Krishtlindjet në Korçë
Atmosferë e ngrohtë Krishtlindjesh
Në atmosferën e Krishtlindjeve, e cila për shumë ditë kishte pushtuar qytetin e Korçës me veprimtari të ndryshme, të cilat kishin të bënin me këtë të kremte të madhe për mbarë Krishterimin dhe që i paraprin asaj, në datën 20 dhjetor, nga Mitropolia e Shenjtë u zhvillua festivali i grupeve rinore. Në këtë festival morën pjesë grupe të rinjsh nga e gjithë dioqeza, si Prespa, Devolli, Korça, madje dhe nga pika më e largët e Leskovikut. Ky aktivitet zgjati rreth 2 orë dhe konkuruan 14 grupe të rinjsh.
Ky festival, i cili organizohet në kuadrin e aktiviteteve të Zyrës së Rinisë, u ndoq nga Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Joani, si dhe nga klerikë të shumtë. E veçanta e festivalit të sivjetshëm ishte se përveç besimtarëve korçarë, të cilët ndoqën me kënaqësi këtë aktivitet, ku përveç këngëve me karakter fetar, të gjitha grupet kishin sjellë grimca kulturore dhe tradicionale nga zonat që ata përfaqësonin, pati dhe shumë njerëz nga zonat e ndryshme, që i shoqëronin me dëshirën që grupi i tyre të fitonte.
Si në çdo veprimtari, fituesit do të ishin vetëm disa grupe, ku vendin e parë e zuri grupi i fshatit Polenë, i njohur në gjithë zonën për traditat në kulturë dhe besim, ndërsa vendi i dytë i takoi grupit të fshatit Çiflik dhe vendi i tretë grupit të fshatit Zvirinë.
Veprimtaria u mbyll me një drekë të përbashkët ku mori pjesë dhe Mitropoliti i Korçës, Imzot Joani, i cili theksoi se qëllimi i kësaj veprimtarie kapërcen çmimet dhe fituesit, pasi çdo gjë që dikush bën për lavdi të Perëndisë është një fitore.
Atmosferë festive përcollën gjithashtu më 22 dhjetor edhe fëmijët e grupeve të katekizmit të cilët paraqitën përpara besimtarëve korçarë dhe Mitropolitit një aktivitet të veçantë, të organizuar nga vetë ata dhe mësueset e grupeve. Megjithëse aktiviteti ishte i thjeshtë, solli lavdërime fëminore për Foshnjën e Betlehemit.
Gjatë periudhës të së Kremtes së Theofanisë, duke filluar që nga parakremtja e Krishtlindjes dhe deri në Epifani (Uji i Bekuar), çdo kishë orthodhokse ndoqi ritin e saj.
Ditën e Krishtlindjeve, në datën 25 Dhjetor, në të gjitha kishat e qytetit të Korçës u krye Liturgjia Hyjnore, duke përcjellë tek besimtarët mesazhe shprese, ngushëllimi dhe gëzimi: “Se Perëndia është me ne”. Në Katedralen e qytetit “Ngjallja e Krishtit” Liturgjia u kryesua nga Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Imzot Joani.
Pas Liturgjisë Hyjnore në orën 11:00 në selinë e Mitropolisë së Shenjtë, Korçë u bë pritja e përvitshme, ku besimtarë të shumtë u drejtuan, për të uruar, si edhe për të marrë bekimin e Mitropolitit në këtë ngjarje të madhe jo vetëm për të krishterët, por edhe për gjithë historinë e njerëzimit.
Gjithashtu urimet nuk munguan dhe nga përfaqësuesit e komuniteteve të tjera fetare, nga pushtetarët lokalë, politikanë, si edhe personalitete të fushave të artit, kulturës dhe arsimit të qytetit të Korçës.