EmailFacebookKontakt

“dorezojme pishtarin”

Në muajin korrik do largohet nga vendi ynë prifti misionar nga SHBA At Luka Veronis, i cili së bashku me priftëreshën Fotini, kontribuoi për rreth 10 vjet për ringritjen e Kishës sonë. Pedagog mjaft i përgatitur në Akademinë Teologjike dhe në shumë fusha të tjera, ai u dallua veçanërisht për punën e palodhur me rininë, e cila dha mjaft fryte. Pranë kishte gjithmonë edhe priftëreshën Fotini, me të cilën krijuan këtu një familje, që ishte model për të gjithë. Ata janë pjesë e zemrave tona dhe përveç falënderimeve më të ngrohta, i vetmi urim që dëshirojmë t’u themi është: “Faleminderit!”

Nga At Luka Veronis

Një dekadë e veçantë kanë qenë këta 10 vitet e fundit! Kur unë vizitova Shqipërinë për dy javë në maj të 1993-shit, pashë shenjat e ngjalljes – unë pashë një vend të çliruar nga dekadat e komunizmit ateist, pashë një rini entuziaste të hyjë në kishë pas 23 vjetësh mbylljeje, takova besimtarë të vjetër, të cilët praktikonin besimin që ruanin në zemrat e tyre, pashë fillimin e rindërtimit e restaurimit masiv të kishave dhe takova shumë njerëz me shpresë për një të ardhme më të mirë.

U riktheva në Shqipëri në janar 1994, për t’u bërë pjesë e kësaj familjeje kishtare që po rritej. Si një teolog dhe misionar, shpresoja të mbillja farat e besimit tek çdo njeri që takoja, të kultivoja orthodhoksinë tek besimtarët e rinj dhe të edukoja studentët dhe të rinjtë e Akademisë Teologjike në Durrës, të rinjtë e Universitetit të Tiranës dhe të grupeve të ndryshme rinore të disa qyteteve të Shqipërisë.

U martova me Fotininë, në gusht të vitit 1994 dhe ajo u bashkua me familjen tonë kishtare, duke ofruar dëshminë dhe talentet e saj në shërbim të Jisu Krishtit dhe Kishës së Tij të dashur këtu. Gjatë vitit të parë, midis shumë kujtimeve të veçanta, përjetuam një nga çastet më të rëndësishme të jetës sonë – dorëzimi im si prift nga Fortlumturia e Tij Anastasi, në kishën e Ungjillëzimit në Tiranë, më 18 tetor 1994. Ishte me të vërtetë një nder i veçantë, që u dorëzova nga njëri prej hierarkëve më të respektuar në botë.

Çdo vit që pasoi, ofroi kujtime të reja dhe të çmuara për të dy ne. Jo vetëm që krijuam miqësi të paçmuara, në mënyrë të veçantë me studentët e të rinjtë, por mund të them që me të vërtetë pak nga pak u bëmë pjesë e Shqipërisë dhe gjithnjë e më shumë e ndjemë Shqipërinë si vendin tonë.

Mirënjohje për të gjithë

Ne erdhëm në Shqipëri me përulësi, duke ditur që së pari duhet të mësojmë nga të tjerët. E dinim që Shqipëria ishte vendi i shenjtorëve dhe martirëve, dhe u ndjemë me të vërtetë të bekuar kur takuam disa nga “shenjtorët e gjallë” gjatë viteve tona të para. Vizitat tona në shtëpinë e motrave Cico në Korçë janë ndër kujtimet më të paharrueshme. Ne dëgjuam historitë e kurajos dhe të besimit, se si Dhimitra, Marika dhe Berta na treguan si ato e ruajtën besimin e tyre të gjallë gjatë viteve të komunizmit. Takuam At Kozma Qirjon nga Vlora dhe u frymëzuam nga zelli dhe besnikëria e tij. Respektuam ata që kishin vuajtur në burg dhe që nuk e kishin mohuar besimin. Ishim të bekuar kur njerëz nga brezi më i ri, si Papa Jani Trebicka dhe i riu Joan Pelushi, ndanë me ne përulësisht përvojën e tyre të besimit.

