EmailFacebookKontakt

Në këtë numër të “Ngjalljes” po japim sërish lajme për kisha orthodhokse të grabitura apo dëmtuara

Në këtë numër të “Ngjalljes” po japim sërish lajme për kisha orthodhokse të grabitura apo dëmtuara.

Një ikonostas është vjedhur për të disatën herë në Karavasta dhe një kishë është dëmtuar pjesërisht nga zjarri në Vanaj. Të dyja janë monumente kulture që janë në ruajtjen dhe përgjegjësinë e shtetit (i cili vazhdon ta quajë veten pronar i tyre), por kjo nuk i pengon aspak keqbërësit (rregullisht të panjohur), të veprojnë.

Problemi është më i gjerë se cënimi i këtyre dy kishave. Është tek fakti se shteti demokratik këmbëngul të përjetësojë gjendjen dramatike për besimet që solli regjimi monist ateist, duke këmbëngulur të quajë pronë të vetën kishat, ikonat apo arkivat që u vodhën dhunshëm dhe duke i trajtuar ato si mall dhe jo si gjëra me vlera të pallogaritshme shpirtërore për komunitete mjaft të mëdha.

Nga një botim i Ministrisë së Kulturës mund të kuptosh përmasat e kësaj dukurie: Nga 1130 monumente kulture e natyrore zyrtare që ka Shqipëria, rreth 150 janë kisha orthodhokse (35 të feve të tjera). Kjo, ndërkohë që fondi për t’i ruajtur e mirëmbajtur ato është qeshrak. Buxheti vjetor i Institutit të Monumenteve është sa 25-50 për qind e fondeve që duhen për restaurimin e plotë të një kishe me vlera të veçanta!… Sivjet për shembull, gjysma e tij do përdoret për shtëpitë monumentale në rrezik shembjeje të Gjirokastrës. Shto këtu shpenzimet administrative dhe urgjente dhe kupton se për kishat s’mbetet asgjë, përveç këmbënguljes për të mos ia ridhënë pronarit të ligjshëm, Komunitetit Orthodhoks, paçka se mund të shemben e shkatërrohen (mbase për ndokënd kjo do të ishte më e pëlqyeshme).

Për më shumë, ka qenë Kisha jonë, që megjithë këtë gjendje absurde, ka investuar më shumë se 3 milionë dollarë për restaurimin dhe ruajtjen e këtyre monumenteve.