Edhe në atë vend nëpër arat ishin disa barinj, duke ruajtur me radhë natën tufën e tyre. Edhe ja një engjëll i Zotit erdhi tek ata, dhe lavdia e Zotit ndriti rreth tyre, dhe u trembën me frikë të madhe. Edhe engjëlli u tha atyre: Mos u frikësoni, sepse ja tek po ju jap juve lajmin e mirë për një gëzim të madh, që do të jetë për gjithë popullin. Sepse sot ju lindi juve në qytetin e Davidit një shpëtimtar, i cili është Zoti Krisht. Edhe kjo do të jetë shenja për ju, do të gjeni një foshnjë mbështjellë në shpërgënj, shtrirë në grazhd.
Edhe papandehur, bashkë me engjëllin u duk një shumicë ushtrie qiellore, duke lavdëruar Perëndinë, e duke thënë: Lavdi Perëndisë që është në të lartat, edhe paqe mbi dhe, pëlqim në njerëzit. (Lluka 2: 8-14)
Lindja e Krishtit, i cili është njëherësh edhe Perëndi edhe njeri, shënoi rivendosjen e paqes midis Perëndisë dhe njeriut. Me trupëzimin e Perëndisë u përmbys pushteti dhe sundimi i mëkatit që e kishte bërë njeriun armik të Perëndisë dhe kjo tolerancë e pajton Krijuesin me krijesën e Tij. E si të mos ngazëllohet qielli me tërë botën e tij shpirtërore, e si të mos kremtojë këtë pajtim? Sido që të bënte njeriu, nuk do të mundte vetë që t’ia arrinte këtij paqësimi. Por, iniciativa e Perëndisë edhe të pamundurën e bëri të mundur dhe e realizoi të parealizueshmen.
Por, trupëzimi i Birit të Perëndisë nuk arriti vetëm pajtimin midis Perëndisë dhe njeriut, por përbën edhe fillimin e mundësisë së pajtimit të njerëzve midis tyre. “Mbi dhenë paqe” psal kori engjëllor me gëzim marramendës. Dhe kjo do të thotë se tashmë nuk është i pa-mundur paqësimi midis njerëzve, po të duan sigurisht, që, me gjithë zemër e me çdo rrjedhojë, të pranojnë në jetën e tyre Krishtin e lindur, i cili është paqja jonë me çdo mënyrë e në çdo marrëdhënie tonën.