Nga data 29 janar deri më 1 shkurt, në Opole të Polonisë u mbajt mbledhja e Komitetit të Përbashkët midis Konferencës Evropiane të Kishave (CEC) dhe Këshillit të Konferencave (të episkopëve katolikë) të Evropës (CCEE). Në të mori pjesë dhe Kryepiskopi Anastas, si zëvendëspresident i Konferencës Evropiane të Kishave.
Në veprimtari të dy organizatat përfaqësoheshin nga autoritete të larta fetare, si dhe nga stafi i tyre drejtues. Ajo përmbante në programin e saj vlerësimin e punës së Komitetit të përbashkët dhe adoptimin e materialeve të përgatitura nga takime të mëparshme përgatitore, aprovimin e programit për periudhën në vazhdim, shqyrtimin e situatës së lëvizjes ekumenike në Evropë, organizimin e veprimtarive dhe organizmave për vënien në jetë të “Kartës Ekumenike”. Gjithashtu, u bë shqyrtimi i punës dhe detyrat e Komitetit “Islami në Evropë”, duke e vënë theksin tek mënyrat dhe rrugët e realizimit të këtij dialogu ndërmjet besimeve. U diskutua edhe për qëndrimin e kishave ndaj Kushtetutës Evropiane që po përgatitet dhe raportet e tyre me politikanët, për kohën e mbajtjes së takimit të tretë ekumenik evropian në vitin 2007, që do të zhvillohet në Evropën Lindore, në vendet me traditë Orthodhokse, si dhe u caktua data e takimit të ardhshëm të Komitetit të Përbashkët.
Takimi pati edhe shërbesa fetare të besimeve të ndryshme, takime me autoritetet lokale, vizitë në ipeshkvinë lokale katolike, një celebrim ekumenik etj.
Duhet veçuar ftesa që iu bë Kryepiskopit Anastas nga pedagogët dhe studentët e Universitetit Teologjik Katolik të Opoles. Në fjalën para tyre, Fortlumturia e Tij theksoi midis të tjerave: “Kur jam pranë studentëve ndihem si në shtëpinë time. Fjalët “Universitet” dhe “Ekumenizëm” janë sinonime, pasi të dy janë të interesuar për gjithë botën. Detyra jonë është të jetojmë dhe të përpiqemi për përparimin e Kishës lokale dhe ta shohim atë në aspektin e të gjithë botës. Në Evropën e Bashkuar duhet që të Krishterët të jenë së bashku… Detyra jonë sot është të mendojmë së bashku, të veprojmë së bashku dhe të pranojmë Kryqin së bashku”.
Fjala e Kryepiskopit Anastas u duartrokit për disa minuta dhe dekani i Universitetit tha se ishte një nder i madh për këtë universitet prania e një personaliteti të shquar në jetën fetare në Evropë dhe më gjerë, siç është Kryepiskopi Anastas.
Kryepiskopi Anastas foli gjithashtu dhe në Kishën e Qytetit të Opoles, përpara besimtarëve të shumtë që kishin ardhur të ndiqnin Liturgjinë. Midis të tjerave, ai tha:
“Ne si të krishterë, nëse do t’i hedhim një vështrim historisë, do të shohim se Kisha ka një karakter apostolik. Gjithashtu, ne kuptojmë se do ndjejmë një gëzim të madh për të shkuarën e saj dhe një dhimbje të madhe për të tashmen. Kur mendojmë se në mijëvjeçarin e parë të gjithë të krishterët ishin të bashkuar, dhe në mijëvjeçrin e dytë fatkeqësisht ne u ndamë, jo aq shumë për shkaqe teologjike, por politike dhe interesa të tjera, lind pyetja, se çdo të ndodhë me ne në mijëvjeçarin e tretë? Do të ndjekim mijëvjeçarin e parë apo të dytë?
Disa nga ne mendojnë se duhet të ndjekim mijëvjeçarin e parë. Do të ishte skandal për ne të krishterët që të bëheshim më pak profetikë se politikanët, të cilët shikojnë përpara për një Evropë të bashkuar dhe si është e mundur për ne të krishterët të veprojmë të izoluar.
Sekreti për ne është gjithmonë Ai që ishte është dhe do të jetë, Krishti Zot. Ne e dimë se rruga për t’iu afruar të tjerëve është e ngjashme me atë të afrimit sa më shumë me Jisu Krishtin. T’i kërkojmë Atij që çdo ditë e më shumë të na çlirojë nga egoizmi ynë dhe gjthë veten tonë t’ia përkushtojmë Atij.
Dihet se kjo nuk është një detyrë e lehtë. Por, çfarë gjëje që ka vlerë është e lehtë për t’u arritur? Prandaj më e rëndësishmja është të përpiqemi që të mendojmë si Ai mendon, të veprojmë si Ai veproi, të ndjejmë si Ai ndjeu dhe të kuptojmë realitetin si Ai bëri. Sa herë ne i afrohemi më shumë Krishtit, ne kontribuojmë për bashkimin e të krishterëve. Dhe le të lutemi për njëri – tjetrin që çdo ditë të marrim më me shumë seriozitet besimin tonë, të përpiqemi për ta kuptuar, dashuruar dhe shërbyer më shumë Krishtit.
Unë e di, se janë shumë njerëz që thonë, se për t’u bashkuar të krishterët duhet të ndodhë ndonjë çudi. Por, përgjigjja është e qartë, se patjetër që duhet një mrekulli, por ne besojmë në mrekullitë. Dhe mrekullitë nuk bëhen nga ne, por nga fuqia e Shpirtit të Shenjtë. Të gjithë ne që marrim pjesë në këtë ndarje të dhimbshme përsëri jemi të mbushur me shpresë, sepse ne e dimë se fjala e fundit nuk është e jona, por është e Atij që është Fjala e Perëndisë. Le të vazhdojmë të gjithë së bashku me më shumë seriozitet dhe shumë zjarr në zemër për të arritur bashkimin e të krishterëve. Ne besojmë në çudinë!
Jorgo Papadhopulli