Në datën 4 mars pasdite, në kishën e Ungjillëzimit në Tiranë, në vazhdim të takimeve me intelektualë dhe të rinj, Kryepiskopi Anastas mbajti temën “Pjesëmarrja e përhershme e besimit të Krishterë në Ndërtimin e Evropës.”
Interesi për këtë veprimtari ishte mjaft i madh, gjë që u dëshmua nga numri mjaft i madh i pjesëmarrësve dhe pyetjet e shumta në fund të takimit.
Pjesë e veprimtarisë ishin edhe himnet e bukura të korit të Radios “Ngjallja”.
PJESËMARRJA E PËRHERSHME E BESIMIT TË KRISHTERË NË NDËRTIMIN E EVROPËS
Qytetërimi evropian është rezultat i një procesi shumëvjeçar, gjatë të cilit janë prezantuar, kanë mbizotëruar, janë kontestuar dhe janë hedhur tej elementë të ndryshëm. Shumë vlera shpirtërore të tij kanë kaluar një peripeci të madhe dialogimesh. Ato që kanë mbijetuar, kanë dalë nga përvoja të tmerrshme luftërash dhe janë kalitur në furrën e konflikteve të ashpra.
Evropa është një kompleks kontradiktash të pafund. Dëshira shpirtërore të ndryshme dhe shpeshherë të kundërta lindin në Veri dhe në Jug, në Perëndim dhe në Lindje. Evropa vetëm kur e shohim nga lart tregon tërë shkëlqimin e saj… Fryma evropiane presupozon nocionin e harmonisë së bashkësisë evropiane… Vlera e madhe e kësaj bashkësie është fakti se arriti të bashkonte në një sintezë më të lartë kontradiktat që e përbëjnë.
E përbashkët është konstatimi se në këtë sintezë rol parësor kanë luajtur fryma greke, romake dhe kristiane. Në mënyrë përmbledhëse do të mund të kujtonim se mendimi i lashtë grek ka kontribuar me idenë e demokracisë, të lirisë dhe të bukurisë, tradita romake me parimet e organizimit, të administratës dhe të së drejtës, ndërsa Krishterimi me fuqinë e besimit, të faljes dhe të dashurisë.
Shpesh shkëpusim disa vlera shpirtërore dhe i japim atyre ekskluzivisht njërën apo tjetrën qytetari për nga prejardhja. Por, historikisht ato kanë ndikuar mbi njëra-tjetrën, kanë plotësuar njëra-tjetrën dhe, përfundimisht, bashkëjetojnë duke i lëshuar vend njëra-tjetrës. Madje edhe kur ato janë kontestuar nga njëra apo nga pala tjetër, janë evoluar dhe kanë arritur pjekuri.
Siç shkruan në mënyrë shprehëse Bruno Snell në librin e tij Zbulimi i frymës…: “Qytetërimi i Evropës mbështetet në faktin se grekët e lashtë kanë zbuluar format e ndryshme të këtij rendi (të rendit rigoroz që mbizotëron në botë): për intelektin është ligjshmëria, për shqisat është bukuria, për frymën aktive është drejtësia. Besimi se ekziston e vërteta, bukuria dhe drejtësia, megjithëse prania e tyre në botën tonë nuk është e papërzier, përbën trashëgiminë e pavdekshme të grekëve të lashtë që mban edhe sot vlerën e saj”.
Por, bota helene, duke arritur pas një trajektoreje të ndritshme në limitet e logjikës, kishte filluar të shihte se përtej saj shtrihet hapësira e paeksploruar e të parrëfyeshmes. Dhe arriti në ndërgjegjësim se në këtë hapësirë ishte e pamundur të depërtonte me forcat e veta.
