EmailFacebookKontakt

Një dhuratë e vyer për qytetin me tradita të Shkodrës

Sot përkujdesja ditore «Lindja e Krishtit» e hapur me kujdesin dhe kontributin e Kryepiskopit Anastas, është nga kopshtet private me numër më të madh fëmijësh në të gjithë Shkodrën (pavarësisht nga mjediset e kufizuara që ka në dispozicion). Përkujdesjen e frekuentojnë 50 fëmijë të ardhur kryesisht nga familje të varfra të të trija komuniteteve fetare. Prania në këtë kopsht e fëmijëve jetimë si pasojë e gjakmarrjes (të «lirë» nga «besa e gjaksit») të femijëve të prindërve me një nivel qesharak të ardhurash financiare, të fëmijëve të prindërve invalidë flet më së miri për realizimin e kritereve të hapjes së përkujdesjeve.

Në mjediset e saj gjen punime të fëmiëjve, ku duket qartë aftësia e tyre, por edhe dëshira për t’u bërë qytetarë të mirë (gjithnjë në dritën e Perëndisë). Dëshirat dhe prirjet e tyre stafi pedagogjik i kopshtit i stimulon me rrugë dhe forma psiko-pedagogjike. Me punimet e thjeshta të tyre janë shpërndarë urime në ditët e mëdha, për ditëlindjet e tyre dhe janë sistemuar në formën e ekspozitave të vogla për të stimuluar kështu femijët, por dhe familjet e tyre.

L.T.