EmailFacebookKontakt

Elbasan – atmosferë festive dhe kremtime të drejtuara nga Imzot Ilia

Me bekimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, në qytetin e Elbasanit dhe në enoritë e tij shërbesat e shenjta u kryesuan nga Hirësi Ilia.

Shërbesat filluan me celebrimin e meshës të së Shtunës së Shën Llazarit, në kishën e Shën Thanasit. Në predikimin e tij Hirësia theksoi rëndësinë e mrekullisë së Ngjalljes së Shën Llazarit që tregonte jo vetëm pushtetin e Zotit Krisht mbi vdekjen por edhe paratregonte dhe përgatiste nxënësit për Ngjalljen e Tij të lavdishme të triditëshme. Mesha e Shenjtë e Hyrjes së Zotit në Jerusalem ose e Diela e Dafinave u kremtua nga Hirësia në kishën e Shën Kollit, ku besimtarët morën dafinat e bekuara. Shërbesat e Dhëndrit u kryen nëpër enoritë e Elbasanit: në kishën e Analipsit, Gjinar, në kishën e Shën Kollit, Shelcan dhe në kishën e Shën Dhimitrit në Shtërmen. Në këto shërbesa morën pjesë shumë besimtarë, sidomos të rinjtë dhe femijët e grupeve të katekizmit, të cilët dëgjonin predikimet e Hirësisë mbi Javën e Madhe dhe Pashkën e Ndritshme, rëndësinë e përjetimit të besimit tonë të Shenjtë Orthodhoks, i cili është mbajtur gjallë gjatë furtunave shekullore.

Misteri i efqelisë së Shenjtë u krye në kishën e Shën Kollit të qytetit, ku besimtarët u lyen me vajin e shenjtë për ndjesë mëkatesh dhe shërim shpirti dhe trupi.

Hirësi Ilia vuri në dukje rëndësinë e mistereve të shenjta dhe domosdoshmërinë e pjesëmarrjes së besimtarëve në to.

Liturgjia e të Enjtes së Madhe u mbajt nga Hirësia në Manastirin e Shenjtë historik të Shën Joan Vladimirit. Shenjti bëri përsëri mrekulli. Gjatë kryerjes së meshës në kishën pa çati shiu që binte gjatë natës pushoi. Besimtarët edhe njëherë shprehën indinjatën ndaj autoriteteve shtetërore që mbajnë peng rindërtimin e manastirit. Shërbesa e leximit të 12 Ungjijve, e Vajtimeve dhe e Epitafit u celebruan në Kishën e Shën Thanasit. Shiu i madh që binte nuk i pengoi qindra besimtarë të vinin në Kishë e të përjetonin vuajtjet, pësimet, kryqëzimin e vdekjen e Zotit tonë Jisu Krisht. «Pikërisht rruga e kalvarit të Krishtit është e vetmja rrugë shpëtimi», vuri në dukje Hirësia, i cili sipas traditës shpërndau si bekim tek besimtarët lulet e epitafit.

Meshë e Shën Vasilit e së Shtunës së Madhe u kremtua në Cërrik, në kishën e re. Besimtarëve të shumtë iu shtuan dhe fëmijët e grupeve të katekizmit. Hirësia shpjegoi kuptimin e Pashkës së Shenjtë dhe se e gjithë vepra shpëtimtare e Zotit tonë Jisu Krisht do të kurorëzohet me Ngjalljen e Tij të lavdishme.

Fuqia e Ngjalljes së Krishtit ishte e pranishme në të gjithë qytetin të shtunën e shenjtë, në orën 12 të natës në kishën e Shën Kollit, pas leximit të Ungjillit nga Imzot Ilia tingulli i kambanave shpalli lajmin e Ngjalljes së Krishtit dhe Hirësia psali Himnin e Pashkës «Krishti u Ngjall», që u pasua nga zërat e gjithë besimtarëve. Më pas u lexua mesazhi i Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, nga dhjakon Emanueli. Pas kanunit të Pashkës u celebrua mesha e Ngjalljes, ku morën pjesë dhe besimtarë nga fshatrat përreth. Njerëzit, duke u larguar nga kisha mbanin në dorë qirinjtë me dritën e Pashkës, të cilën e dërguan në shtëpitë e tyre.

Gëzimi i Pashkë vazhdoi edhe të nesërmen ku në Shën Koll u krye Mbrëmësorja e Dashurisë dhe u lexua Ungjilli në shumë gjuhë: shqip, anglisht, greqisht, arumanisht etj. Hirësia theksoi se leximi i Ungjillit në shumë gjuhë në Mbrëmësoren e Dashurisë tregon mesazhin e Ungjillit, që i drejtohet të gjithë kombeve e të gjithë ftohen të marrin pjesë në dritën e Ngjalljes dhe përgjegjësinë tonë për përhapjen e lajmit të mirë tek të tjerët. Në pritjen e kryefetarëve dhe autoriteteve me rastin e Pashkës Hirësia u kujtoi dhuratën e paqes, që Zoti i ngjallur i fali nxënësve të tij dhe theksoi se pranimi i paqes është një parim kryesor i besimeve monoteiste.

E veçanta dhe me shumë rëndësi ishte se Hirësia çdo ditë jo vetëm që sqaronte kuptimin e shërbesave të shenjta, por kryente dhe vizita në shumë familje besimtarësh, të cilët falënderuan Perëndinë për praninë e Hirësisë gjatë Javës së Madhe në enoritë e tyre.

Kudo në Elbasan dhe në enoritë e tij pati një rigjallërim të jetës liturgjike dhe shpirtërore.

Gëzimi i Pashkës vazhdoi gjatë Javës së Ndritshme. Të Hënën e Ndritshme Mesha u kremtua në Manastirin e Hirshëm të Shën Vlashit. Të Martën e Ndritshme Hirësi Ilia mori pjesë dhe celebroi meshën në panairin e përvitshëm që organizohet në kishën mrekullibërëse të Shën e Premtes, në kodrat me ullishte pranë qytetit të Kavajës. Ishte një ditë, ku në fytyrat e besimtarëve reflektohej gëzimi i Ngjalljes së Zotit. Në këtë panair ishin të pranishëm, si çdo vit tjetër dhe anëtarë të besimeve të tjera. Jashtë festimeve të Javës së Ndritshme nuk mund të qëndronte qyteti me Krishterim Apostolik 2000-vjeçar, Durrësi. Në Katedralen e Shën Pavlit e Shën Astit u kremtua festa e Burimit Jetëdhënës. Kremtimet e drejtuara nga Imzot Ilia përfunduan në Tiranë me celebrimin e Liturgjisë të Dielën e dytë pas Pashkës, në kishën e Ungjillëzimit, ku u këndua përsëri fuqishëm himni «Krishti u Ngjall së vdekurish», i cili duhet të mbajë gjallë besimin e të krishterëve orthodhoksë.

Dhjakon Emanuel Lusha