Manastiri i Shën Vlashit
Kremtohet kujtimi i Hierodëshmorit
Më 11 shkurt, në Manastirin e Shën Vlashit, në Durrës, u kremtua kujtimi i Hierodëshmorit Vlash, kryepiskop i Sevastisë në vitet 308-324. Me qindra besimtarë orthodhoksë të ardhur nga Tirana, Durrësi, Kavaja etj., morën pjesë në panairin e madh të së Kremtes së Shën Vlashit. Liturgjia Hyjnore u kryesua nga Kryepiskopi Anastas.
Është bërë e zakonshme tashmë, që në këtë ditë të predikojë një nga studentët e Akademisë “Ngjallja e Krishtit”. Ishte studenti i Akademisë Thoma Shkira, i cili ndër të tjera tha: “Çfarë i shtyn njerëzit që të japin jetën për besimin e krishterë? Shumë njerëz kanë dhënë jetën e tyre për Jisu Krishtin. Këta martirë janë të shumtë…” Më tej ai foli për jetën e Hierodëshmorit Shën Vlash. Çfarë e shtyu atë që të kishte një jetë martirike, dhe se si mundet ne ta nderojmë atë.
Në përfundim të predikimit të tij studenti Thoma Shkira tha: “… që t’i ngjajmë Shën Vlashit, nevojitet dashuri. Kjo dashuri duhet të jetë për këdo, ashtu siç bëri dhe shenjti. Kjo dashuri nuk duhet të ketë për bazë interesin material, por dashurinë e pasur të krishterë, të cilën na e mësoi Jisu Krishti, dashuri kjo që nuk bën dallime për këdo qoftë. Vetëm në qoftë se lutemi për të tjerët, tregon se ne kemi filluar ta nderojmë shenjtin dhe kështu t’i ngjajmë atij. Kështu ne bëhemi pasues edhe të dashurisë së Perëndisë. Pra le të kujtojmë se dashuria për Perëndinë dhe për njëri-tjetrin është ajo dashuri që i shtyn martirët të japin jetën e tyre për Jisu Krishtin…”
Julia Pjetri