Nga data 1-4 qershor 2004 u mbajt në Hanovër të Gjermanisë, për herë të parë në një sesion të plotë, pas zgjedhjes së tij në dhjetorin e kaluar, Presidiumi i Konferencës Evropiane të Kishave. Në këtë mbledhje merrte pjesë dhe Kryepiskopi Anastas, si Zëvendëspresident i kësaj organizate.
Detyra kryesore e këtij sesioni ishte implementimi i disa prej vendimeve, të cilat ishin marrë në mbledhjen e Komitetit Qendror të KEK-ut dhjetorin e kaluar. Midis të tjerave, Presidiumi shqyrtoi dhe propozimet e bëra për mbajtjen e Asamblesë Ekumenike Evropiane, çështje që lidhen me rifigurimin e lëvizjes ekumenike dhe me procedurat që duhen për të kryer zëvendësimin e Sekretarit të Përgjithshëm të KEK-ut, i cili do të tërhiqet në fund të vitit 2005 nga kjo detyrë.
Gjatë vizitës së tij në Hanovër vizitoi dhe Akademinë Teologjike të Lokumit, e cila është dhe një nga akademitë më me emër në Gjermani dhe aty pati rastin që të tregonte në praninë dhe të gazetarëve të disa nga gazetave më prestigjoze të Gjermanisë mbi arritjen e Kishës Orthodhokse në Shqipëri dhe të përpjekjeve që po bën vendi ynë për t’iu bashkuar familjes së madhe Evropiane.
Këto dy çështje dhe të tjera, ai i analizoi dhe më hollësisht në një nga intervistat që i dha radios NDR1, e cila kishte më shumë se 4 milionë dëgjues në gjithë Gjermaninë Veriore.
Pyetjes së gazetarit mbi këmbënguljen e Kishave të Evropës, që në Kushtetutën Evropiane të saj të përmenden vlerat e krishtera, Kryepiskopi Anastas iu përgjigj: “Evropa nuk mund t’i humbasë rrënjët e saj, është detyrë dhe e Evropës së Bashkuar që të mos i harrojë ato. Krishterimi i jep më shumë dinjitet dhe moral Evropës, e frymëzon atë me frymën e ripërtëritjes dhe të ringjalljes”.