EmailFacebookKontakt

Berati kremtoi me madhështi Dritën e pashuar, Pashkën e Zotit

Berati, si epiqendra e Mitropolisë, që drejtohet nga Hirësia e Tij, Imzot Ignati, kishte këtë vit më shumë besimtarë me Krishtin pranë.

Kjo u duk qysh me fillimin e Javës së Madhe, ku çdo mbrëmje mbushnin kishën e Shën Spiridhonit, për të ndjekur shërbesat, të cilat këtë vit i drejtonte at Petraq Simsia. Ditët më kulmore ishin të Enjten e Madhe dhe ajo e të Premtes së Zezë, nxjerrja e Epitafit. Pasi u kënduan vajet nga 4 grupe korale me mjaft mjeshtëri, të drejtuar nga dy anagnostë psaltë Sotiraq Topia dhe Edmond Filipi, erdhi çasti më kulmor, dalja e Epitafit. Me qindra besimtarë me qirinj në duar duke kënduar vajet e përcollën rreth lagjes Goricë për gati një orë, duke krijuar një pamje madhështore.

Dita e Ngjalljes pati të veçantën e vet: u falën dy kisha: Shën Spiridhoni në Goricë dhe Vangjelistra në Kala. Liturgjinë e drejtuan At Petraqi dhe në Kala At Pandeli Sota.

Ajo u kremtua me lavdinë që i përket vetë ditës e orës, Dritës së pashuar, Atij që u ngjall së vdekuri – Pashkës së Zotit.

Të nesërmen, pranë Mitropolisë u bë pritje urimi për Pashkët. Erdhën përfaqësues nga pushteti lokal dhe komuniteti mysliman e besimtarë.

Një ditë e veçantë ishte dhe dita e tretë, ajo e shuarjes, që kremtohet në kishën e Shën Ilias. Këtu, pas kremtimit, sheshin rreth kishës të gjithë e kthejnë në një sofër të bekuar beratase, ku veç Himnit të Ngjalljes besimtarët këndojnë dhe këngë karakteristike. Kjo ditë është dhe tregues i bashkëjetesës së komuniteteve fetare.

Në atmosferën e ditëve të Pashkës një grup nga Mitropolia me at Nikollën, me bekimin e Hirësisë së Tij, bënë një vizitë bamirëse në kampin e të burgosurve Nr. 380 – Kosovë, Lushnjë. At Nikoll Nushi dhe grupi që e shoqëronte u prit nga drejtori dhe administratori me shumë respekt. At Nikolla në fjalën e tij theksoi, se sot ne vumë në jetë një nga porositë e Ungjillit, i cili thotë: «Isha në burg dhe më vizituat…». Në këtë shërbesë bamirësie u çuam 120 palë rroba, 120 pako ushqime etj. Për argëtimin e tyre u dhamë lojëra të ndryshme.

At Nikolla i dërgoi urimin dhe bekimin e Mitropolitit dhe premtoi se do të jenë përsëri midis tyre, duke i thënë se sa më pranë Krishtit për të qenë larg mëkateve. Në fund, për këtë bamirësi foli dhe drejtori, i cili i falënderoi duke thënë, se ky është tregues i vërtetë që vini në emër të Zotit, për t’i kthyer këta në rrjedhën e jetës. Ky takim u bë më 20 prill.

Më 23 prill u kremtua pas afer 4 dekadash Shën Gjergji pranë tempullit të tij nga at Petraqi. Ky tempull i Kalasë, që është djepi i kristianizmit, u mor në kohën e diktaturës dhe u kthye në pikë turistike. Besimtarët kujtojnë se ditën kur u bë përurimi i kësaj pike turistike një besimtar nga Kalaja i tha sekretares: «Ne, ua dimë për falënderim, se e falnim një herë në vit, ju po na i ndizni ditë për ditë». Kjo thënie kuptimplote u shoqërua me fjalët «Krishti u Ngjall!». Ata e kuptuan se Krishti jetonte në zemrat e besimtarëve; ndaj e ndien veten shumë ngushtë. Shën Gjergji ka një vend që me shikimin e tij, vendin e tij, duket triumfator dhe udhëheqës për të mposhtur të keqen. Besimtarët mbushën tempullin qysh në mbrëmësoren e një dite më parë. Të nesërmen, në praninë e shumë besimtarëve, u drejtua mesha nga at Petraq Simsia, në prani të shumë besimtarëve.

Kjo do të mbetet një ditë e shënuar jo vetëm për besimtarët, por dhe në historinë e besimit të krishterë.

Sotir Ristoxhuni