Sigurisht, e dinim që po jetonim në një vend të shenjtë, por gjithashtu dinim që shumë punë nevojitej për ngjalljen e besimit të hershëm, për kultivimin dhe edukimin e besimit në brezin e ri! Kështu, punuam hap pas hapi me shqiptarët besimtarë, së bashku me misionarët e tjerë nga Greqia dhe Amerika.

Gjatë këtyre 10 vjetëve të shkuara, gëzimi ynë më i madh buroi kur pamë se si Ungjilli i Jisu Krishtit u mboll dhe u rrit në zemrat e shumë njerëzve. Kryepiskopi Anastas na tha të përqendroheshim në mënyrë të veçantë tek të rinjtë e studentët, sepse ata ishin shumë të hapur për të pranuar Ungjillin. Jemi përpjekur të ofrojmë me besnikëri një dëshmi të krishterë me jetën tonë, në shoqëritë tona, si dhe me fjalët tona. Jam i sigurt që kemi dështuar ndonjëherë, duke zhgënjyer disa, por ende shpresojmë që të tjerët mund të shohin dashurinë tonë të sinqertë për Krishtin, për Kishën e Tij dhe për njerëzit e tij këtu në Shqipëri.

Lavdi Zotit, tani mund të themi se kemi parë frytet nga përpjekjet e shumë punëtorëve të kishës. Veçanërisht nuk do të harrojmë kurrë zellin e të rinjve – të rinjtë e Tiranës që protestuan për rikthimin e kishës së Shën Prokopit, studentët e seminarit që qëndruan gjithë natën duke u lutur në shërbesën e agripnisë për rikthimin e manastirit të Ardenicës, të rinjtë që predikuan Ungjillin në shumë fshatra të Shqipërisë, të rinjtë që shfaqën dashurinë e Krishtit në mënyrë konkrete gjatë krizës së 1997 dhe luftës në Kosovë dhe të rinjtë që zbuluan me të vërtetë “margaritarin me vlerë të madhe” në kampet dhe aktivitetet e ndryshme.

Nuk mund të harrojmë kurrë qindra e qindra pagëzime që unë kam bërë, sidomos me të rinjtë dhe me të rriturit. Kam pagëzuar shumë njerëz në të njëjtën kohë në fshatra të ndryshme, të rinj nga familje orthodhokse, komuniste ose jo të krishtera dhe shumë studentë nga universiteti. Një nga kujtimet tona më të habitshme është të shohësh sesi të rinjtë që pranuan Krishtin në jetën e tyre, më vonë drejtuan prindërit dhe madje gjyshërit në pagëzim. Të rinjtë po mësonin brezat më të vjetër për besimin dhe shpresën.

Qyteti Studenti në Tiranë do të jetë gjithmonë një tjetër kujtim unik për ne. Gjatë këtyre viteve qindra studentë të universitetit janë mbledhur çdo javë tek kinoklubi të diskutojnë për besimin dhe të zbulojnë Perëndinë. Kujtoj një të enjte në mëngjes, në nëntor të vitit 1998, kur 65 studentë u grumbulluan në orën 6:30 të mëngjesit në një dhomë të ftohtë, dritaret e së cilës i kishin xhamat e thyera. Ndërsa po kryenim Liturgjinë Hyjnore, për një moment hodha vështrimin nga studentët dhe pyeta veten: “Si ka mundësi që 65 të rinj zgjohen kaq herët në mëngjes për të adhuruar Perëndinë? Tetë vjet më parë emri i Perëndisë ishte i ndaluar të kujtohej në këtë universitet dhe në gjithë vendin. Tani, në qendrën intelektuale të Shqipërisë ne kemi të rinj që çohen kaq herët në një mëngjes të ftohtë t’i luten Perëndisë dhe të bashkohen me Të nëpërmjet Kungimit të Shenjtë.” Për mua, kjo është një nga mrekullitë më të mëdha që kam parë gjatë këtyre viteve!

