Tiranë
Besimtarët urojnë për më shumë besim, dashuri e shpresë
Besimtarët orthodhoksë të kryeqytetit përjetuan lavdinë që i përket Atij që u ngjall së vdekurish, Pashkën e Madhe 2004. Në një atmosferë të thellë shpirtërore, me përulje dhe me përkushtim çdo ditë, mijëra besimtarë morën pjesë në Kishën e Ungjillëzimit në Tiranë në shërbesat e mëngjesit dhe të mbrëmjes të Javës së Madhe. Gjatë javës së pësimeve të Zotit Krisht u përkujtuan ngjarjet kryesore të ditëve të fundit të Tij në tokë. Krahas besimtarëve, në çdo ditë të Javës së Madhe, në kishë ishte Kryepiskopi Anastas, i cili drejtoi Shërbesat. Në predikimin e tij, të Hënën e Madhe kur u përkujtua patriarku Josif, Kryepiskopi theksoi: “Duhet të jemi të kujdesshëm nga hipokrizitë, nga gjendja e plogështisë dhe dembelizmi shpirtëror, si dhe të veprojmë si duhet me talentin që na ka dhuruar Zoti. Këto tri gjëra duhet t’i kenë parasysh veçanërisht të rinjtë për të qenë njerëz të vërtetë dhe jo të rremë”.
Ndërsa të Martën e Madhe, tekstet liturgjike iu referuan kryesisht paravolisë së Dhjetë Virgjëreshave, si dhe asaj të talantave, duke u interpretuar të dyja si paravoli të Gjykimit. “Shumë herë mendojmë se i përkasim Kishës dhe jemi pjesëtarë të zgjedhur të saj, por kur kemi shumë besim në veten tonë na kap një plogështi. Ne mund të shikojmë njerëz që janë larg Kishës por në momente deçizive me anë të besimit të tyre ata tregohen të devotshëm për Zotin. Eshtë shumë e lodhshme plogështia dhe është shumë i madh pendimi sepse ai hap rrugën për tek Perëndia”- vuri në dukje gjatë predikimit të kësaj dite Kryepiskopi.
Të Mërkurën e Madhe u përkujtua gruaja mëkatare, e cila leu me vajëra erëmira këmbët e Krishtit dhe në mbrëmjen e asaj dite u krye në Kishë Misteri i Efqelisë, i lyerjes me vaj të shenjtë, ku besimtarët u lyen me vajin që shëron trupat dhe shpirtrat. “Në këtë ditë kur kujtojmë pendimin e gruas mëkatare duhet të ndërgjegjësohemi se në jetën tonë ka disa momente kur na afrohet Krishti. Mos e shtyni për më tej, sepse mund të mos na vijë më ky moment”,- tha Kryepiskopi Anastas gjatë predikimit.
Të Enjten e Madhe, ditën kur u lexuan 12 Ungjijtë, Kryepiskopi theksoi rëndësinë e Shkrimit të Shenjtë në jetën liturgjike të besimit orthodhoks. “Ne jemi shumë më rigorozë ndaj Shkrimit të Shenjtë dhe krejt ndryshe nga sa thonë të tjerët. Pendimi, ndjesa dhe dashuria nuk janë parime, por shërueset e Shkrimit të Shenjtë dhe themelet e jetës shpirtërore”.
Ndërsa të Premten e Zezë u përkujtuan vuajtjet e Zotit Krisht. Gjatë gjithë asaj dite, besimtarët u përkulën para Epitafit të zbukuruar me lule të përgatitura nga vetë ata, në shenjë nderimi për Krishtin e kryqëzuar. Mbasdite, mijëra besimtarë shoqëruan Epitafin jashtë kishës, përgjatë Rrugës së Kavajës. Gjatë predikimit, Kryepiskopi Anastas theksoi: “Kisha jonë fuqizohet me fuqinë e Zotit të kryqëzuar. Le të fuqizojmë lutjen tonë dhe besimi brenda nesh le të bëhet edhe më i madh. Krishti është pushtetari edhe i vdekjes, edhe i Ngjalljes, edhe i jetës sonë”.
Të Shtunën e Madhe, në orën 23.00 filloi Shërbesa e Ngjalljes dhe u këndua Tipikoja e Mesnatës. Në çastin kur Kryepiskopi doli nga hierorja me qiririn e ndezur, që tregon dritën e Krishtit të Ngjallur, besimtarët vërshuan me llambadha nëpër duar për të marrë prej tij dritën prej dritës që nuk perëndon kurrë. Më pas, Kryepiskopi i shoqëruar edhe nga klerikët, si edhe nga kori u drejtuan për tek podiumi i ngritur si çdo vit në Rrugën e Kavajës, për të përcjellë tek populli përreth dhe të gjithë besimtarët mesazhin e Pashkës (i cili botohet i plotë në këtë numër të gazetës), i ndalur në çdo hap nga besimtarët që donin ta mermin Dritën e Ngjalljes nga llambadha e tij.
Shërbesa e Liturgjia Hyjnore zgjatën deri rreth orës 02.30 të mëngjesit dhe u transmetuan drejtpërdrejt nga Televizioni Publik. Gjithashtu vlen të përmendet edhe transmetimi gjatë Javës së Madhe i të gjitha shërbesave, si dhe atmosferës brenda dhe jashtë kishës, nga Radio “Ngjallja”.
Në atmosferën e Pashkës së Madhe 2004, me mijëra besimtarë uruan njëri-tjetrin për më shumë besim, dashuri dhe shpresë. Ata morën një mesazh jetëdhënës prej fuqisë së Ngjalljes që përhapet kudo dhe për këdo me synim fitimin prej kësaj fuqie të jetës së amshuar.
Isidor Koti