EmailFacebookKontakt

Beko kërkimin tonë…

“Unë do t’i lutem Zotit në çdo kohë; lavdërimi i tij do të jetë gjithnjë në gojën time” (Ps. 34:1)

I bekuar qoftë emri Yt, o Zot, për dhuratat e Tua të panumërta, të cilat ne rrallë i vlerësojmë, sepse i quajmë si të sigurta; për shëndetin, lirinë, edukimin; për këtë universitet të nderuar, me lidershipin e tij të shkëlqyer, fakultetet, stafin dhe studentët; për njerëzit që na rrethojnë me dashurinë e tyre; dhe mbi të gjitha, për privilegjin që na është bërë për të ardhur tek Ju. Ne ju falënderojmë dhe ju lavdërojmë.

Forcona, Perëndi dhe Ati ynë, besimin tonë, që ndonjëherë lëkundet. Beko kërkimin tonë për liri, njohuri, dituri dhe kuptim të jetës. Çlirona nga egoizmi individual, kolektiv apo shoqëror – dhe na afro tek Vetja, Ju që jeni Dashuria, Ju që përqafoni tërë krijesën me mëshirën Tuaj pa fund. Bëj që fjala jote, e Zotit të kryqëzuar dhe të ngjallur, të udhëheqë dhe frymëzojë çdo ditë jetët tona dhe Shpirti i Shenjtë të na ndriçojë dhe të na forcojë, duke na dhënë dashuri, gëzim dhe paqe.

Zot, në harenë e festimit të sotëm, nuk mund të harrojmë, se në botën ku jetojmë konflikte të dhunshme, akte terroriste, padrejtësie dhe hakmarrjeje lëndojnë njerëzimin dhe se miliona njerëz të çdo moshe rrojnë në varfëri të tmerrshme dhe dhembje.

Perëndi i mëshirshëm, lehtëso dhembjen që shfaqet kudo në botë. Falna ndjeshmëri, që të shpejtojmë në çdo kohë të ndihmojmë atje ku ka përpjekje drejt bashkëpunimit, kuptimit dhe pajtimit midis popujve, të afërt apo të largët.

Falna paqen Tuaj gjithëpërfshirëse: Paqe me Ju, paqe me vetveten, me njerëzit e tjerë, me ata që i kemi afër ose larg, paqe me të gjithë krijesën.

Bëna krijues, të ndershëm, të gatshëm për të punuar për progres, drejtësi dhe solidaritet në të gjitha nivelet, lokal dhe global.

Bekona, o Zot, që ta ndjejmë praninë Tënde çdo ditë dhe që të mund të jemi një nga rrezet e Tua, duke sjellë dritë, shpresë dhe dashuri të vërtetë. Amin.

(“Lutje” (Invocation), mbajtur nga Kryepiskopi Anastas në stadiumin e Universitetit të Bostonit)