Po, është një fëmijë si të tjerët. Është fëmijë që vuan, gëzon, ka zili, inatoset si fëmijët e tjerë. Është një fëmijë që dashuron, që përkushtohet ndofta më tepër se fëmijët e tjerë, është një fëmijë që në gjuhën e shkencës quhet “Fëmijë i veçantë”.
Për këtë fëmijë pedagogu francez Didier-Jacqes Duche, anëtar i Akademisë Mjekësore, shkruan në parathënien e tij në librin e Eliane Chaulet “Manual i Pedagogjisë së veçantë” (botim i 1994): “Kurrë të mos ulim kokën. Të besojmë kurdoherë në një përmirësim që, sado i vogël qoftë, është i mundur dhe asgjë nuk na lejon ta injorojmë dhe të mos përpiqemi për ta realizuar”. Edhe Eliane Chaulet, akoma më optimiste, në të njëjtin libër thekson: “Që të lëmë një fëmijë me sindromin daun të zhytet në një zhvillim të vonuar, është turp për shoqërinë e sotme që konsiderohet e qytetëruar”. Mesazhe tronditëse dhe shumë shpresëdhënëse vijnë nga shkencëtarë që vunë gjithë jetën e tyre në shërbim të këtyre fëmijëve. Eliane Chaulet punoi 35 vjet pranë fëmijëve me të meta trupore dhe përgjithësisht me fëmijë me zhvillim mendor shumë të prapambetur, prandaj mesazhet e saj kanë interes të veçantë.
Po cilët janë këta fëmijë? Janë fëmijët tanë. Janë dhimbja e shpirtit tonë. Kjo do të thotë se sot mund të jetë fëmija im, i vëllait tim, nesër mund të jetë fëmija i fëmijës tim. Siç nuk dimë se ku do bjerë rrufeja, ashtu nuk dimë se ku do ndodhë edhe kjo. Mjekësia bën shumë supozime, të cilat shpesh përmbysen. Shpesh sheh çifte të reja, të shëndetshëm, të lumtur që shkëlqejnë nga lumturia dhe, papritur, kundër çdo logjike u takon të ngrenë këtë kryq. Në të kundërt, prindër pa të dhëna të veçanta bëjnë fëmijë të shëndetshëm. Deri sa gjërat vijnë kështu, përballimi duhet bërë me përpjekje, si në çdo rast të vështirë.
Por ndodh diçka e veçantë që e vështirëson gjendjen dhe keqëson gjërat në dëm të fëmijës dhe të familjes. Prindërit, përveç dhimbjes së thellë që ndjejnë në zbulimin e kësaj gjendje, me të cilën bashkohem plotësisht, ndjejnë shpesh edhe një farë turpi. Kjo është edhe pika me të cilën s’jam dakord dhe mendoj se të gjithë e kemi për detyrë që t’i ndihmojmë.
Ç’ndodh zakonisht? E kanë shumë të vështirë që të pajtohen me realitetin, ta pranojnë atë. Kështu me ndjenjën e hidhërimit dhe të zhgënjimit bashkohet edhe ndjenja e turpit. Shpesh e fshehin fëmijën e tyre edhe nga rrethi më i ngushtë familjar, nga të afërmit dhe miqtë dhe, aq më tepër, nga rrethi shoqëror. Që nga ky çast fillojnë dy reagime të gabuara që kanë pasoja më të thella dhe më të dhimbshme.
Reagimi i parë është se vonojnë të marrin vendimin për t’u këshilluar me specialistët dhe kjo vonesë është vrasëse, se humbasin kohë të çmuar. Sa më shpejt e përballojmë aq më tepër shpresa kemi në përmirësimin e fëmijës. Shkalla e përmirësimit varet nga koha sa më e shpejtë e përballimit të gjendjes. Lidhur me këtë, Eliane Chaulet shkruan: “Fëmijët Daun (fëmijët me zhvillim të vonët) nuk lindën që të jenë të vonuar. Kur një pedagog specialist i merr përsipër në kohë dhe me përgjegjësi, ata mund të vazhdojnë normalisht shkollën 8-vjeçare deri edhe në gjimnaz”. Më poshtë shton: “Me sa fëmijë me të meta u mora që në moshën 3-vjeç ose e shumta para 5-vjeç (jo pas 5-vjeç) asnjë nuk mbeti me zhvillim të vonët, asnjë nuk paraqiti anomali në sjellje. Në shumë raste munda t’i fus në shkolla normale, ku mbaruan shkollën fillore dhe të mesme me rezultate të kënaqshme”.
