EmailFacebookKontakt

Një traditë që vazhdon edhe sot

Çdo vit në datën 23 dhjetor në qytetin e traditave të mëdha, në Korçë zhvillohet festa e kolendrave, një festë e mrekullueshme dhe shumë e gëzueshme, festë e cila i bën të gjithë të gëzojnë dhe të ndjehen ndryshe. Persona të çdo moshe gëzojnë si fëmijë duke kënduar gëzueshëm: “Kolendra kolendra sot, gëzuar për shumë mot. Zotërinj dhe zonja”.

Askush nuk e di se sa e vjetër është kjo traditë, ndoshta është e lashtë sa vetë krishterimi në këtë qytet.

Edhe këtë vit u zhvilluan gëzueshëm kolendrat, me dëborën që shoqëroi gjithë rrugëtimin e grazhdit. Fëmijë, të rinj, por edhe të moshuar të përfshirë nga fryma e kolendrave, shpallin gëzueshëm lajmin e lindjes së Shpëtimtarit të botës, Perëndinjeriut Jisu Krisht.

Të gjithë si ëngjëjt që madhërueshëm lajmëruan Lindjen e Zotit, lajmëronin kudo: “Ja Krishti lind, lavdërojeni. Ja Krishti i qiellit vjen dilni priteni…”. Në çdo portë trokitej dhe jepej Lajmi i Mirë, se në qytetin e Davidit lindet Foshnja e shenjtë, në shpellën e Betlehemit lindet Drita që do të ndriçojë çdo njeri. Çuditërisht gjatë procesionit gazmor m’u kujtuan fjalët e profetit që thotë: “Populli që bariste në errësirë pa një Dritë të madhe…”. Është kjo drita që lindi në grazhdin e Betlehemit, që jep ngrohtësi edhe në këtë natë të ftohtë dimri. Çdo grup dukej si një grup engjëjsh që lajmëronin lindjen e Foshnjës së Betlehemit. Të gjithë me grazhdin e stolisur madhërisht i tregonin çdokujt për atë që do të ndodhte, pa pasur një skenar inskenonin ngjarjen më të madhërishme të historisë së njerëzimit, Lindjen e Krishtit.

Trokitej në çdo derë, trokitej në çdo zemër, që të hapej grazhdi i zemrave, që Foshnja e Betlehemit të lindej edhe atje. Kjo është dita e kolendrave, një lajm, një lajm gazmor dhe i çuditshëm që vjen nga Betlehemi. Një lajm që realisht duhet të ndryshojë jetën e çdo personi, sepse ky është edhe qëllimi i kësaj lindjeje, që të ndriçohet çdo zemër njerëzore. Është ky misteri që i mbush të gjitha me gëzim, që të gjithëve u jep guxim dhe që zbut çdo zemër njerëzore. Kjo Foshnjë është ajo që i përul të gjitha dhe ajo çka lajmërojnë kolendrat se: “Në qytet të shenjtëruar u lind foshnja e bekuar, zotërinj dhe zonja”.

Vangjel Qazimllari
Korresp. i “Ngjallja”