“Jam shumë i prekur dhe ndihem shumë i kënaqur sot që ndodhem këtu, mes jush, pas një periudhe të gjatë”, iu drejtua Fortlumturia e Tij Anastasi orthodhoksëve beratas, që kishin mbushur shtëpinë e Zotit.
Ai erdhi më 25 janar në kishën historike të Shën Spiridhonit për të kryer së bashku me Imzot Ignatin Liturgjinë Hyjnore të së dielës së 15-të të Llukait, të Zakheut e të Shën Grigor Theologut, si dhe për të zhvilluar ceremoninë e të dyzetave nga dita e fjetjes së Ikonom Stafrofor, At Vangjel Xoxes.
Dy klerikët e lartë shoqëroheshin në meshim nga protopresviteri Jani Trebicka, nga priftërinjtë Petraq Simsia, Kristaq Subashi, Nikolla Nushi dhe nga dhjakonët Spiridhon Pipa dhe Asti.
Duke iu referuar Ungjillit të Shenjtë të kësaj dite, Kryepiskopi Anastas bëri një predikim sa të këndshëm, aq edhe të çmuar.
Para se të mbaronte Liturgjia Hyjnore, u zhvillua ceremonia e përshpirtjes për të dyzetat e fjetjes së Ikonom Stavrofor, At Vangjel Xoxes. Fortlumturia e Tij, shprehu konsideratën e lartë që kishte për të ndjerin prift: “Shumë vjet më parë, më 25 qershor 1991, pata nderin ta hirotonisja nga dhjak në prift dhe qysh prej asaj dite e quajta at Vangjelin si birin tim shpirtëror. Ashtu si çdo prind që ndien hidhërim të madh për birin që ikën para babait, ashtu dhe unë ndjej po kaq dhembje për birin tim shpirtëror, papa Vangjelin, që iku para meje. Ai u lind në një familje priftërinjsh, që e edukuan qysh në fëmijëri me dashurinë për Krishtin. Vëllai ynë Vangjel, njeri me forcë të madhe shpirtërore burrërore i ofroi shumë Kishës. Ai ishte si një simbol brenda njerëzve, njeri me besim të madh e i përulur në periudhën e errët të mbylljes së kishave vazhdoi të bëjë punën e zdrukthtarit. Kur rihapën kishat, ai nxitoi të bëjë punën e tij si klerik. Që atëherë e ndieva si një person të afruar, i cili me ndershmërinë e tij ishte për mua një bashkëpunëtor shumë i shquar. Do ta kujtojmë me dashuri e respekt për gjithçka që bëri për Kishën. Ishte një bekim i madh për Beratin, që kishte këtë prift. Për shtatë vjet me radhë ai ishte përfaqësuesi im këtu. At Vangjeli me shumë devotshmëri i kreu detyrat”.
Fjalët e fundit të Kryehirësisë së Tij u shoqëruan me psaljen: “I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!”.
Pas mbarimit të Liturgjisë Hyjnore, Mitropoliti i Beratit, Imzot Ignati, e shoqëroi Fortlumturinë e Tij për të vizituar shtëpinë e kursit të rrobaqepsisë dhe Katedralen madhështore, në ndërtim e sipër, të Shën Dhimitrit. Të gjitha këto vepra të rëndësishme, janë ndërtuar në sajë të ndihmave të shumta që siguron Kryepiskopi Anastas nëpërmjet miqve e dashamirësve të panumërt që ka në mbarë botën.
I kënaqur nga gjithçka që pa e dëgjoi, Fortlumturia e Tij mori pjesë në drekën që shtruan familjarët e të ndjerit famulltar. Këtu edhe një herë Kryehirësia e Tij ngushëlloi thellësisht priftëreshën Vushe dhe pjesëtarët e tjerët të familjes, duke thënë: “…Dua që familjarëve të tij Perëndia t’ua zvogëlojë dhembjen. Lutem që qyteti i Beratit të nxjerrë njerëz të tillë që të vazhdojë punën. Ata që punuan me guxim nuk vdiqën, por rrojnë në jetë të jetëve. Keni fat që në këtë Mitropoli të keni Mitropolitin Ignat”.
Gjatë drekës e mori fjalën edhe Imzot Ignati, i cili theksoi: “Kryehirësi! Na shtove jetën. Na entuziazmove, na gëzove, na frymëzove me praninë Tuaj. I bëre nder At Vangjelit, nderove familjlarët e tij dhe të gjithë shpresëtarët beratas me predikimin me fjalët ngushëlluese dhe me horizontin Tuaj të pamatë, që treguat në këtë ditë të paharruar.
Fortlumturi, këto fjalë të shtrenjta do të na nxisin për të punuar më me zell, për të përmbushur sa më mirë detyrat tona.
Ju falënderojmë nga zemra për gjithçka që keni bërë dhe bëni për forcimin e kishës sonë. Si një at i dashur, i pajisur me hirin e Zotit përveç kishave të shumta anembanë Shqipërisë, keni ngritur Katedralen e Korçës, atë të Durrësit dhe tani edhe Katedralen e Shën Dhimitrit në qytetin tonë të lashtë.
Ju deri tani keni punuar për të tjerët, kurse për vete nuk keni bërë gjë. Nëse neve na keni ndihmuar Ju, i përndritur Kryehirësi jam i bindur se për Juve do të kujdeset vetë Zoti, që edhe në Tiranë të ngrihet madhështore Katedralja e munguar deri tani, që e presin me padurim të gjithë orthodhoksët shqiptarë”.
Ilia Mihai Zaka