nxehtësia dhe i kishin derdhur vaj të përvëluar, por ai i poshtëronte! Para se ta varnin të patronditur (25.6.1823) bëri agripni tërë natën.
Gjatë tre netëve rojat e trupit të varur shikonin dritë mbi atë dhe klerikët, të cilët e temjanisnin, madje nuk mundeshin t’i kthenin dot fytyrën, sepse e mbante përherë të kthyer nga lindja. Përfundimisht, hebrenjtë, duke e zvarritur, e hodhën në det, por e nxori një kapiten i një anijeje greke dhe e çoi në Rusi. Vetë dëshmori i ri i kishte thënë Marias në ëndërr që ta quajnë detar dhe se Eleni do t’i lindte vajzë.