EmailFacebookKontakt

Përsëri për cënimin e drejtësisë në Përmet

Presidentit të Republikës Z. Alfred Moisiu
Kryeministrit të Shqipërisë Z. Fatos Nano

Të nderuar zotërinj,

Ne bashkatdhetarët e poshtëshënuar me banim në Boston kemi ndjekur vazhdimisht problemin e kalimit të pronësisë së kishës së Shën Marisë në Përmet, Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Sot jemi në një moshë të thyer dhe gjatë jetës sonë në Shqipëri kemi shkuar shumë herë në Përmet, me shërbim e në raste gëzimi e hidhërimi dhe jemi dëshmitarë okularë të ekzistencës në qendër të qytetit të kishës aq të vjetër e të bukur të Shën Marisë së Pazarit dhe këtë e themi me bindje, me ndërgjegje e me zemër, ashtu si çdo njeri në këtë botë është i bindur për lindjen e diellit.

Duke u bazuar tek dokumentet origjinale dhe tek dëshmitë e besimtarëve orthodhoksë të Përmetit, të cilët kanë marrë pjesë në Liturgjitë Hyjnore në këtë kishë dhe kanë kryer aty shërbimet e pagëzimit, kurorëzimit dhe vdekjes së të afërmve të tyre, me të drejtë gjithë instancat gjyqësore deri në shtator 2003 ia kanë dhënë pronësinë e kësaj kishe, Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Por ja që disa gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, me vendimin e datës 14.10.2003 kryen një padrejtësi të pashembullt në 12 vjetët e rivendosjes së demokracisë në vendin tonë. Ata, duke mos marrë parasysh faktin real të ekzistencës së saj, dokumentet, dëshmitë, dosjet e gjyqeve të zhvilluara më parë, por duke u bazuar vetëm tek dokumentet fallso, dhe këtë e themi me plot gojën dhe bindjen tonë, ia mohuan pronësinë e kësaj kishe, Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Kështu organi i lartë gjyqësor i shtetit vendos përsëri mbylljen e një kishe, duke përsëritur atë që ndodhi në vitin 1967 në regjimin komunist.

Me anën e kësaj letre drejtuar juve zoti President dhe zoti Kryeministër ne kërkojmë ndërhyrjen me autoritetin tuaj për rishikimin e vendimit të Gjykatës së Lartë për këtë problem, duke ia rikthyer Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë pronësinë e kishës “Shën Maria” e Pazarit. Me zërin tonë bashkohen edhe shumë shqiptaro-amerikanë të ardhur në Boston rreth viteve ’30-’40, të cilët janë dëshmitarë të ekzistencës shekullore të kësaj kishe dhe e quajnë vendimin e Gjykatës së Lartë të barabartë me mbylljen e kishave më 1967. Në të kundërt ne do të ngremë zërin tonë pranë organeve specifike të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, pranë UNESKO-s në Paris, Strasburg e kudo për të anuluar atë vendim që kryekëput nuk i përgjigjet realitetit.

Shprehim bindjen tonë se ndërhyrja dhe ndihma juaj do të jetë efikase, duke qetësuar kështu shpirtrat e gjithë besimtarëve të vendit tonë.

Me konsideratën më të lartë:

Aleko Dhima, Polikron Trebicka, Gaqo Baze, Persefoni Frashëri, Dhimitër Shosho, Orges Simeoni, Zhani Plasa, Guri Stefani, Pandeli Dhima, Helena Dede, William Anastas, William IR. Anastas, Naun Pandeli, Violeta Pilika, Maria Baze, Praksithe Gorozhani, Irini Dhima, Vasiliqi Abdoli, Gjergji Trebicka, Tomi Trebicka, Piter Minari, Llazar Kostandini, Natalia Kostandini, Anastas Prifti, Vasil Caci, Fillota Shosho, Vrisisha Shosho, Vangjo Polena, Gjergji Bixho, Kristo Pandeli.