Ishte kryetar i një familjeje shenjtorësh! Lindi rreth vitit 280 (ose më parë), në fshatin Arianzi, në rrethinat e qytetit të vogël Nazianz, në Kapadoki (Azia e Vogël). Ishte pronar i madh tokash dhe pasues i një feje të përzier, midis idhulltarisë dhe hebraizmit. U martua me shën Nonën (5 gusht), tezen e shën Amfilohit, episkopit të Ikoniut (23 nëntor). Ishte ajo që më pas arriti dhe e ktheu burrin e saj nga feja e mëparshme. Ky kthim u konsiderua kaq i rëndësishëm, sa pagëzimi i tij (viti 325), u bë nga episkopët që po shkonin në Sinodin e Parë Ekumenik të Nikeas. Ndoshta atëherë mori edhe emrin Grigor, për nder të shenjtit shumë të dashur të zonës, shën Grigor Çudibërësit (17 nëntor). Më vonë u hirotonis episkop i Nazianzit dhe e kulloti grigjën e tij me zell për 45 vjet.
Çifti ishte pa fëmijë për shumë vjet, por falë lutjeve të bashkëshortes u lindën shën Gorgonia (23 shkurt), Grigor Theologu (25 janar) dhe shën Qesari (9 mars). Madje, Grigor Theologu, do të ishte ai që do ta sillte në vete të atin e moshuar, që kishte rrëshqitur në filoarianizëm dhe ai pastaj do ta hirotoniste të birin në prift (viti 361 ose 362).
Gorgonia ishte mjaft e zgjuar dhe preferonte dhënien e lëmoshës, vetëpërmbajtjen, lutjen dhe studimin. Atë e martuan me një burrë, të cilin e udhëhoqi në shpresëtari të plotë, sipas shembullit të së ëmës, siç bëri edhe me të pesë fëmijët e saj. U hidhërua jashtë mase, si edhe Theologu, kur menduan se Qesari ishte joshur nga Julian Shkelësi (361-363). Njëherë ndodhi që në një aksident pati thyerje eshtrash, por e ndrojtur siç ishte, nuk pranoi doktor, pra e shëroi Perëndia. Një herë tjetër, me një sëmundje të pashërueshme, ra para Tryezës së Shenjtë dhe atje u shërua sapo u lag me lotët e saj. Më në fund, u informua për vdekjen e vet nëpërmjet një vegimi. Ndërroi jetë duke pëshpëritur “Në paqe do të fle…” (Psalmi 4.9). Ajo dhe Qesari fjetën para kohe (vitet 368 ose 369) dhe fjalët e përmortshme i mbajti Theologu.
Në vitin 374 vdiqën shumë të moshuar babai dhe pas disa muajsh edhe nëna. Ruhet gjithashtu një fjalë e përmortshme e shkëlqyer e Grigor Theologut, të cilën ai e mbajti para lipsanit të të atit, në prani edhe të Shën Vasilit (1 janar). Hierarku i Nazianzit kishte luftuar me urtësi për zgjedhjen e Vasilit si kryepiskop të Qesarisë.