Me pjesëmarrjen dinamike të besimit të krishterë, kthesa bazë, pendimi i njerëzimit duhej kryer në drejtim të dashurisë së Perëndisë, të pakapshme nga mendja njerëzore, dashuri të cilën zbuloi Krishti i kryqëzuar dhe i ngjallur së vdekuri. Krishterimi ofroi elemente të reja jetike, që ndihmuan më gjerë në zhvillimin e qytetërimit evropian. Po zgjedh tri karakteristika:
Së pari, zbulimi i dinamikës së lirisë dhe dashurisë brenda historisë, që i vendosin në një bazë të re marrëdhëniet njerëzore dhe lidhjet me Perëndinë vetjak.
Së dyti, besimi në diçka, që në pamje të parë duket logjikisht e pamundur. Një besim që çoi drejt një kërkimi në përgjithësi të së vërtetës – edhe të asaj shkencore – përtej fenomeneve dhe nevojave të thjeshta.
Së treti, një tendencë e re, luftarake, një ftesë dhe një sfidë për tejkalim të vazhdueshëm në jetën shpirtërore, që shpalos të gjitha fuqitë njerëzore në ecjen e vazhdueshme transformuese të botës. Kjo shtrirje e mundësive njerëzore konsiston përherë në një zgjerim të përpjekjeve njerëzore, në një ecje kritike vetëtejkalimi, që bëhet karakteristikë e qytetërimit evropian.
Tek kritika se Kishat e krishtera janë përgjegjëse për përçarjet, luftërat fetare, intolerancat etj., mund të vihet re se vërtet ka pasur qarqe të krishtera që kanë shkaktuar situata tragjike dhe të dhembshme kur kanë keqinterpretuar dhe kanë shtrembëruar parimet e krishtera; por njëkohësisht nga Kisha kanë ardhur frymëzime të larta dhe kontribute, sa herë ajo ka përjetuar drejt vizionin e krishterë dhe misionin e saj.
2. Mendimi juridik dhe zhvillimi legjislativ i Evropës, siç përmendëm më lart, i kanë themelet tek e drejta romake. Por, kjo e drejtë, pas dominimit të Krishterimit (shek. i 4-t), ka marrë ndikime të qarta nga idetë dhe parimet e krishtera dhe, më gjerë, nga atmosfera shpirtërore që e rrethonte, brenda së cilës u zhvillua që atëherë.
Shkatërrimin e shtetit Perëndimor Romak (v. 476), e pasuan trazira shumëvjeçare, të cilat çuan në shkëputjen e Evropës Perëndimore nga mendimi i pastër juridik romak, me futjen e traditave zakonore të popujve të ashtuquajtur “barbarë”. Ndërkaq, legjislacioni romak vazhdoi të njihej në Perëndim nëpërmjet Kodit Theodhosian (Codex Theodosianus), i cili u botua në vitin 438, në kohën e Theodhosit II. Kjo traditë juridike ka qenë burimi bazë i së drejtës evropiano-perëndimore. Një burim i dytë serioz ka qenë e Drejta Kanonike e Kishës romanokatolike, që natyrisht ishte i ndikuar në shumë aspekte nga mendimi romak.
Me rëndësi përcaktuese për shkencën juridike në përgjithësi ka qenë Kodi Justinian i së Drejtës Civile (Corpus Juris Civilis), i cili përfundoi në vitin 534, kodifikoi dhe përpunoi të drejtën romake që ishte në fuqi deri atëherë, por sanksionoi dhe dispozita të reja. Ky Kod u bë themeli i institucioneve juridike të Perandorisë Romake Lindore.
Në Evropën Perëndimore rryma e re në kërkimet juridike erdhi në fund të shek. të 11-të dhe në fillim të shek. të 12-të, me zbulimin e përmbledhjeve legjislative të Justinianit. Kështu, “uji i jetës” i besimit të krishterë hyri nga drejtime të ndryshme në lumin e mendimit juridik të Evropës dhe kontribuoi në pllenimin e mëtejshëm të idealeve të drejtësisë, të barazisë, të lirisë, si dhe të të drejtave të tjera themelore të njeriut dhe, përgjithësisht, në ngritjen e institucioneve juridike të kontinentit tonë.
