EmailFacebookKontakt

“Dritë, më shumë dritë në zemrat tona”

U zhvillua Festivali i 6-të i Rinisë Orthodhokse

Kishin ardhur që nga Gjirokastra e gurtë e Shkodra e kulturës, që nga Korça e serenatave e deri tek Vlora e polifonive për të prezantuar vlerat e kulturës dhe traditës së pasur shqiptare me këngë e me valle karakteristike. Të veshur me kostume tradicionale popullore në një skenë me sfond feste, në të cilën mbizotëronte mesazhi i Krishtlindjes: “Ja Krishti erdhi mes nesh, lavdërojeni”, ata u ngjitën në skenën e sallës dhe shfaqën vlerat më të mira rinore. Në fillim ishin zërat e lumtur të fëmijëve që hapën festivalin, të cilët paralajmëronin ardhjen e Mbretit të Botës, Jisu Krishtit. Pas tyre, mes duartrokitjeve të zjarrta u shfaqën prezantuesit e kësaj feste Stefan Koço dhe Denada Cfaku, të cilët shkëlqyen gjatë festivalit jo vetëm me veshjet e tyre popullore të Veriut e Jugut të Shqipërisë, por edhe me prezantimin origjinal dhe tërheqës për të gjithë spektatorët. Shfaqjen e nderoi me praninë e tij dhe Kryepiskopi Anastas.

Të parët ishin të rinjtë e Tiranës, të cilët ashtu sikurse grupet e tjera u shfaqën me një këngë të krishterë dhe një popullore. Më pas u ngjitën në skenë grupet rinore orthodhokse të Polenës, Gjirokastrës, Beratit e Mursisë, që u pritën me shumë entuziazëm nga publiku. Emocione të veçanta përcollën edhe vallet e grupit të Këmishtajt, si dhe orkestra e Radios “Ngjallja”.

Por, në këtë atmosferë të mrekullueshme festive, krejt papritur dhe për habinë e të gjithëve u shuan dritat. Dukuria e zakonshme për ne shqiptarët, dukej befasuese në ato çaste emocionesh që rrezatoheshin nga skena. Për më shumë se gjysmë ore salla e tejmbushur me spektatorë priste ardhjen e dritave, të cilat e ndërprenë në mes programin dhe surprizat e tij. Por, dritat nuk erdhën. E megjithatë atmosfera festive nuk u thye për asnjë çast. Shumë të rinj, edhe pse në një errësirë, të ndriçuar prej dy prozhektorëve të vegjël, kënduan e vallëzuan para të pranishmëve, për të shmangur mërzitjen momentale, që u shkaktua nga ikja e dritave.

Grupet rinore të Cërrikut, Korçës dhe Shkodrës, madje edhe Eltoni (me aftësi të kufizuara), i cili kishte ardhur nga larg me një këngë përshëndetëse në këtë festival, nuk arritën të ngjiteshin në skenë për të prezantuar talentin dhe bukurinë e tyre të hijshme rinore.

Evenimenti më i rëndësishëm i fundvitit 2003 për Rininë Orthodhokse, Festivali i 6-të Kombëtar i grupeve të koreve dhe valleve rinore rezervoi të papritura të këndshme e të pakëndshme për spektatorët e pranishëm në sallën e Akademisë. Atmosfera e shkëlqyer festive që u krijua nga të rinjtë e ardhur prej pothuajse të gjitha zonave të Shqipërisë u tjetërsua befasisht në mes të festivalit nga errësira, e cila erdhi si pasojë e prerjes së dritave.

Në fund, të pranishmit i përshëndeti Kryepiskopi Anastas, i cili tha:

“Dëshiroj t’ju përgëzoj për këtë festival të shkëlqyer. Por në veçanti përgëzoj të gjithë ata që mbajtën një qëndrim dinjitoz kur nuk kishte drita. Ju e patë se çfarë ndryshimi kishte kur kishim dritën, mund të shikonim gjëra shumë të bukura. Ndërsa në mungesë të dritës nuk kemi mundësi të shijojmë asgjë. Kjo situatë ndodhi në përgjithësi edhe para disa vitesh në Shqipëri. Kur ekzistonte drita e besimit gjithçka ishte e bukur, por kur erdhi persekutimi dhe drita u shua, populli nuk mund të punonte siç mund të punonte më parë. Megjithatë para 12 vitesh erdhi liria fetare dhe një jetë më e mirë filloi.

Nuk e di se çfarë do të mbani mend nga festivali i sivjetshëm por një gjë do të mbahet mend për shumë kohë; në këtë festival u shuan dritat. Dua që të kujtoni, se kur shuhet brenda nesh drita e besimit, çdo gjë bëhet e vështirë. Por kur ekziston drita e besimit gjithçka merr një bukuri të veçantë… Sa herë që në jetën tonë zvogëlohet drita e besimit Perëndia na ka lënë një dritë – dritën e sigurisë, që në çaste të vështira na jep njëfarë drejtimi, që të dimë se ku duhet të shkojmë. Unë ju bëj thirrje: Asnjëherë mos u dorëzoni në vështirësitë e jetës suaj dhe ta përdorni këtë dritë sigurie kur të jeni në momente të vështira. Do të uroja që drita e Krishtit të ndriçonte në zemrat tuaja dhe këtë dritë ta jepni tek ky vend, në Shqipëri që ka kaq shumë nevojë. Dritë, më shumë dritë brenda zemrave tona. Dritë, më shumë dritë brenda shoqërisë sonë. Ju uroj të gjithëve: gëzuar për shumë vjet me besim, gëzim dhe dashuri gjithmonë!”

Isidor Koti