EmailFacebookKontakt

Takim shkencor për ortopedinë dhe fizioterapinë në pediatri

Në datat 19 dhe 20 mars 2004, në Qendrën Diagnostike Orthodhokse “Ungjillëzimi”, në Tiranë, u zhvillua një takim shkencor mjekësor shqiptaro-grek, për ortopedinë dhe fizioterapinë në pediatri. Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i Këshillit shkencor të Qendrës, Prof. Dr. Thoma Kristo, i cili tha ndër të tjera: “Eshtë iniciativa dhe merita e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, i cili mbështeti materialisht ndërtimin dhe pajisjen me të gjitha mjetet e duhura moderne të kësaj qendre…”. Ai theksoi veçanërisht veprimtarinë shkencore të organizuar nga Qendra Diagnostike me mjekët e saj të njohur dhe me tituj, të cilët kanë referuar në veprimtari shkencore brenda dhe jashtë vendit.

Në këtë takim shkencor u trajtuan tema me mjaft interes. “Eshtë hera e dytë që takohemi në këtë klinikë,- na tha Prof. Dr. Eduard Gjika. – Kanë qenë takime me një nivel të lartë shkencor, ku janë paraqitur materiale shumë interesante, si nga ana e mjekëve shqiptarë ashtu edhe atyre grekë…”.

Mjekja fizioterapiste nga Greqia Meri Jalama, u shpreh: “Në vitin 1999 zhvilluam takimin e parë të këtij lloji, me ndihmën e madhe që na dha Kryepiskopi Anastas, i cili si edhe tani synonte shkëmbimin e përvojës, ku mjekët grekë sollën të rejat e fundit të kësaj fushe”.

Julia Pjetri