Gratë e Grupit “Përhapja e Dashurisë” të Tiranës, po zhvillojnë veprimtari të larmishme në shërbim të nevojtarëve, gjatë periudhës së Kreshmës.
Çdo javë bëhen vizita dhe biseda shpirtërore me gratë e dënuara të burgut 325. Dy herë në muaj përgatitet dreka për të moshuarit e azilit të Tiranës. Çdo të shtunë organizohen aktivitete dhe biseda me fëmijët në kishë, jetimore dhe në Qendrën Komunitare të Fëmijëve te Fusha e Aviacionit.
Një herë në javë nën dritën e kandilit dhe aromën e temjanit gatuhen meshë për Liturgjitë Hyjnore, pa ndaluar nga buzët lutjen e Jisuit dhe Praklisin drejtuar të Tërëshenjtës Mari.
Vlen të përmenden pritjet me nevojtarë, vizitat në shtëpi dhe shpërndarja e ndihmave mujore për familjet në nevojë.
Në prag të Pashkës puna e shërbimit po intensifikohet në shkallë të lartë. Të ardhurat e grumbulluara gjatë muajit mars nga komuniteti besimtar në të dy kishat e qytetit u përdorën për përgatitjen e 200 pakove ushqimore për familjet e ngujuara nga gjakmarrja në Shkodër, Pukë e Tropojë.
Gjithashtu u përgatitën edhe 300 pako të tjera ushqimore (nga fondi i Kryepiskopit), të cilat vazhdojnë të shpërndahen në familjet nevojtare në Tiranë dhe fshatrat përreth.
Një rëndësi të veçantë gratë po i kushtojnë sigurimit të fondeve. Kryepiskopi Anastas ka 10 vjet që ndihmon zyrën e grave për të kryer aktivitete në ndihmë të nevojtarëve. Tani erdhi koha që edhe gratë të punojnë vetë për sigurimin e “bukës” së të vobektëve. Ka rreth 1 vit që ka filluar ndërgjegjësimi i komunitetit e sidomos i donatorëve e firmave vendase dhe të huaja.
Gjatë dy – tri javëve të këtij muaji kanë ofruar kontributin e tyre Firma “M.T Construction” (50.000 lek), Firma “DIEKAT” Ndërtime dhe Konstruksione (500 $), dy donatorë biznesmenë 100 euro, Firma “Uji kristal”, me pronar F. Ferra (600 litra ujë), Birra “Stela” me pije freskuese, një grup tregtarësh besimtarë me veshmbathje dhe rreth 70 kg ushqime (sheqer, vaj, miell, makarona). Kanë premtuar gjithashtu për të ofruar ndihmë pularia “Floryhen” (1000 kokrra vezë) dhe Birra “Tirana”.
Këto të ardhura do të jenë një ndihmë e madhe për hapjen e mensës ditore për të varfrit, e cila pritet të hapet së shpejti nën drejtimin e çiftit misionar amerikan Xhorxh dhe Polina Rassel.
Le të hapim të gjithë zemrat që nën dritën e Ungjillit të përdëllejmë më shumë njerëzit nevojtarë me vepra të gjalla e konkrete me shpresë se do të fitojmë faljen dhe Dashurinë Hyjnore të Perëndisë.
R. Sh.