EmailFacebookKontakt

Radio “Ngjallja”, gjashtë vjet punë dhe vlera

Prilli është muaji kur besimtarët orthodhoksë shqiptarë, si në mbarë botën e krishterë, festojnë me madhështi Ngjalljen e Zotit Krisht. Por për stafin e Radios “Ngjallja” kjo kohë mbart një gëzim të dyfishtë. Pikërisht ditën kur ky transmetues radiofonik do të përcillte fjalët e para të gëzueshme duke tingëlluar në mënyrë festive në periudhën e Pashkës së Madhe të atij viti dhe gjatë gjithë kohës në vazhdim.

Ishte viti 1998, data 12 prill. Për herë të parë në orën 14.30, nëpër radiot e besimtarëve dhe të qytetarëve të Tiranës dhe Durrësit u dëgjua: “Ju flet Radio “Ngjallja”, në FM 88.5 Mhz” e më pas nisën të transmetoheshin programet e saj të para. Që nga ajo ditë, ky radio-stacion, që pasqyron gjerësisht veprimtarinë e Kishës sonë nisi rrugën e gjatë e të vështirë, por edhe të bukur të transmetimit të programeve me natyrë kishtare dhe kulturore.

Gjithçka nisi me dëshirën për një media elektronike me një frymë ndryshe, më shpirtërore dhe më serioze. Kjo iniciativë gjeti mbështetje në idetë dhe planet e një gazetari të njohur të medias radiofonike shqiptare, të ndjerit Agim Papaproko. Që nga ajo kohë kanë kaluar shumë vite dhe këtë prill, Radio “Ngjallja” feston 6-vjetorin e themelimit. Veteranët e saj që vazhdojnë edhe sot të punojnë si në ditët e fillimit: Nikoja, Naumi, Joana, Manda etj. kujtojnë me nostalgji fillimet e Radios “Ngjallja”, e cila gjatë gjithë këtyre viteve ka evoluar si në programacion ashtu edhe në personelin e saj.

“Këtu kanë folur teologë të njohur, personalitete të fushës së kulturës dhe artit shqiptar si dhe kanë punuar njerëz me përvojë duke e bërë edhe më të dëgjueshme radion tonë”- tregon Niko Shallo, inxhinier dhe teknik në Radio “Ngjallja”.

Stafi i radios me kalimin e kohës ka tërhequr elementë të rinj, duke u harmonizuar me ata me përvojë.

“Që të gjithë punonjësit janë me shkollë të lartë dhe për këtë ndihemi edhe më të sigurt në këtë mision për të përcjellë me forcën e dashurisë Fjalët e mira të besimit tonë- thotë kryeredaktorja e radios, Julia Pjetri. Ne nuk i drejtohemi vetëm besimtarëve orthodhoksë por që të gjithë qytetarëve që na dëgjojnë duke dashur t’i afrojmë ata edhe më shumë me Perëndinë”,- shton ajo.

Programet e para transmetoheshin vetëm 6 orë në ditë, deri në vitin 2001. Që nga ai vit e deri më sot, Radio “Ngjallja” transmeton 24 orë muzikë dhe emisione. Muzika që transmetohet është kryesisht simfonike, vokale e operistike dhe popullore shqiptare si dhe muzikë kishtare, duke synuar afrimin e dëgjuesve përmes një programacioni specifik.

Emisionet janë informative, ku përfshihen lajmet, radio-kronikat dhe radio-reportazhet. Gjithashtu pjesë përbërëse e programacionit janë edhe emisionet social-kulturore, të cilat kanë karakter edukativ dhe synojnë rritjen e vlerave shpirtërore si dhe rritjen e njohurive në fushën e artit, kulturës popullore, sportit etj. Një vend të veçantë zënë programet e përditshme të fëmijëve, si dhe emisionet e të rinjve, në të cilat pasqyrohen aktivitetet e përhershme të fëmijëve dhe të rinjve orthodhoksë shqiptarë në të gjithë vendin. Radio “Ngjallja” i jep mjaft vend shërbesave kishtare çdo ditë të javës.

“Më pëlqen të dëgjoj tek Radio ‘Ngjallja’ muzikën klasike, si dhe shërbesat e Kishës sonë”,- tregon në faqen publike të internetit misionarja amerikane dhe njëkohësisht drejtoresha e shkollës “Protagonistët” znj. Shenon, e cila ka disa vite që shërben në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Në këtë përvjetor të 6-të të saj, Radio “Ngjallja” vjen me synime serioze për t’u përhapur edhe më tej përveç zonës që mbulon aktualisht. Kjo, në mënyrë që të jetë edhe më pranë publikut me programe të pasura shpirtërore, kulturore dhe informative, për të përcjellë vlerat më të larta tek njeriu dhe Fjalën e vërtetë që buron nga Perëndia.

Isidor Koti

Adresat e faqeve të hapura në Internet dhe ajo e E-mail-it, të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, janë:
Internet: www.orthodoxalbania.org
E-mail: orthchal@orthodoxalbania.org