EmailFacebookKontakt

Kremtohet me madhështi Uji i Bekuar

Në Berat, në prani të mijëra qytetarëve, Imzot Ignati e hodhi kryqin në ujërat e Osumit

Berat

Berati, djepi i bukurisë shpirtërore i besimtarëve, qyteti i penelit të Onufrit, ka kredon e veçantë legjitime në kremtimin e Ujit të Bekuar. Këtë ditë të shënuar, që i solli gjithësisë që krijoi vetë dora e Zotit, jo vetëm dritë, por dhe jetë çdo krijese, qyteti i kodikëve e kremton me madhështi.

Si çdo vit, Liturgjia filloi në orën 6, në Kishën e Shën Spiridhonit. Ajo, u drejtua nga Imzot Ignati, i shoqëruar nga at Petraqi dhe dhjakon Spiridhoni. Besimtarët, që kishin mbushur kishën janë pothuaj nga gjithë dioqeza, por ka të ardhur dhe nga Durrësi, Tirana e Elbasani, Korça e Shkodra; pra nga gjithë Shqipëria vijnë e mblidhen në Berat këtë të kremte të madhe, sepse ka të veçantën në ceremoninë e hedhjes së kryqit në ujë. Pas Liturgjisë Hyjnore besimtarët, pasi dëgjuan mesazhin që përcjell kjo ditë e shënuar nga Imzot Ignati, u nisën drejt Urës së gurtë të Goricës, nga ku hidhet kryqi i shenjtë, duke kënduar gjatë gjithë rrugës himnin e pagëzimit. “Në Jordan kur pagëzoheshe, o Zot”.

Me mijëra besimtarë kanë mbushur luginën e lumit Osum dhe mbi urë. Të gjithë kanë kohë që presin. Bijtë e dritës, djalëria beratase, djemtë besimtarë, në këtë mot të ftohtë, tipik për lagjen Goricë, rrinë në ujë dhe s’duan t’ia dinë, pasi kanë pranë Perëndinë. Kryqin e hodhi Imzot Ignati e u kap nga i riu goricar 21-vjeçar Saimir Sokolli, i shoqëruar nga Llazar Avrami, Eliger Llanjoti e djem të tjerë beratas.

Sipas traditës, ata pasi ia dorëzuan Imzot Ignatit, ku morën dhe bekimin, filluan ritin e tyre tradicional, duke bërë vizita me të nëpër familje.

Pastaj besimtarët e vendosur përgjatë Osumit nisën të mbushnin ujë, për ta pasur në familje gjatë tërë vitit.

Sotiraq Mishaxhi

Gjirokastër

Edhe në zonat e Mitropolisë së Gjirokastrës ishte intensive atmosfera festive e gjithë dymbëdhjetëditëshit, nga Krishtlindjet tek Theofania e Zotit Jisu Krisht. Në të gjitha enoritë e mëdha, por edhe në ato më të voglat, falë organizimit nga mitropolia u bë e mundur që të zhvillohen liturgji ose shërbesa të tjera, që sollën besimtarët në kishë dhe e bënë më të prekshëm mesazhin e kremtimeve.

Në veçanti grupet e katekizmit, të rinisë orthodhokse, por edhe nxënësit e Shkollës Kishtare “Kryqi i Nderuar” dhe të konviktit orthodhoks në Bularat organizuan festat e tyre të gëzuara për Krishtlindjet, të mbushura me këngë për Perëndinë, me humor rinor, por edhe me dhurata.

Në veçanti, Bekimi i Ujërave ishte ditë gëzimi jo vetëm për të krishterët orthodhoksë, por për të gjithë komunitetin në Sarandë dhe Përmet, ku është bërë tashmë një traditë e mbarë hedhja e kryqit respektivisht në ujërat e Jonit dhe në ato të lumit të Vjosës.

Por, Theofania u kremtua sivjet edhe në enorinë e Memaliajt, kisha e re e së cilës kremton “Lindjen e Krishtit”.

Edhe në fshatra dhe qyteza të tjera u krye Shërbesa e Ajazmës, nga ku morën ujë si bekim në shtëpitë e tyre besimtarët e krishterë.

Korresp. i “Ngjallja”

Korçë

Më 6 janar, si çdo vit u kremtua edhe në dioqezën e Korçës festa e Ujit të Bekuar. Në orën 07:00 filloi Shërbesa e Mëngjesores, duke u pasuar nga shërbesat e tjera, të cilat ishin Liturgjia Hyjnore, Bekimi i Madh i ujit.

Më pas shërbesa vazhdoi me hedhjen e Kryqit të Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht në shatrivanin para katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Korçë, ku ishin të gjithë klerikët e qytetit. Ndërkohë që po hidhej kryqi kish filluar të binte dhe dëbora e bardhë, që të moshuarit e quajnë “mbarësi”.

Më pas të gjithë klerikët morën bekimin nga Imzot Joani, Mitropoliti i Korçës, Pogradecit, Kolonjës, Devollit dhe Voskopojës, duke u drejtuar nëpër fshatrat përkatëse, për të hedhur kryqin edhe në ato vende.

Kur mbaroi shërbesa e hedhjes së kryqit në qytetin e Korçës, Imzot Joani u drejtua për të hedhur kryqin në Liqenin e Pogradecit. Megjithëse ishte ftohtë dhe liqeni kish dallgë, të rinjtë pogradecarë nuk u trembën aspak nga ajo kohë e vështirë. Pas disa minutash kryqi u gjet nga një i ri, i cili e shëtiti nëpër qytet dhe në familjet e besimtarëve. Ishte një pjesëmarrje e gjerë si në qytetin e Korçës edhe në atë të Pogradecit.

Hierodhjakon Kristofor Marteci