Për të marrë një formim më të avancuar në mësimdhënien e besimit tonë orthodhoks, në mesin e muajit maj u organizua në Shtëpinë e Rinisë Orthodhokse “Bij të Dritës” në Tiranë një program trajnues njëditor nën drejtimin e Nathan Hoppe dhe Ekaterina Papadhopullit. Në këtë trajnim morën pjesë disa studentë, aktivistë të rinisë së kryeqytetit, të cilët janë angazhuar në programin e mësimdhënies për fëmijët që ka filluar në kryeqytet në muajin mars dhe do të funksionojë në vazhdimësi. Pas prezantimit të programit, znj. E. Papadhopulli foli për përvoja konkrete të mësuesve katekistë dhe tregoi disa nga mënyrat më efikase për t’i tërhequr të rinjtë në programet e organizuara nga Kisha jonë.
“Mësuesit duhet të kenë synim të vazhdueshëm kudo dhe në çdo kohë për të përhapur Fjalën e Perëndisë tek nxënësit e tyre. Duhet të përpiqemi të kemi një identitet ashtu sikurse dishepujt e Krishtit dhe përgjegjësia jonë është të lutemi tek Perëndia, të qëndrojmë në besim dhe të jemi të disponueshëm sepse Perëndia përdor ata që duan dhe duhen” – theksoi znj. Papadhopulli.
Në vazhdim të rinjtë sollën përvojat e tyre të para si katekistë në programin e fëmijëve. Ata hodhën ide të ndryshme mbi zgjerimin e këtyre aktiviteteve dhe pjesëmarrjen e sa më shumë fëmijëve në to. Përhapja e informacionit për organizimin e veprimtarive të tilla nga Kisha jonë, biseda me prindërit, organizimi i aktiviteteve të veçanta dhe interesante, nxitja e fëmijëve për të ftuar shokët e tyre, janë disa nga mënyrat më efikase për kujdesin shpirtëror tek fëmijët. Por shumë rëndësi ka edhe përgatitja e vetë katekistëve për të qenë dinjitozë dhe të përshtatshëm me nxënësit e tyre dhe kjo mund të arrihet me lutje, studim biblik, shkëmbime përvojash etj. “Ne na ka dhënë shumë talente Perëndia, ndaj duhet t’i përdorim ato për lavdi të Tij. Një nga këto dhurata është edhe mësimdhënia, e cila merr një rëndësi më të madhe kur drejtohet në mësimin e rrugës së Zotit Krisht dhe pjesëmarrjes tek Ai” – theksoi gjatë bisedës prof. Nathan Hoppe.
Gjatë trajnimit studentët pjesëmarrës mësuan si duhet të transmetojnë dëshirinë tek nxënësit, organizimin e orëve të mësimit, hapat për të plotësuar nevojën e nxënësve, parimet e kujtesës si dhe mënyrën për të ngjallur kureshtjen. Në fund të këtij aktiviteti pjesëmarrësit diskutuan mbi konkluzionet e trajnimit për detyrat dhe përgjegjësitë si katekistë.
Sipas organizatorëve, programi i mësimdhënies në katekizmin e krishterë orthodhoks do të marrë përmasa edhe më të gjera në të ardhmen. Të tilla trajnime do të zhvillohen në disa qytete të Shqipërisë.
Sepse vetë Krishti iu tha nxënësve të Tij: “Shkoni dhe bëni dishepuj në të gjithë kombet”, dhe kjo thirrje drejtohet për të gjithë ata që kanë pranuar Krishtin në zemrat e tyre dhe këtë dashuri duhet ta përcjellin edhe për të tjerët, në mënyrë që të gjithë bashkë të udhëtojmë drejt Perëndisë.