Fëmijë shpresëtarësh nga Ukraina, studioi shkrimet e shenjta dhe më pas u rekrutua si ushtar në luftën ruso-turke (ndoshta viti 1711). U zu rob nga tartarët dhe u shit tek një qeveritar otoman i Prokopit të Kapadhokisë. Qeveritari e torturoi shumë, por nuk arriti t’ia ndryshojë besimin, si robërve të tjerë. Më në fund u lodh dhe iu dhimbs për trimërinë, ndaj e lëshoi dhe e lejoi të banojë në stallë dhe të kujdesej për kuajt.
Në stallën ku banonte, ashtu si edhe në kishën e afërt të Shën Gjergjit, ku shkonte fshehtaz natën, ushtrohej me kreshmë, agripni dhe lutje. E përbuznin deri sa bëri mrekulli. Kështu, ndërsa zotëria ndodhej në Mekë, në falje falënderimi për pasurimin e tij të papritur (që i dedikohej Joanit), gruaja e tij shtroi një gosti për kthimin shëndoshë të tij. Në një çast, ajo shprehu dëshirën e parealizueshme, që edhe i shoqi të mund të hante nga pilafi i tij i preferuar. Oshënari, që i shërbente banketit, kërkoi një pjatë që t’ia dërgonte. Të tjerët qeshën, se menduan se robi e donte për vete dhe ia dhanë. Joani shkoi në stallë, u lut, e pastaj u kthye e tha (përsëri i shoqëruar nga talljet), se e dërgoi pjatën!
Kur u kthye qeveritari, solli me vete edhe pjatën metalike (ku ishte e stampuar emblema e tij), të cilën e kishte gjetur duke lëshuar avull mbi tryezën e tij në të njëjtën kohë që bëhej gostia. Që atëherë, e liruan dhe e nderonin si shenjtor. Por ai vazhdonte të jetonte asketisht në stallë. Paranjohu fundin e tij dhe pasi u kungua me Falënderimin Hyjnor, që ia sollën brenda një molle, fjeti më 27 maj 1730. Mbas tre vjetë e gjysmë, trupi i tij tashmë mrekullibërës u transferua i papritur në Kishën e Shën Gjergjit. Më 1832 vandalë turq e hodhën lipsanin në zjarr, por mbeti i padëmtuar, ndërsa oshënari u shfaq e i dëboi.
Më 1845, të krishterët e shpunë në një kishë të porsaridërtuar, por përsëri e gjenin në Shën Gjergj, derisa u lutën tek omologjeti dhe ai ra dakord. Gjithashtu, shpëtoi nxënësit kur u shemb shkolla, zbuloi një vrasëse, paralajmëroi dhe shpëtoi nga kusarët një pelegrinin e tij nga Mali i Shenjtë.
Pas vitit 1922, kur të krishterët u dëbuan nga Turqia, lipsani i tij shumë i njohur bën mrekulli në ishullin Evria, në Greqi.
At Justini