EmailFacebookKontakt

Inati fëmijëror

Midis fëmijëve që na rrethojnë nuk janë vetëm të urtët, të qetët, të kujdesshmit, por edhe të parregulltit, të papërmbajturit, inatçijtë. Si do mundemi të ndihmojmë pikërisht fëmijët e kësaj natyre të kapërcejë zemërimin dhe të formojë një karakter të ekuilibruar që të kenë sukses në jetë. Ja dhe tema jonë. Po ç’është inati? Do mundeshim ta karakterizonim si “shpirt kundërshtimi” i domosdoshëm, deri në një farë mase, për të formuar personalitetin e tij. Për këtë, Spieler, pedagog në universitetin e Friburgerit, thoshte: “Duhet të shqetësohemi nëse fëmija ynë nuk paraqet ndonjë inat”.

Sado që na duket çudi ekziston një masë inati që është i natyrshëm, që është një gjendje fiziologjike e fëmijës që shpëton pjesën kryesore të pavarësisë së tij, është tendenca e njeriut të jetë i lirë dhe kjo tendencë shfaqet me mënyra të ndryshme: fëmija ul shpesh sytë ose i mbulon me pëllëmbët e duarve duke dashur të tregojë se është indiferent nga prania e më të rriturit. Herë tjetër shtiret i sëmurë që të provokojë shfaqje dashurie. Shfaq kriza inati, veprime dhune, shkatërrime materialesh për t’u hakmarrë me nënën ose mësuesit. Grindje, keqtrajtim i kafshëve, shqetësime në stomak, të vjella, por ka edhe manifestime krejtësisht të kundërta me një bindje të dukshme që fëmija të lehtësohet sa më shpejt nga prania e të rriturve. E shohim të zbatojë me shpejtësi dhe gabime urdhrat që i jepen. Nëse revolta nuk zhduket nga shpirti fëminor, atëherë do kemi simptoma patologjike, forma të ndryshme nervore. Fëmija fillon të ndërtojë me fantazinë e tij projekte hakmarrëse, të cilat i krijojnë një gjumë të shqetësuar. Fëmijët më të ndjeshëm, që të manifestojnë inatin e tyre, gjejnë mënyra të tjera dhe paraqesin një karakter të sajuar, duke mos pasur lidhje me sjelljen e tyre të zakonshme. Gjithashtu kemi, nganjëherë, edhe inatin kolektiv në klasë dhe, që të mos përsëritet, pretendon nga mësuesi gjakftohtësi, urtësi, këmbëngulje, por edhe durim.

Kryesisht mësuesi duhet ta mposhtë inatin me një dashamirësi, shpirtgjërësi, mirëkuptim dëshmi e fuqisë dhe jo e dobësisë së tij. Mësuesi duhet të kuptojë se ç’po ndodh tek këta fëmijë, në këtë klasë, të kuptojë shkakun e vërtetë dhe të mos fyej dhe keqinterpretojë manifestimet e fëmijëve si të drejtuara kundër personalitetit të tij. Ka mundësi që fëmijët të jenë lodhur nga ndryshimet e vazhdueshme të mësuesve, të jenë mësuar me rrëmujën, ose t’u vijë keq për largimin e mësuesve të tyre të vjetër dhe, është e natyrshme, të mos kenë simpati për të sapoardhurit. Le të mos kërkojë të vendosë autoritetin me dhunë, se atëherë do t’i humbasi totalisht fëmijët dhe aq më tepër të mos kërkojë ndihmën e drejtuesve se do bëhet qesharak para fëmijëve. “Le të vendosë autoritetin me durim, me dashuri dhe me karakter të fortë”, dhe të jetë i sigurt se kështu do fitojë”.

Inati kolektiv është më tepër i pranishëm në konvikte, jetimore ku fëmijët, larg ambienteve familjare, reagojnë shumë shpejt ndaj jetës kolektive që u është imponuar. Kryesisht inatin kolektiv e takojmë në moshën e adoleshencës ku sundon fryma kolektive dhe ku e shohin më të madhin si armikun e tyre, ku fryma e drejtësisë është shumë e theksuar, prandaj metoda e dashurisë e lidhur me indiferentizmin në dukje do të flasë më tepër në zemrat e fëmijëve.

Ashtu siç ekzistojnë shumë forma inati, ekzistojnë edhe shumë shkaqe inati. Ka inate që vijnë nga mangësia, nga egoizmi, nga zilia, nga përbuzja, nga përkëdhelitë, por është e mundur të vijnë edhe nga komplekse të ndryshme si: mungesë qetësie në ambientet familjare, mungesë sigurie, frikë nga e panjohura, ashpësi e ekzagjeruar e më të rriturve. Ekziston edhe inati që fëmija krijon kur do të hiqet si viktimë, të bëhet hero i mjedisit të tij ose inat që vjen nga natyra nevrike e fëmijës. Inati është i mundur të shfaqet si reagim i një sjellje të gabuar të mësuesit (pretendime të tepruara, ankesa të vazhdushme, mungesë inkurajimi). Të gjitha këto kanë rëndësi për përballimin e inatit, ashtu siç ka rëndësi edhe shpeshtësia dhe kohëzgjatja e tij, nëse shkaku që e provokoi është i përkohshëm apo i vazhdueshëm, nëse fëmija acarohet kundrejt të njëjtit person ose të njëjtit send. Edhe mosha është një element, të cilën duhet ta marrim seriozisht në konsideratë. “Dikur ishte shumë i bindur, mjerisht tani është krejtësisht i ndryshëm”- është një shprehje që thuhet shpesh nga prindërit. Por le të shohim shkakun e këtij ndryshimi.

(Vijon në numrin e ardhshëm)

Përktheu: Nafsika Melo