Fortlumturisë së Tij Kryepiskopit të gjithë Shqipërisë Prof. Dr. Imzot Anastasit
Fortlumturi, prej kohësh na shqetësonte fakti se besimtarët e qytetit tonë sa herë që prishej koha i drejtonin sytë nga kisha dhe shqetësoheshin për dëmet që shkaktonte herëpashere shiu apo erërat e forta. Mblidheshin në kishë gjatë Liturgjisë Hyjnore apo në ceremoni të ndryshme, edhe pse shumë herë pikat e ftohta të shiut bëheshin shqetësuese, ata luteshin të bindur në fjalët e Ungjillit: “Sepse, kudo që dy a tre janë bashkuar në emrin Tim, Unë jam në mes të tyre” (Mateu 18:20). “…kërkoni dhe do të gjeni, trokitni dhe do t’ju çelet” (Mateu 7:7). Dhe ne trokitëm, dhe Ju na çelët dyert e zemrës suaj të madhe që ka vend për të gjithë. Ju bëtë që shqetësimi ynë të merrte fund, duke na dhuruar një fond të konsiderueshëm (fonde që Ju me shumë mund i mblidhni anembanë botës), që mundësoi rikonstruksionin e plotë të çatisë së kishës, që me përkushtimin e admirueshëm të drejtuesve dhe specialistëve të Zyrës Teknike pranë Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, u bë në një kohë rekord. Tashmë ne do të lutemi të qetë në kishën tonë dhe nuk do të harrojmë kurrë atë çka Ju bëtë për ne.
E vlerësojmë përkushtimin Tuaj, përpjekjet dhe sakrificat tuaja dhe nga thellësia e shpirtit Ju themi faleminderit dhe i lutemi Zotit që t’ju fali shëndet dhe jetë të gjatë që edhe shumë të tjerë të shijojnë frytet e mirësisë së punëve dhe ndihmave Tuaja, bekimeve Tuaja, për të cilat kaq shumë kemi nevojë.
“I bekuar qoftë Zoti, sepse ka dëgjuar zërin e lutjeve të mia” (Psalmi 28:6).
Në emër të të gjithë besimtarëve të qytetit të Selenicës
Këshilli Kishtar i Kishës së Shën Thanasit, Selenicë
Vasil Bombaj, Vangjel Mitraj, Vitori Anastasi, Dhimitër Mihali
Thimio Bombaj, Paskal Kota, Thimio Dhamaj, At Spiro Bulika