Para pak kohësh, në mjediset e Akademisë “Ngjallja e Krishtit”, në Manastirin e Shën Vlashit, Durrës, zhvilloi punimet Konferenca me temë: “Mësimdhënia në Katekizmin e Krishterë Orthodhoks”. Profesori i Akademisë Teologjike Nathan Hoppe në fjalën e tij të mirëseardhjes, ndër të tjera tha: ” Mirë se erdhët të gjthë ju. Është kjo një fjalë përshëndetëse nga ana e Kryepiskopit, i cili në këto momente ndodhet jashtë, por me zemrën dhe mendjen e tij ai tani ndodhet këtu dhe ka bekuar këtë konferencë. Njëkohësisht ai bekon edhe punën që bëni ju me fëmijët gjithashtu themi përsëri “Mirë se erdhët” edhe nga ana e shkollës dhe pikërisht nga Hirësi Ilia. Me këtë rast, falënderoj Hirësi Ilian për faktin se bashkoi këtë konferencë me një të kremte të madhe të Kishës sonë. Me të vërtetë është shumë i përshtatshëm ky bashkim sepse edhe Tre Hierarkët janë shembulli më i madh si shenjtorë dhe si katekistë, të cilët përdorën edhe formimin e tyre për të mësuar të tjerët. Ashtu si të Tre Hierarkët, të cilët me guxim punuan në kohën e tyre dhe ne sot duhet të punojmë si katekistë…”.
Kjo konferencë ishte organizuar nga Programi i Katekizmit të Krishterë Orthodhoks, i cili ka disa aspekte. Aspekti kryesor është botimi i librave, që përdoren nga katekistët dhe që ndihmojnë shumë në procesin e mësimdhënies.
Në këtë konferencë u referuan tema mjaft të rëndësishme si: “Misioni i katekistit” nga Miron Çako; “Shkrimi i Shenjtë në Jetën Liturgjike të Kishës”, nga Hirësi Ilia Ketri; “Etapat e zhvillimit të besimit”, nga Valerie Zahyrshi; “Praktika me librat “Jeta jonë më Zotin”, nga Katerina Papadhopulli etj.
Gjatë konferencës u zhvilluan disa sesione pyetje – përgjigje, diskutime apo diskuime në grup, të cilat ndihmuan në marrjen dhe dhënien e përvojës nga njëri – tjetri.