Është ndodhi e përsëritur e ripërsëritur, që një organ shtypi të shkruajë me papërgjegjshmëri për një çështje që ka të bëjë me Kishën tonë. Por, është e rrallë që një organ shtetëror, në këtë rast Komiteti i Kulteve, të mbajë një qëndrim të qartë e të prerë ndaj këtyre sajesave dashakeqe.
Republika e Shqipërisë
Këshilli i Ministrave
Komiteti Shtetëror për Kultet
Deklaratë për shtyp
Gazeta “Panorama” në datën 26.01.2004 ka botuar, në referencë të Komitetit Shtetëror për Kultet, shkrimin: “Të mbyllen dy universitetet fetare” me titra të mëdha si “Ultimatumi”.
Të konsideruar si autorë burimorë të këtij shkrimi, ndihemi të detyruar të deklarojmë: Nuk ka dhe nuk ka patur asnjë kërkesë të Komunitetit Shtetëror për Kultet as zyrtarisht dhe as verbalisht për mbylljen nga instancat zyrtare shtetërore të “Akademisë Orthodhokse” në Shën Vlash të Durrësit dhe të “Seminarit Katolik” në Shkodër. Prej nesh është kërkuar që prej vitit 2001, vetëm liçensimi i këtyre institucioneve që ekzistojnë dhe funksionojnë prej më se 9 vjetësh.
Informacioni i parashtruar në këtë shkrim, për përbërjen dhe destinacionin e studentëve, për personelin pedagogjik dhe burimet e financimit të këtyre dy shkollave, nuk ka dalë kurrsesi nga Komiteti Shtetëror për Kultet, sepse ne nuk dimë dhe nuk mund t’i dimë.
Të dhënat e parashtruara në shkrim janë, jo vetëm të sajuara (burimet e tyre i di gazetari dhe redaksia), por edhe provokative. Synimi, që del qartë edhe nga leximi i vëmendshëm i shkrimit, është një farë armiqësimi mes myslimanëve e të krishterëve, mes Perëndimorëve dhe Lindorëve, (sipas shkrimit dy shkollat kristiane nuk u mbyllën nga Qeveria, sepse i përkasin “frontit perëndimor”, kurse dy shkollat e besimit mysliman-po).
Komiteti Shtetëror për Kultet nuk e ka në kompetencë as hapjen dhe as mbylljen e institucioneve arsimore jopublike fetare. Ai mund të japë mendim për programin fetar dhe veprimtarinë në këtë kuadër, por kurrsesi “ultimatum”.
Biseda e drejtuesit të Komitetit Shtetëror për Kultet me autorin e shkrimit është bërë kryesisht për rregullimin ligjor të raporteve shtet-fe në zbatim të Kushtetutës, që në shkrim injorohet, kurse të tjerat, me përjashtim të kërkesës për liçensimin e dy shkollave, janë sajesa me burime që i di gazeta.
Këtë deklaratë e bëjmë për t’iu përgjigjur “Ultimatumit” provokativ të gazetës “Panorama”, që synon dukshëm të atakojë tolerancën historike e shembullore ndërfetare në Shqipëri.
Nën përgjegjësinë time personale
Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet
Fatri Sinani
Tiranë, më 26.01.2004