Revista e Rinisë Orthodhokse të Shqipërisë
“Kambanat” festoi 2-vjetorin e krijimit të saj. Për të kujtuar këtë ngjarje të veçantë që ka lënë gjurmë në historinë e botimeve të Kishës sonë, pjesëtarët e stafit dhe bashkëpunëtorët e kësaj reviste u mblodhën në një nga lokalet e kryeqytetit në fund të muajit janar dhe festuan së bashku ditëlindjen e dytë të këtij organi përfaqësues rinor.
Ishte dhjetori i vitit 2001 kur lindi ideja dhe dëshira e disa studentëve, aktivistë të Organizatës Rinore Orthodhokse “Bij të Dritës” në Tiranë për të botuar revistën “Kambanat” si një mjet shprehës i botës së pasur shpirtërore të rinisë sonë. Botimi i revistës gjeti mbështetjen e madhe dhe fondet e siguruara nga Kryepiskopi Anastas. Numri i parë i saj doli në qarkullim në kohën kur festojmë Krishtlindjen, duke shfaqur kështu një simbolikë shumë domethënëse me përkimin e kësaj ngjarjeje.
Revista është konceptuar si një botim, në të cilin shpalosen idetë dhe mesazhet e të rinjve orthodhoksë shqiptarë për jetën brenda Kishës, familjes, shkollës dhe shoqërisë. Ajo përhap kudo tingujt rinorë, zërin e kësaj rinie vitale, gjallërinë e ndjenjat e pasura dhe bukurinë shpirtërore të besimit tonë.
“Kambanat” ka tematikë kishtare, kulturore-letrare. Gjithashtu në të janë të pranishëm artikujt informativë mbi aktivitetet që zhvillon rinia orthodhokse në vendin tonë, krijime, ese dhe kuriozitete nga fusha të ndryshme. Revista botohet një herë në dy muaj, është me ngjyra dhe përmban 40 faqe. Ajo shpërndahet në disa qytete të Shqipërisë.
Revista “Kambanat” synon në të ardhmen të vazhdojë të jetë zëri përfaqësues i Rinisë Ortdhodhokse Shqiptare, si dhe të shërbejë si një dritare kulture, horizont shprese dhe dashurie për të gjithë lexuesit e saj.
Isidor Koti