EmailFacebookKontakt

Leoni i Katanias (20 shkurt)

U lind nga prindër besëmirë dhe aristokratë, afër bregdetit verior të Adriatikut, në Ravenë, qytet me famë për shkak të monumenteve të krishtera të lashta. Falë virtytit të tij e hirotonisin episkopin e Katanias në bregdetin lindor të Siçilisë. Punoi me të gjitha mënyrat për hir të grigjës së tij, bënte bamirësi dhe mrekulli, luftonte kundër idhujtarëve dhe heretikëve. Me materialet e një tempulli idhujsh ndërtoi kishën e shkëlqyer të shën Lukisë (13 dhjetor), e cila ishte martirizuar në Katania. Në ishull ushtronte veprimtari njëfarë Hilidhori, që kishte bërë marrëveshje me djallin që të mohonte Krishtin dhe si shpërblim t’i plotësonte çdo dëshirë. Pra magjistari me magjitë e tij shkaktonte trazira dhe shqetësime, kështu që u dënua me vdekje. Por nuk e kapnin dot pasi u shmangej.

Më kot Hierarku përpiqej që ai të vinte mend. Më në fund Hilidhori u fut në kishë, këtë gjë e kishte bërë dhe herë të tjera, dhe gjatë shërbesës nisi të kërcejë dhe të bëjë gjëra të pahijshme. Episkopit i erdhi në majë të hundës, e lidhi me petrahilin e tij, e nxori jashtë, qortoi shpirtin e papastër, kështu humbi çdo fuqi dhe tërhoqi brenda në zjarr të dënuarin duke u futur edhe ai vetë. Ai që ishte i keq si satanai u bë shkrumb, ndërsa ai që ishte i shenjtëruar si engjëll mbeti i paprekur!

Ngjarja pati jehonë, saqë perandori Leon VI (886 -912) dhe biri i tij, Konstandini VII (913- 959) e thirrën në Konstandinopojë ku e nderuan me shpresëtari. I temjanisi me temjan mbi qymyr të ndezur që e kishte mbi rason e tij – të tjerë pretendojnë se bëhet fjalë për perandorët Leon IV (775 – 780) dhe birin e tij, Konstandin VI (790 – 797) dhe përcaktojnë fjetjen e tij rreth vitit 785.

Çudirat vazhduan dhe pas vdekjes së tij. Gjakrrjedhura aristokrate e Sirakuzës, e dëshpëruar nga mjekët (si gjakrrjedhura e Ungjillit (Mark. 5.25 – 26) nga sëmundja e pashërueshme mbërriti kur bëhej varrimi i tij. U hodh mbi të e mbytur në lot dhe menjëherë u shërua. Lipsanin e shenjtë e mbyllën në kishën e shën Lukisë ku buronte miro shëruese.