EmailFacebookKontakt

Kasetë dhe Cd me shërbesat e Pashkëve

Ngjallje! Qendra dhe baza e besimit të krishterë, ashtu siç e vlerëson Apostull Pavli: “Nëse Krishti nuk u ngjall, atëherë i kotë është predikimi ynë, i kotë është dhe besimi juaj” (I.Korint. 15.14).

Ngjallje! Gëzimi i Krijesës, e kremtja më e madhe e Orthodhoksisë, që shndrit pas dimrit të zisë për Kryqëzimin e Shpëtimtarit “i cili mëkatet tona i mbajti vetë në trupin e tij mbi dru” (I Petro 2.24).

Për Kishën e Shqipërisë, Ngjallja ka një karakter edhe më të theksuar. Pas dhjetëvjeçarëve të kryqëzimit të saj nga regjimi ateist, tashmë po rijeton ngjalljen e saj. Jeton mrekullinë e jetës së re.

Kështu, mesazhi i gëzueshëm, që ka tronditur mbarë rruzullin, tingëllon në mënyrë më festive në këtë vend të shumëvuajtur dhe forcon shpresën për kapërcimin e çdo Golgothaje personale apo kolektive.

Ky mesazh erdhi tani që presim të fillojë kreshma e Madhe dhe shërbesat e mrekullueshme të Pashkëve, nëpërmjet kasetës dhe CD “Himne Kishtare Bizantine 4”, të kënduara nga Kori bizantin “Shën Joan Kukuzeli” i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, i cili drejtohet nga mësuesi i tij dhe kompozitori i himneve Arkim. Justini. Ajo përmban të plotë Shërbesën e Ngjalljes.

Regjistrimi u krye në studion e Radios “Ngjallja” nga Eduard – Arsen Dashi.