– Konferencë shtypi e Kryepiskopit Anastas, për të bërë të njohur nismën për të dhuruar 600 mijë dollarë për paqen e pajtimin mes komuniteteve në Kosovë –
– Kontribut në vazhdën e ndihmës e nismave të shpeshta të ngjashme nga ana e Kishës sonë –
Të shtunën, 26 mars, nëpërmjet një konference shtypi në selinë e Kryepiskopatës së Hirshme, në Tiranë, Kryepiskopi Anastas bëri të njohur këtë nismë mjaft domethënëse për të dhënë 600 mijë dollarë për ngritjen e një kishe dhe të një xhamie, ose të një qendre rinore në Kosovë, për të nxitur bashkekzistencën midis komuniteteve të ndryshme. Ishin të pranishëm gazetarë nga të gjitha televizionet kryesore, nga agjencitë vendase dhe të huaja të shtypit, nga gazetat e përditshme etj.
Pasi përshëndeti të pranishmit Kryepiskopi Anastas, u lexua Komunikata (të cilën po e botojmë të plotë në faqen e parë), nga Kryesekretari i Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Protopresviter Jani Trebicka. Pastaj, Fortlumturia e Tij iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.
Pas interesimit të gazetarëve Kryepiskopi iu tha mediave të pranishme se ato ishin të parat që e mernin njoftimin e këtij dhurimi e më pas do të bëheshin hapat e mëtejshëme, duke kontaktuar me autoritetet kompetente. Ai theksoi se kjo shumë nuk vinte nga donacione të veçanta, por nga fondi i grumbulluar me mjaft mundim për vite të tëra nga miq të ndryshëm në Evropë dhe Amerikë, për ngritjen e Katedrales së Tiranës: nga 300 mijë dollarë për secilin komunitet. Më tej, do jenë vetë përfituesit, që do vendosin se ku është më e nevojshme për t’i përdorur.
Duke iu përgjigjur një gazetari, në lidhje me faktin se a është feja shkaktarja e përplasjeve, Fortlumturia e Tij tha se, shpesh feja përdoret në konfliktet që kanë në realitet natyra të tjera. Por, theksoi ai, feja duhet përdorur si vaj për të shëruar plagët dhe jo si vaj për të ndezur zjarrin.
Theksojmë se në këto konflikte nuk duhet në asnjë mënyrë që të implikohet feja, sepse pastaj problemi bëhet më kompleks. Nuk mund ta përfshijmë Perëndinë brenda urrejtjeve tona. Perëndia është pikërisht për të kapërcyer këto mëri. Ne besojmë në këtë parim, ndaj nuk është hera e parë që marrim nisma të tilla. Këtu, Kryepiskopi përmendi rastin e konfliktit në Ish-republikën jugosllave të Maqedonisë, kur nga Këshilli Botëror i Kishave u caktua si moderator i tryezës së përbashkët me komunitetet e atjeshme fetare, të cilat e pranuan pa rezerva këtë gjë etj.
Gjithashtu, Kryepiskopi përmendi edhe ndihmën e dhënë nga Kisha jonë për të ardhurit nga dhuna në Kosovë në vitet 1998-1999, kur me ndihmën e kishave të tjera dhe donacioneve të ndryshme u mblodhën dhe u përdorën për të ndihmuar mbi 30 mijë refugjatë rreth 12 milion dollarë.
Në fund Kryepiskopi Anastas i uroi dhe vlerësoi gazetarët për punën e tyre dhe u tha atyre se do jenë gjithnjë të mirëpritur.
“Të gjithë ata që e implikojnë besimin në aktet e dhunës, në thelb dhunojnë frymën e fesë. Cilido, sado të drejtë të këtë, ai duhet të respektojë shenjtërinë dhe rolin që kanë vendet e shenjta të kultit. Ato duhet të jenë qendra pajtimi dhe paqeje dhe jo vatra të konservimit të armiqësive.”
Nga Deklarata për shtyp për dhurimin e 600.000 USD – për një kishë dhe një xhami në Kosovë
Korresp. i Ngjalljes