Isha këtu gjatë gjithë kohës së krizës së 1997-s, së bashku me ata pak të huaj që qëndruan këtu, duke u përpjekur të ofrojmë shpresë në një vend anarshie dhe dëshpërimi! Unë dhe Fotinia ishim këtu gjatë vitit 1999, kur 400 mijë refugjatë të ardhur nga Kosova hynë në Shqipëri. Mobilizuam të rinjtë dhe besimtarët t’i përgjigjen krizës së tmerrshme me dashurinë pa kushte dhe të bollshme të Krishtit! Gjithashtu, pamë sesi Perëndia e përdori tragjedinë për të hapur një derë ku Kisha të ofrojë një dëshmi të dashurisë. Gjatë çdo krize, u ndjemë të bekuar, që të jemi pjesë e një familjeje kaq dinamike të krishterë, të drejtuar nga bariu ynë i frymëzuar, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas.

Ende kemi shumë kujtime të tjera. Për shembull Fotinia, si një grua e re, një priftëreshë dhe nënë, u frymëzua nga jeta dhe shembulli i disa priftëreshave dhe grave që drejtojnë grupet në kishë. Durimi sakrifikues, dashuria e pakufishme për familjen e tyre dhe përkushtimi i tyre ndaj Krishtit dhe Kishës së Tij ka ofruar për të shumë kujtime.

Gjithashtu nuk mund të harrojmë kurrë të varfrit dhe nevojtarët. Ata na kanë mësuar dhe bekuar më shumë se çdo gjë që ne jemi përpjekur të bëjmë për ata. Fatkeqësisht, nuk mund t’i shkruajmë këtu të gjitha kujtimet tona.

Unë e Fotinia, së bashku me fëmijët tanë, dëshirojmë t’i falënderojmë të gjithë nga thellësia e zemrës, për dashurinë, miqësinë, shembullin dhe kujtimet e paçmuara që na dhanë. Falënderojmë Perëndinë e gjithëfuqishëm për secilin, dhe gjithmonë do t’i mbajmë në lutjen tonë!

Kohë për t’u larguar dhe për të dorëzuar pishtarin

Pas më shumë se dhjetë vjetësh në Shqipëri, ka ardhur koha të largohemi. Nuk do të jetë e lehtë për ne të largohemi nga atdheu ynë i adoptuar, edhe pse kthehemi në Amerikë për t’u kujdesur për përgjegjësinë familjare që kemi atje.

Ndërsa po përgatitemi për t’u larguar në korrik, po kujtoj këshillën që Shën Pavli i dha birit të tij shpirtëror dhe dishepull, Timoteut: “Ti pra, biri im, forcohu në hirin që është në Krishtin Jisu, dhe ato që dëgjove nga unë përpara shumë dëshmitarëve, jepua njerëzve besnikë, që do jenë të aftë të mësojnë edhe të tjerë.” (2 Tim. 2:1-2)

Si misionarë, ne duhet t’i kujtojmë gjithmonë këto fjalë. Që nga çasti që hyjmë në një vend të ri e jetojmë me njerëz dhe kulturë të ndryshme, nuk duhet të harrojmë kurrë një nga qëllimet më të rëndësishme të shërbimit tonë – të përgatisim njerëz deri në atë pikë sa mund të vazhdojnë punën tonë.

Qëllimi i ardhjes sonë në Shqipëri ishte pikërisht të gjejmë njerëz të hapur për Ungjillin, që do të rriten në njohuri, marrëdhënie dhe përkushtim ndaj Jisu Krishtit dhe Kishës së Tij dhe që në të ardhmen do të vazhdojnë të bëjnë çdo gjë që bëmë dhe ne.

