At Aristidhi erdhi në Shqipëri në mesin e muajit nëntor dhe qëndroi afërsisht dhjetë ditë. Ai ishte i ftuar nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, për të mbajtur disa referate në konferencën studentore, e cila u zhvillua në Manastirin e Shën Vlashit, në Durrës. Gjithashtu, prifti amerikan, i cili është studiues i Dhiatës së Vjetër, dha disa leksione për studentët shqiptarë në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”. Gjatë bisedës At Aristidhi (Harry Pappa) sjell përvojën e tij në famullinë e Minesotës, ku shërben për disa vite, si dhe shpreh opinionin e vet për Kishën Orthodhokse Shqiptare dhe rimëkëmbjen e saj gjatë këtyre viteve.
Si fillim, një prezantim për lexuesit tanë…
Unë jam At Harry Pappa. Jam prift në kishën e Shën Marisë në Mineapolis të Minesotas. Jam studiues i Dhiatës së Vjetër. Gjithashtu jam i martuar dhe kam tre fëmijë.
Si e njihnit më parë Shqipërinë dhe cilat janë përshtypjet e para që keni krijuar për vendin tonë?
Është hera e parë që vij në Shqipëri dhe unë kam dëgjuar për këtë vend vetëm përmes atyre çka më kanë thënë të tjerët. Në Famullinë tonë në Minesota, At Luka Veronis erdhi këtë vit dhe bëri një prezantim të Shqipërisë dhe të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Gjithashtu, kam lexuar edhe një libër nga Xhim Forrest, i cili ka shkruar mbi Kishën Orthodhokse të Shqipërisë. Tani jam mëse i ndërgjegjshëm që Shqipëria ka qenë e tensionuar për më shumë se 40 vjet, për sa i përket anës fetare. Dhe që, kur qeveritë ndryshuan në fillim të viteve 90′, ka ndodhur një ndryshim shumë i madh në këtë vend dhe një rilindje e mahnitshme e Kishës Orthodhokse, e cila është drejtuar nga Kryepiskopi Anastas Janullatos, i cili është edhe një nga kryepiskopët më të jashtëzakonshëm që ka sot Kisha Orthodhokse.
Cili është niveli i bashkëpunimit midis Kishës Orthodhokse në Amerikë dhe Kishës sonë Orthodhokse?
Kisha Orthodhokse në Amerikë është e ndarë nëpër dioqeza dhe famulli dhe nuk është e bashkuar në një kishë të vetme, siç është në Shqipëri. Ne kemi një qendër orthodhokse të misionarizmit në Florida, që ndihmon në misionarizmin e Kishës Orthodhokse si në Amerikë ashtu edhe në vendet e tjera të botës dhe duke qenë, se Kisha Orthodhokse në Shqipëri është një fushë shumë e mirë misionarizmi, kishat që janë brenda Kishës Orthodhokse të Amerikës mësojnë mbi Kishën Orthodhokse Shqiptare dhe gjithashtu dërgojnë edhe misionarët e tyre këtu. Në enorinë time kemi ndihmuar për të mbledhur fonde për Kishat Orthodhokse në të gjithë botën, duke përfshirë këtu edhe Kishën në Shqipëri.
Si organizohet rinia amerikane në Kishë?
Të rinjtë organizohen në grupe të ndryshme. Ekziston një bashkëpunim midis të rriturve, të cilët janë mbi 18 vjeç. Gjithashtu, kemi edhe një grup adoleshentësh, i cili quhet “GOJA”, si edhe grupe për fëmijët nën 5 vjeç. Ne kemi trajnime dhe kampe për më shumë se 50 vjet dhe kjo ka qenë një nga arritjet tona më të mëdha, të paktën në famullinë tonë.
Kur të ktheheni në Amerikë, çfarë do t’u thoni miqve tuaj për Shqipërinë?
Do të jem në gjendje t’u them atyre gjëra të mrekullueshme të përvojës sime këtu në Shqipëri dhe se sa frymëzuese është të jesh pjesë e saj për një kohë të shkurtër.
Bisedoi I. Koti