3. Një arritje, për të cilën krenohet sot Evropa dhe që e pranon si themel të kulturës së saj dhe si kuadër përcaktues të legjislacionit dhe të organizimit të saj, janë deklaratat mbi të drejtat njerëzore. Me hyrjen në mijëvjeçarin e 3-të, i formuloi ato në Kartën tashmë të njohur “të të drejtave themelore të njeriut” të Bashkimit Evropian, që u shpall zyrtarisht në dhjetor të vitit 2000, në Nice.
Sigurisht, në këtë proces kontribuan një sërë faktorësh. Por, nuk mund të vihet në diskutim fakti se lëvizja rreth të drejtave njerëzore dhe formulimet e veçanta janë kultivuar në ato ambiente kulturore, ku koshienca dhe subkoshienca e njerëzve ishin ndikuar nga doktrina e krishterë.
Duke çuar përpara dhe duke lartësuar pikëpamjen e lashtë greke për vlerën e njeriut, mendimi i krishterë theksoi se dinjiteti njerëzor nuk është një krenari e papërcaktuar civile, por mbështetet në sigurinë se njeriu është në fakt person i shenjtë, krijim i Perëndisë vetjak. Dinjiteti i çdo njeriu nuk lidhet me mendjemadhësinë egoiste për individin e tij, por me ndjesinë e madhështisë njerëzore dhe limiteve të saj.
Kontributi i besimit të krishterë ishte vendimtar në themelimin dhe zgjerimin e koncepteve të lirisë dhe të barazisë dhe ndikimi i tij po i tillë në legjislacionet e shteteve të Evropës.
Sot, të gjitha Kishat e krishtera të Evropës i pranojnë dhe i përkrahin të drejtat njerëzore. Madje, Orthodhoksët, në Konferencën III Panorthodhokse Parasinodike (v. 1986) deklaruan se “meqenëse shpallim vazhdimisht bërjen njeri të Perëndisë dhe hyjnizimin e njeriut, mbrojmë të drejtat njerëzore për të gjithë njerëzit dhe për të gjithë popujt”.
Si Krishterimi Lindor ashtu edhe ai Perëndimor kanë nxjerrë figura të shquara që përcaktuan gjerësinë e parimeve të drejtësisë, solidaritetit, pranimit të tjetrit, që është ndryshe, të bashkekzistencës paqësore, të tolerancës, të cilat sot konsiderohen vlera të vetëkuptueshme të kulturës evropiane dhe i kanë mbrojtur me trimëri. Gjithashtu, ata kontribuan në krijimin e ndërgjegjes së qytetarit të përgjegjshëm, i cili nuk rivendikon vetëm të drejtat, por përmbush detyrimet e tij me konsekuencë, ndershmëri dhe vërtetësi. Në mjedise të krijuara nga ide të tjera fetare, p.sh nga ajo indiane ose nga regjime që mohojnë plotësisht fenë, shpesh vihet re një apati, indiferencë, papërgjegjshmëri dhe pasivitet.
Por, kontributi madhështor i besimit të krishterë ka qenë parimi i dashurisë me gjerësinë, thellësinë dhe lartësinë që iu dha konceptit të saj; dhe njëkohësisht, me frymëzimin dhe fuqinë që Kisha u ofroi miliona besimtarëve për ta përjetuar këtë dashuri.
Karakteristikë e vitalitetit shpirtëror të kulturës evropiane është kërkimi i vazhdueshëm shpirtëror, qëndrimi kritik, dialogu, autokritika, përpjekja për kapërcimin e dështimit, sinteza dhe preokupimi ekumenik. Natyrisht, kjo lidhet me trashëgiminë e mendimit antik grek, por duhet të bëhet e njohur se në mënyrë vendimtare ka kontribuar edhe dinamika e mendimit dhe etikës së krishterë: predispozicioni i pendesës, pastrimit, përtëritjes.
(vazhdon në numrin e ardhshëm)