EmailFacebookKontakt

Besimtarët orthodhoksë i festuan Pashkët në kishën e re «Lindja e Krishtit»

SHKODER

Besimtarët orthodhoksë i festuan Pashkët në kishën e re «Lindja e Krishtit»

Ditët e mëdha të Pashkëve, të triumfit të jetës mbi vdekjen, në Shkodër, mbas shtatë vjet pritjeje u festuna natën në kishën e re «Lindja e Krishtit», dhuratë e çmuar e Perëndisë dhe e kujdesit të Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij Anastasit.

Besimtarët orthodhoksë e nisën kremtimin e shërbesave dhe Liturgjisë natën, në orën 11:00. Mesha e Shenjtë u celebrua nga at Aleksandër Petani. Me interes të veçantë u ndoq leximi i Përshëndetjes që Fortlumturia Anastas iu drejtoi besimtarëve, e cila u transmetua dhe në mediat lokale.

Desh Perëndia që në këtë natë të Shenjtë të afroheshin në shtëpinë e Zotit si asnjëherë tjetër besimtarët orthodhoksë, por dhe besimtarët e dy komuniteteve të tjera të Shkodrës, traditë kjo e forcës unitetit dhe mbijetesës së Shkodrës. Çastet e mëdha të urimeve dhe të përpjekjeve të vezëve të shoqëruara me «Krishti u Ngjall! Vërtet u Ngjall!», janë të papërshkruara. Këto ishin mrekulli që iu dha Perëndia njerëzve, për të larguar dyshimin, pasigurinë, me bindjen se vetëm me Hirin dhe Dritën e Perëndisë vjen bashkimi, paqja, qetësia që e dëshirojnë të gjithë, në veçanti Shkodra.

Mbas Liturgjisë Hyjnore njerëzit u shpërndanë me qirinjtë e ndezur në duar, për ta shpënë dritën e pashuar në shtëpitë e tyre dhe kjo nuk ishte pak për Shkodrën.

Diën e diel at Aleksandër Petani dhe këshilli i kishës pritën në mjediset e saj vizita të shumta nga përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare, përfaqësues më të lartë të pushtetit vendor, të forcave politike, deputetë, si dhe nga njerëz të thjeshtë. Të gjithë largoheshin me vezën e kuqe, simbolin e festës së Shenjtë dhe urimin: “Krishti u Ngjall!… Vërtet u Ngjall!»

Luiza Trebicka