Reagimi i dytë është se krijojnë një atmosferë të tendosur që rëndon vetë fëmijën, prindërit dhe fëmijët e tjerë. Mbyllin derën dhe nuk duan që të tjerët të kuptojnë se ç’ndodh në shtëpinë e tyre, por kjo e bën kryqin e tyre më të rëndë dhe pakëson shpresat për një përmirësim të saktë.
Njoh fëmijë, që u është ndaluar të ftojnë shokë në shtëpi të tyre, që të mos shohin fëmijën problematik. Të tjerë, kur kanë festa, e largojnë fëmijën problematik nga shtëpia që të mos zbulohet problemi, por me këtë mënyrë problemi thellohet dhe pasojat janë më të rënda për të gjithë pjesëtarët e familjes. Kjo është një rrugë tmerrësisht e gabuar që nxit në bërjen e një jete të dyfishtë. Është një qëndrim shumë negativ dhe familja zhytet në më tepër izolim, ndërsa më tepër se kurrë ajo ka nevojë të dalë nga ky izolim.
Kisha jonë ka treguar gjithmonë kujdes dhe u ka qëndruar afër fëmijëve me probleme, duke i ndihmuar si nga ana materiale ashtu edhe shpirtërisht, që ata ta ndjejnë sa më pak ndryshimin me të tjerët.
Sigurisht, në këtë gjendje ndihmon edhe vetë shoqëria. Me gjithë predikimet kundër racizmit, sapo takon diçka jo të zakonshme, do ta komentojë, do ta përballojë me kureshtje. Por kjo është e padrejtë. Edhe këta prindër e prisnin fëmijën e tyre me të njëjtin gëzim që e presin të gjithë. Kishin ëndërruar edhe ata një vajzë ose një djalë të zgjuar, të bukur, plot hir, por jeta vendosi ndryshe dhe jetojnë jetën e fëmijës së tyre jashtë dëshirës, por si ua dha Krijuesi. Asnjë prind nuk mund të caktojë nëse jeta e fëmijës së tyre do jetë e shkurtër apo e gjatë, e shëndetshme apo e sëmurë, në do ndjeki rrugën e mirë apo do marrë rrugë të gabuar. Realiteti i sotëm na e vërteton këtë më tepër se kurrë.
Me shumë mundim binda një shoqe dhe kolege, nënë e një fëmije të tillë, të dilnim shëtitje bashkë me fëmijën. Ishte një ditë e bukur dimri. Në një çast donim të pinim diçka dhe u futëm në një pastiçeri. E, pra, u bëmë epiqendra e interesit të të gjithëve. Lanë bisedat e tyre dhe na shikonin me këmbëngulje dhe interes, si diçka që u kishte bërë shumë përshtypje. Në një çast nëna, tepër e zemëruar, më tha: “Nuk u lodhe që u bëmë teatër?” Rrëmbeu fëmijën e saj dhe u largua e hidhëruar, pa folur fare.
Para 40-vjetësh studioja në Gjenevë. Atje takova fëmijë të tillë dhe u lidha me ta. I sheh në park, në pastiçeri, në rrugë, kudo. Të veshur mirë ata shoqërohen nga prindërit e tyre fare natyrshëm. Asnjëherë dhe askush nuk merret me ta. Ka ardhur koha që të gjithë të veprojmë kështu.
Sigurisht, ka filluar që ky problem të përballet ndryshe nga prindërit dhe shoqëria. Kam një mikeshë me një fëmijë të tillë që më thotë: “Kur na vijnë njerëz në shtëpi i presim që të katërt, kur dalim dalim, që të katërt. Shkojmë atje ku na pranojnë të katërt”. Edhe kjo nënë u mundua shumë që të pranojë këtë qëndrim. Këtu duhet theksuar se njerëzit e thjeshtë sillen shumë herë më mirë dhe pajtohen shumë më shpejt me këto kushte të veganta të jetës së tyre.
Në fshatin tim kisha një familje me një fëmijë të tillë. Ishte e pamundur që fëmija të mësonte të lexonte. Erdhën të diskutonin për këtë rast. Ku ta çonin? Si ta ndihmonin? Në cilën shkollë ta regjistronin, sado që t’u kushtonte? I këshillova ta mbanin në shtëpi, në krahët e tyre, ta rrethojnë me dashuri, por pa e veçuar. Të mësojë edhe ai të bindet, të ndihmojë, të marrë pjesë në jetë dhe të harrojnë shkollimin. Kështu u bë. Sot është një vajzë e rritur, 16-vjeç që ndihmon në shtëpi, qëndis gjëra të thjeshta në makinë, merr pjesë në çdo vend dhe është e pranushme nga të gjithë. Janë miqtë e saj, – siç i quan. Të vëllezërit e duan dhe sillen mirë. Por në rrethet intelektuale gjërat janë ndryshe. Pse, vallë?
Përktheu nga greqishtja
Nafsika Melo