EmailFacebookKontakt

Tani e ndiejmë veten edhe më pranë me Perëndinë

– Jetë e gjallë shpirtërore e të rinjve orthodhoksë të Mitropolisë –

Rinia Orthodhokse e Gjirokastrës organizon prej disa vitesh veprimtaritë e saj kishtare dhe kulturore e argëtuese në qytetin e gurtë dhe rrethinat e tij. Një kontribut të konsiderueshëm për ngritjen e këtij grupi të rinjsh ka dhënë Motër Thekla, e cila që prej vitit 1997 shërben në Mitropolinë e Gjirokastrës, si murgesha e parë e këtij qyteti që prej kohës së rilindjes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë pas rënies së regjimit ateist. Gjithashtu, Motër Thekla është një nga organizatoret kryesore të rinisë orthodhokse në Gjirokastër dhe me punën e saj ka fituar zemrat e të rinjve të këtij qyteti. Në një letër të dërguar në redaksinë e gazetës sonë, një prej të rejave të rinisë orthodhokse të këtij qyteti, Marina Lulo, tregon:

“Në vitin 1997, Motër Thekla erdhi nga Greqia për të shërbyer fillimisht si mësuesja jonë e katekizmit në Gjirokastër. Dashuria për të ndihmuar fëmijët shqiptarë dhe dëshira për të predikuar fjalën e Perëndisë nuk e ndalën para krismave të atij viti të frikshëm. Që në predikimet e para të saj, ajo fitoi zemrat e shumë fëmijëve, numri i të cilëve shtohet çdo ditë e më shumë. Fjala dhe Fryma e Perëndisë që na kishte munguar për shumë kohë, na bëri që të dëgjonim me endje predikimet e Motër Theklës. Megjithatë, puna e saj nuk ishte e kufizuar vetëm në predikim. Ajo i ka ndihmuar fëmijët gjirokastritë edhe në mësimin e gjuhës greke, duke hapur kurse për të gjitha moshat dhe nivelet.

Aktiviteti i këtyre fëmijëve vazhdon më tej me përgatitjen artistike, duke luajtur shpesh pjesë teatrale me histori nga Bibla. Vitet kaluan shpejt. Fëmijët që Motër Thekla njohu më 1997, tani nuk janë më fëmijë. Ata janë rritur dhe puna e tyre është bërë më intensive. Ne kemi formuar grupin tonë të korit dhe psalim çdo javë në Kishë. Gjithashtu kemi marrë pjesë edhe në Festivalin e fundit të Rinisë Orthodhokse Shqiptare, që u zhvillua në Tiranë. Ditët e fundit po bëjmë prova për të dhënë një koncert në qytetin e Gjirokastrës. Të gjitha këto na kanë krijuar mundësi për t’u aktivizuar me dinjitet si pjesëtarë të Kishës sonë. Tani e ndiejmë veten edhe më pranë me Perëndinë”- përfundon letrën e saj Marina Lulo.

Gjithashtu Mitropolia e Gjirokastrës organizon një sërë aktivitetesh me të rinjtë e këtij qyteti krahas veprimtarive me nxënësit e Shkollës së Mesme Kishtare “Ngjallja e Krishtit”. Çdo ditë në ambientet pranë Kishës së Kryeengjëjve Mihail dhe Gavril zhvillohet katekizëm me të rinj të këtij qyteti si dhe një sërë aktivitetesh kulturore e sportive.

Përgatiti: I. Koti