I pari nga shenjtorët e rinj të mëvonshëm, me emrin Gjergj sipas pagëzimit, lindi në ishullin e Itakës nga prindër shpresëtarë, Dionis dhe Maria. 16 – vjeçar shkoi në Athinë dhe u qeth (u dorëzua) murg. Pasi ishte bërë prift studioi teologji në Francë, ku u njoh me studentin nga Selaniku, Nikolla. Kur u kthyen në Athinë e bëri atë murg dhe dhjak dhe shërbenin së bashku në Kishën shën Dhimitër “Lumbardhiari”. Udhëtuan si të dërguar kishtarë në Konstandinopojë dhe në Trakë, ku u informuan për rënien e Konstandinopojës (1453).
Pas kësaj u strehuan në ishullin e Lezbos, që zotërohej nga Gjenova dhe u vendosën në Manastirin e Lindjes së Hyjlindëses, në kodrën Karies, afër fshatit Thermi, diku në veri të qytetit të Mitilinit. Në këtë manastir, që më parë ishte grash dhe që ishte shkretuar në vitin 1235 nga piratët saraçenë, rronte në atë kohë vetëm një murg, që më pas fjeti. Ndërkaq, edhe ky ishull u robërua nga turqit.
Në vitin 1463 osmanët, duke kërkuar për iniciatorët e kryengritjes në Thermi, morën në pyetje duke bërë tortura të tmerrshme Rafaelin (Gjergjin), Nikollën dhe të parin e fshatit, Vasilin, me bashkëshorten Maria, vajzën e tyre 11-vjeçare, Irini dhe mësuesin Theodhor. Vajzën e hodhën në një qyp (qypi u gjet), pasi më parë i kishin prerë dorën dhe e përvëluan duke i hedhur ujë të valuar. Prindërit e saj i copëtuan me thika, mësuesit i prenë kokën dhe Rafaelit i sharruan gojën me sharrë, duke ia ndarë më dysh kokën. Nikolla pësoi pushim zemre (natën e 8 prillit 1463, të Martën e Ndritshme të Pashkës).
Në vitin 1959 në Karies nisi hapja e themeleve të një kishe mbi gërmadhat e një kishe të vjetër, që Liturgjia e përvitshme e të Martës së Ndritshme të mos bëhej më jashtë (ajo bëhej atje në atë ditë, megjithëse kishin harruar shkakun përse). Atëherë u zbuluan lipsanet, të cilat që nga ai çast e më pas ishin mrekullibërëse, ndërsa shën Rafaeli nëpërmjet ëndrrave bëri të njohur historinë e tyre. Manastiri u rindërtua dhe tashmë funksionon si manastir grash. Panairi i tij bëhet të Martën e Ndritshme.
At Justini