EmailFacebookKontakt

Jemi mirënjohës për atë që Kisha ka bërë për ne…

Të dielën e fundit të vitit 2003 restorant “Petrela” në Tiranë u gjallërua nga zërat engjëllorë të dhjetëra fëmijëve të ardhur nga disa qytete të Shqipërisë. Ishte Kisha Orthodhokse, me idenë dhe iniciativën e Zyrës së Grave Orthodhokse, që i mblodhi fëmijët jetimë dhe fëmijët e varfër në një drekë bujare me rastin e festave. Në festë mori pjesë dhe nderoi me praninë e tij Fortlumturia e Tij Kryepiskopi Anastas, i cili e bekoi drekën dhe të gjithë pjesëmarrësit.

Për të përshëndetur të pranishmit fëmijët kënduan këngë për Krishtlindjet dhe u aktivizuan në lojëra të ndryshme argëtuese. Ambienti ishte ndezur dhe i gëzueshëm dhe dashuria e Zotit të sapoardhur mbi tokë gjallëronte në çdo zemër fëmije, prindi, misionari, prifti.

Në tryezën ku çifti amerikan Linderman më ftoi të ulesha, më tërhoqi vëmendjen një vajzë e vogël që buzëqeshte gjatë gjithë kohës.

“E quajnë Ifigjeni” – më thotë nëna e saj, Genta. E pyes Gentën për jetën e saj dhe ajo më tregon: “Genta ka qenë një fëmijë jetim dhe ka kaluar një jetë të vështirë. Pas një martese të dështuar që përfundoi në divorc mbetëm vetëm. Kisha Orthodhokse dhe Maria Linderman kujdesen për vajzën time si për vajzën e tyre”.

Kureshtja rreth këtij çifti bamirës më ngacmon dhe menjëherë dua të di diçka më shumë rreth tyre. U shkoj pranë dhe zonja Maria, një grua e ëmbël dhe e sjellshme shpreh dëshirën për të biseduar me mua. Ja se ç’thotë ajo:

“Ishte ideja dhe dëshira e Kryepiskopit Anastas të ndërtonte një shtëpi për fëmijë në Shën Vlash, jo si institucion, por si familje. Prandaj burri im dhe unë jetojmë atje së bashku me fëmijët. Aktivitetet tona kanë karakter familjar. Ne lutemi së bashku, hamë, mësojmë, festojmë, marrim pjesë në shërbesat e kishës së bashku.”

Fëmijët janë të moshës 3 deri në 13 vjeç. Janë gjithsej 13 fëmijë, nga të cilët 5 janë të çiftit Linderman. Ndër këta të fundit 3 janë të birësuar. Çarli përveçse një prind i mirë është një kirurg i zoti e punon në klinikën e Kishës.

“E rëndësishme, thotë Maria, është ndihma morale që u japim prindërve të këtyre fëmijëve, të cilët janë në kushte të vështira ekonomike ose në gjendje të keqe shëndetësore dhe nuk mund të kujdesen për fëmijët e tyre.”

Ata kanë tre vjet e gjysmë që jetojnë dhe kryejnë aktivitetin e tyre bamirës në Shqipëri. Pyetjes sime se për sa kohë do të qëndrojnë në Shqipëri i përgjigjen njëzëri: “Do të qëndrojmë aq sa Zoti të dojë. E duam Shqipërinë dhe shqiptarët dhe këtu kemi familjen tonë shpirtërore”.

Largohem prej tyre me përshtypjet më të mira, për të kapur këtë herë një problem, atë të Shoqatës së Jetimëve të Tiranës. Njihem me Artanin, Sotirin, Entelën e të tjerë. Fjalën e merr Sotiri, i cili duket se ka shumë për të thënë:

“Jetojmë nëpër konvikte, ose në rrugë, pak nga ne kanë shtëpi. Shteti është inekzistent për ne, thotë ai. Përkrahja e Kishës Orthodhokse ka qenë gjithmonë e pranishme. Kisha na ka ndihmuar nga ana financiare, gjithashtu edhe në ushqime e veshmbathje. Sigurisht, e mira nuk ka fund, por i jemi mirënjohës për aq sa ka bërë për ne”.

Në fund, por jo nga rëndësia, është biseda e bërë me zonjën Rajmonda Shqevi, drejtuese e Zyrës së Grave Orthodhokse të Kishës. Kjo zyrë është themeluar rreth 10 vjet më parë nga 7 gra të moshuara, të cilat arritën të realizonin ato dëshira që i mbanin të ndrydhura në zemër gjatë viteve të regjimit komunist. Sot janë rreth 30 gra, mes të cilave edhe personalitete të njohura.

Këto gra kryejnë shumë vepra bamirësie. “Çdo javë bëjmë vizita në burg, shprehet Rajmonda dhe sytë i shkëlqejnë nga entuziazmi dhe mirësia. Po kështu vizitojmë dhe çojmë ndihma në azilin e pleqve, në Tiranë dhe Kavajë, si dhe në jetimoren “Zyber Hallulli”.

Për Krishtlindje, për Pashkë dhe për festa të tjera, organizojmë aktivitete të ndryshme. Një vend të rëndësishëm zë dhe ndihma që i japim çdo muaj në vlerë monetare rreth 100 familjeve me banim në Tiranë dhe 100 të tjera nga zonat rurale. Një pjesë të fondeve i sigurojmë nga Fortlumturia e Tij Kryepiskopi Anastas, i cili ndihmohet nga Kishat e tjera simotra; pjesa tjetër sigurohet nga besimtarët dhe misionarët. Risi e kohëve të fundit është sponsorizimi nga dhurues (qytetarë, biznesmenë). Kjo festë e bukur që shikoni ju sot është frut i këtij sponsorizimi”.

Aktiviteti zgjati për rreth dy orë dhe Kryepiskopi u shpërndau dhurata fëmijëve. Në fund, fjalët ishin të tepërta, po urimet e përzemërta të shumta.

Nisma të tilla janë vërtet për t’u admiruar dhe do të mbeten për një kohë të gjatë në kujtesën e gjithsecilit.

Jonila Hoxha