EmailFacebookKontakt

Kryepiskopi pret urimet e Pashkëve

Tiranë

Kryepiskopi pret urimet e Pashkëve

Ato nisën me vizitën e Kryeministrit, Z. Fatos Nano, së bashku me bashkëshorten, ditën e shtunë, 10 prill, për të dhënë urimet e Pashkëve.

Ndërsa në paraditen e 11 prillit, ditën e Pashkës së Madhe, në Kryepiskopatën e Hirshme në Tiranë, Kryepiskopi Anastas priti urimet e rastit. Në sallën e pritjes atmosfera ishte e ngrohtë dhe festive. Në hyrje ishin vendosur katër të rinj me kostume popullore karakteristike nga disa treva të vendit tonë të cilët iu shpërndanin të ftuarve simbolin e Pashkës, vezën e kuqe. Ndërsa përballë sallës së pritjes ndodhej kori i të rinjve dhe kuarteti i Radios “Ngjallja”, të cilët e bënin edhe më të ngrohtë ambientin me këngët dhe meloditë muzikore.

I pari nga autoritetet shtetërore erdhi për të uruar Zëvendëskryeministri, Z. Namik Dokle, ministra e funksionarë të lartë, deputetë, përfaqësues të partive politike, intelektualë, artistë etj. Gjithashtu, erdhën edhe shumë përfaqësues të trupit diplomatik. Mjaft të ngrohta e miqësore ishin edhe vizitat nga Kryetari i ri i Komunitetit Mysliman, Hirësia e Tij Selim Muça, Baba Edmondi për Komunitetin Bektashian etj.

Në takimin me ish-presidentin e Shqipërisë dhe Kryetarin e Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, Kryepiskopi kujtoi ditën e parë të takimit me të, duke i thënë atij: “Gjatë këtyre viteve përpjekjet tuaja ishin për zhvillimin e vendit. Zakonisht kur ngjitemi në një mal nuk shkojmë gjithmonë lart, por një herë ngjitemi pastaj zbresim, por e rëndësishme është që ngjitemi. Nga thellësia e zemrës sime doja t’ju uroja ju dhe kolegëve tuaj të vazhdoni me këtë dinamikë dashurie gjithmonë me fuqinë e ngjalljes, të solidaritetit dhe krijimtarisë”.

Ndërsa z. Berisha vlerësoi kontributin e dhënë nga Kryepiskopi Anastas gjatë këtyre viteve në Shqipëri. “Ju rikthyhet vlerat e mëdha të besimit dhe i keni shërbyer jo vetëm Zotit, por edhe gjithë popullit shqiptar. Dëshiroj t’ju shpreh urimet e përzemërta për këtë ditë, e cila është një ditë e madhe shprese, ringjalljeje dhe besimi”.

Takimi i pritjes së urimeve në Kryepiskpopatë zgjati tri orë dhe të pranishmit u larguan me mesazhin e Pashkës, për të marrë më shumë fuqi nga Ngjallja e Krishtit.

I. Koti