Mitropolia e Gjirokastrës
Vazhdon restaurimi i kishës së Fjetjes së Shën Marisë në fshatin Zervat
Kisha e Fjetjes së Hyjlindëses e Zervatit ndodhet në të hyrë të fshatit, në mes të oborrit që shërben dhe si varrezë. Mbishkrimet e gjetura na japin dy datime. I pari në 1583 është një gur i murosur në muraturën e kambanores që jep vitin dhe emrin e murgut Kalist, dhe mbishkrimi i dytë, pikturuar në suva mbi portën që lidh naosin me narteksin, bën fjalë për ndërtimin nga themelet të naosit dhe pikturimin e saj më 1606 dhe na njeh me piktorët Mihal dhe Nikolla. Në këtë kishë duken faza të ndryshme ndërtimi, të cilat mendojmë se janë bërë për funksionimin e saj në përshtatje me numrin e njerëzve që u ka shërbyer.
Kisha e Fjetjes së Hyjlindëses në Zervat është një nga monumentet më të rëndësishëm të periudhës pasbizantine që ruhet në Shqipëri, me vlera të veçanta arkitektonike dhe artistike. Ajo paraqet një interes të veçantë si nga ana tipologjike dhe morfike ashtu edhe nga studimi i fazave dhe datimi i tyre. Si pasojë e mosmarrjes në të kaluarën masa të duhura konservuese, monumenti ka pësuar dëmtime të tilla të strukturave, që ia kanë ulur në mënyrë të ndjeshme aftësinë mbajtëse të tij si dhe ka sjellë dëmtime serioze të pikturës morale që vesh gjithë interjerin e kishës.
Për këto arsye u ndërmor studimi dhe më pas projekti i restaurimit të këtij monumenti.
Si përfundim të studimit dhe sondazheve, faza e parë na paraqet një kishë e tipit në formë kryqi të lirë me kupolë që si tipologji është e shtrirë në periudhën Bizantine dhe më vonë kemi transformimin e interierit dhe eksterierit, të cilëve iu janë shtuar kohë mbas kohe ambiente dhe volume duke arritur deri në formën që ne shohim sot.
Ndërhyrjet restauruese filluan në muajin prill 2003. Këto ndërhyrje kanë për qëllim konsolidimin e strukturave, konservimin e elementeve arkitektonikë si dhe konservimin e pikturës murale (afresk). Deri më sot janë kryer punime, si zbulimi i të gjithë çatisë nga pllakat e gurit dhe nga materialet mbushës, më pas u bë konsolidimi i konstruksionit të çatisë (harqe, qemere, kupola), konsolidimi i mureve dhe përforcimi i themeleve. Një ndërhyrje shumë e kujdesshme është duke bërë edhe për konsolidimin e afreskut në të cilin është bërë integrimi, injektimi për konsolidim dhe pastrimi i sipërfaqes afërsisht në 80 % të pikturës. Gjithashtu në proces është edhe restaurimi i pjesës së sipërme të ikonostasit (baltakinit). Sipas grafikut të punimeve do të vazhdojë konsolidimi i mëtejshëm i mureve, si dhe mbulimi i çatisë sipas fazave, duke arritur edhe synimin e ndërhyrjes për vlerësimin dhe evidentimin e tyre. Më pas do të vazhdohet me konservimin e plotë të pikturës murale dhe me konsolidimin e gdhendjeve të drurit (ikonostas, frone, amvon, tavolinë e shenjtë). Punimet sipas grafikut parashikohet të përfundojnë në muajin nëntor 2004.
Edhe ky investim i radhës është në kuadrin e kontributit të Kryepiskopit +Anastas për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Shqipëri si dhe të ringjalljes së pasurisë shpirtërore.
Pamje e jashtme dhe e brendshme e kishës gjatë punimeve
Ark. Rest. Gentian Joan Stratobërdha