Perëndia i thërret misionarët të jenë prindër të urtë, që u ofrojnë fëmijëve të tyre shpirtërorë dy nga dhuratat më të mëdha të jetës – rrënjët dhe krahët. Së pari, ne kultivojmë dhe mbjellim farat tek besimtarët e rinj – farat, të cilat rriten e bëhen rrënjë të themeluara fort në Krishtin Jisu dhe Kishën e Tij Orthodhokse.

Sidoqoftë, vjen koha kur misionarët duhet të kuptojnë që ata e kanë përmbushur qëllimin. Atëherë, ne duhet të mësojmë të respektojmë dishepujt tanë të rinj, duke i lejuar ata t’i përdorin krahët e tyre dhe të fluturojnë vetë.

Kryepiskopi Anastas na tregoi një vizion të ngjashëm kur ne erdhëm në Shqipëri më 1994. Në fillim, unë jepja mësim në seminar, punoja me studentët e universitetit dhe ndihmoja në drejtimin e lëvizjes rinore. Priftëresha Fotini filloi me shërbime të ndryshme – ndihmë në përgatitjen e programeve mësimore të kopshteve, ka dhënë anglisht në Akademinë Teologjike dhe në qendrën rinore në Tiranë etj. Gjatë tre viteve të fundit, është organizatorja dhe drejtoresha e Zyrës Kombëtare të Fëmijëve Orthodhoksë dhe e programit të kampit veror të vajzave. Kryepiskopi na tha të përgatisim djem dhe vajza, të cilët do të marrin përsipër pozitat drejtuese. “Një ditë ju do të largoheni, – tha Ai. – Kush do të vazhdojë kur ju të jeni larguar?”

E kuptojmë që ka ende nevojë për misionarë që të përgatisim udhëheqës të tjerë, por për ne ka ardhur koha të largohemi. Lavdi Zotit që në një pjesë të shërbimit tonë kemi parë të rinj të rritur në besim, dinamikë e udhëheqës të përkushtuar. Në njerëz të tillë e dorëzojmë pishtarin e besimit dhe të përgjegjësisë.

P.sh., ndihemi mirë për programin e kampit veror të vajzave “Bariu i mirë”, në Shën Joan Vladimir. Çdo vit, 300 vajza marrin pjesë në një program të veçantë me aktivitete shpirtërore, artistike, sportive e kulturore. Që t’u shërbehet në mënyrën e duhur, kemi përgatitur udhëheqëse dinamike dhe një grup shumë të aftë prej 25 vajzave drejtuese. Lavdi Zotit që Akademia Teologjike “Ngjallja e Krishtit” ka shërbyer si një vend i shkëlqyer për përgatitjen e tyre. Këto vajza të reja, që kanë studiuar aty, i kemi përgatitur me themelin e duhur teologjik, me një jetë të fortë shpirtërore dhe me një mënyrë praktike për t’u shërbyer kampisteve. Tani, ato mund ta zhvillojnë kampin vetë!

Një shembull tjetër pozitiv ka qenë në drejtimin e Zyrës Kombëtare të Fëmijëve. Në këtë punë, dy nga seminaristet më të mira të diplomuara kanë kryer rolin e tyre si koordinatore në një mënyrë krijuese, serioze e me përgjegjësi. Me shumë aftësi, ato organizojnë aktivitete për Pashkët, Krishtlindjet etj., në më shumë se 15 kampe ditore verore e një program katekizmi çdo javë në kishën e Ungjillëzimit në Tiranë.

Gjithashtu, shërbimi në Universitet koordinohet nga të tjerë, të diplomuar nga Akademia jonë.

Ka edhe fusha të tjera të udhëheqjes në Kishë që ende kanë nevojë për kultivim dhe edukim. Lavdi Zotit që kemi të tjerë, që vazhdojnë të ofrojnë urtësinë dhe përvojën e tyre. Sa për tani, koha jonë në Shqipëri mbaroi. Erdhi koha të dorëzojmë pishtarin tek këta të rinj dhe të jemi ambasadorë të Krishtit dhe të Kishës së Shqipërisë në Amerikë dhe në gjithë botën. Ju lutemi, lutuni për ne.

Tiranë, qershor 2004